E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodafone Albania, gjithmonë pranë njerëzve në nevojë



Punonjësit e Vodafone Albania u mblodhën dje në mjediset e Kryqit të Kuq Shqiptar për t’i kushtuar 15 minuta nga koha e tyre shpëtimit të qindra jetëve të bashkëqytetarëve të tyre që vuajnë prej sëmundjesh të gjakut. Punonjësit e Vodafone, pjesëmarrës për të pestën herë në një fushatë të dhurimit të gjakut, provuan edhe një herë përkushtimin e tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të përhapur mesazhin e rëndësishëm të dhurimit të gjakut. Për Vodafone Albania, përgjegjshmëria sociale është një pjesë integrale e biznesit dhe që po bëhet një element vendimtar në çdo aktivitet të ndërmarrë nga kompania. Gjatë evenimentit të sotëm u nënvizua rëndësia e dhurimit të gjakut e lidhur me nevojën për gjak që kanë shumë njerëz në të katër anët e vendit dhe sidomos fëmijët që vuajnë nga talasemia. Punonjësit e Vodafone Albania, me shpirtin e tyre të vullnetarizmit treguan se edhe një gjest njerëzor në dukje i thjeshtë mund të luajë një rol të rëndësishëm për jetët e atyre që vuajnë nga sëmundjet e gjakut. Znj. Alma Varfi, drejtore e Burimeve Njerëzore e Vodafone Albania, duke komentuar pjesëmarrjen e punonjësve të kompanisë së saj në këtë nismë, tha: “Sot ndihemi mirë dhe jemi krenarë që fushata e dhurimit vullnetar të gjakut e ndërmarrë nga ana e punonjësve të Vodafone Albania do të ndihmojë të shërohen njerëzit që kanë nevojë për gjak; do të transmetojë gëzim tek fëmijët që vuajnë nga talasemia e që janë të varur nga ky akt human për të qenë si gjithë fëmijët e tjerë, për të luajtur, për të vajtur në shkollë dhe për të jetuar mes të dashurve të tyre. Jemi të sigurt se kjo fushatë, që tashmë është kthyer në traditë për ne, do të ndihmojë në përhapjen e mesazhit të vullnetarizmit në të gjithë vendin dhe do të ndiqet edhe nga kompani dhe individë të tjerë”.

Sot, në mjediset e Kryqit të Kuq Shqiptar 63 punonjës të Vodafone Albania u bënë pjesë e këtij gjesti të thjeshtë njerëzor të dhurimit të gjakut. Gjaku i dhuruar prej tyre do të përdoret prej fëmijëve që vuajnë nga talasemia.

Vodafone Albania në bashkëpunim të ngushtë me Kryqin e Kuq Shqiptar dëshirojnë të demonstrojnë që gjithkush mund të bëjë një ndryshim dhe të shpëtojë jetë, thjesht duke dhuruar pesëmbëdhjetë minuta nga koha e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›