E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e Rrugës së Kavajës fton qytetarët për dhurim gjaku



Një banderolë e madhe qëndron e mbështetur në oborrin e xhamisë së Rrugës së Kavajës në të cilën ftohen të gjithë qytetarët t’i bashkëngjiten kësaj thirrjeje për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë. Ky sensibilizim ka ardhur edhe si rrjedhojë e kërkesës së vazhdueshme të nevojave të këtyre fëmijëve për gjak. “Për një moment çdokush prej nesh le ta mendojë sikur një fëmijë të tillë do ta kishte në familje, si do të ndihej, a nuk do të dëshironte që të tjerët ta ndihmonin fëmijën e tij, - shprehet për gazetën “standard” imami i kësaj xhamie, Ahmed Kalaja. - Ne jemi një komunitet që nuk mund të shkëputemi nga hallet e problemet e njëri-tjetrit, por kjo nismë ka nevojë për më shumë sensibilizim, prandaj dhe ju falënderoj shumë ju mediat e shkruara dhe ato vizive që më shumë se mbledhja e gjakut ka rëndësi sensibilizimi me të cilën ne kërkojmë që njerëzit t’i gjenden sa më pranë njëri-tjetrit”. Kalaja vazhdon më tej, duke na argumentuar se nisma të kësaj natyre kanë burimin nga Kurani ku thuhet: “Kush vret një njeri, ka vrarë gjithë njerëzimin dhe kush shpëton një jetë, ka shpëtuar gjithë njerëzimin”. Më tej, në organizimin e punës, Ilir Hoxholli, anëtar i këshillit të kësaj xhamie, tregon se mijëra email-e janë nisur në postat elektronike dhe po ashtu kanë ardhur edhe përgëzime si edhe njerëz që kanë regjistruar emrat dhe të dhënat e grupit të gjakut. “Pritet të jetë një fillim i mirë e më pas kjo nismë do të shtrihet në të gjitha xhamitë e Tiranës e, pse jo, në të gjithë Shqipërinë. Natyrisht që kjo do të kërkojë një organizim të mirë, por tashmë jemi mësuar me nisma të tilla”, - përfundon Hoxholli. Xhamia e Rrugës së Kavajës është e njohur edhe për nismën që ndërmori për mbledhjen e firmave për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një kohë të shkurtër, ata arritën të mblidhnin mbi 50.000 firma, shumica e tyre vetëm në Tiranë. Një vokacion popullor i rrallë në tipin e tij si edhe mori përkrahjen e mediave të huaja si edhe asaj më prestigjioze “Al-Jazzeira”. “Ne shpresojmë që xhamive t’u kthejmë detyrën e tyre të ndihmesës së njerëzve në nevojë si edhe flamurtare të nismave të sensibilizimit të mbarë opinionit për plagët dhe nevojat e shoqërisë sonë. Kjo ka qenë tradita e Islamit shqiptar dhe ndershmëria dhe përkushtimi i burrave të asaj kohe”, - përfundon imami i kësaj xhamie, Ahmed Kalaja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›