Rama – Bashës: Nuk doje të votoje Vetting-un dhe SPAK-un, tani shpëto demokratët nga “këneta”

TIRANË, 27 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot deklaratave të kreut të Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha, ndërsa i kujtoi se “ishte ai që nuk donte të votonte as Vetting-un dhe as SPAK-un”.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama ironizoi Bashën, ndërsa e ftoi të shpëtonte demokratët “nga hataja që i priste se do të ngelen brenda në kënetë”.
“Ndjesë, se ti nuk do që ta marri vesh mileti këtë dashurinë tonë, por çfarë të bëj më foli zemra, po plaste. Unë gjithnjë kam rënë brenda, mor burrë, sa herë jam marrë me ty, gropë më gropë, dërrmim fare, por nuk vë mend, se ta thashë, nuk më lë zemra, rënkon e shkreta: ‘Luli e s’ka tjetër'”, ironizoi Rama.
Ndërkohë reagimit të Bashës sipas së cilit vetë “bufi” e mban në pushtet, ndaj dhe nuk i ndahet zemra prej tij, Rama iu përgjigj: “Eh, jo! Atë buf nuk e kam dashur kurrë! Kurrë nuk e kam dashur, dhe ti e di shumë mirë, nuk di çfarë po flet. Se ti edhe sot ke frikë t’ia përmendësh emrin, more Lul, se po të ndjek edhe në fushatë. Mezallah se ja thua “bufit” të metat, për bufin, për kënetën, për Gaz ‘ballokumen’ për tjetrin e tjetrin. Jo, hiç. Aman, nxirre atë jatagan siç e bëje kur më zmbrapsje mua, nxirre të shkretin dhe shpëtoji demokratët nga hataja që i pret se do të ngelen brenda në kënetë”.
Ndërsa Basha e akuzon se në bashkëpunim me Berishën, Rama kërkon të godasë SPAK-un, Kryeministri i kujtoi se ishte vetë ai që nuk donte të votonte Vetting-un.
“Unë mezi të shkula ty nga çadra. Nuk doje të votoje as Vetting-un, as SPAK-un. As që nuk bëhej fjalë. ‘Rama ik’, ika unë po ti pse ike? Ike se kishe hall të mbrosh SPAK-un nga unë se mos e godas bashkë me bufin, prandaj je duke ardhur vërdallë rrugëve ti si makinë policie me atë sirenën ‘Rame, Rame'”, tha Rama.
Ndërsa deklaratës së Bashës se Amerika nuk i tërhoqi ‘ushtarët’ nga SPAK por i ka aty, Rama iu përgjigj: “Unë e di se i tërhoqi, por kaq sa di unë, se ti je euroatlantiku jonë këtu. Te ty i ka Amerika edhe lidhjet, edhe shpresat, edhe sytë, edhe veshët. M’i bëj të fala Hysen Xhurës dhe Pëllumb Seferit dhe shikoje pak çfarë më çuan sot ata të Shkodrës. Shtabi i kënetës duke fjetur për qejf. Thashë, ia paska ngjitur Luli gjumin armikut”.
/m.m/r.e/