Gjëmën na e ke bërë ne o Sali Berisha, jo opozitës!

Aleks Nika me te shoqen
Nga Mark Nika
Xhaxhai i Aleks Nikës, avokat Mark Nika, shkruan për zhvillimet e fundit në lidhje me 21 janarin.
Në vëmendje të Zotit Stefan Fyle, komisioner për zgjerimin i BE-së dhe zotit Aleksandër Arvizu, ambasador i SHBA në Tiranë
Përfundimi i hetimeve për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit dhe dorëzimi i dosjes në gjykatë është pritur duke mbajtur frymën nga familja jonë. Besoj edhe nga familjet e të vrarëve dhe të plagosurve të tjerë në atë masakër të Gardës së Republikës mbi popullin.
Duhej të ishte momenti i parë i lehtësimit për ne që kemi humbur përjetë të dashurit tanë plotësisht të pafajshëm. Në fakt, hetimi dhe akuza kanë hedhur dritë mbi disa nga pikat të errëta të atij krimi makabër. Dy persona janë akuzuar për vrasje, dy të tjerë për fshehje të provave të krimit. Gjykata do të shprehet për fajësinë e tyre.
I kam përshëndetur dhe i përshëndes prapë, në emër të familjes Nika, hapat e hedhur në rrugën e zbardhjes së 21 janarit. Por lehtësimi që kemi pritur e presim është akoma larg për ne. Janë identifikuar vrasësit e Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Kurse vrasësi i Aleksit tonë është akoma në mjegull. Plumbi që i mori jetën atij ka bërë rrugë të gjatë nga Tirana në Turqi, nga Turqia në Tiranë… Shpresojmë dhe kërkojmë me forcë që prokuroria të dalë sa më shpejt të jetë e mundur me një përfundim të qartë për armën dhe dorën që qëlloi në lule të ballit të dashurin tonë. Hetimi ka vështirësitë e veta. Për ketë unë si jurist jam plotësisht i vetëdijshëm . Por kushdo mund ta kuptojë dhimbjen e dyfishtë të prindërve të Aleksit, bashkëshortes së tij, motrave të tijdhe mbarë familjes sonë kur lexojmë e dëgjojmë se nuk po gjendet akoma doraci. Ky lajm i keq bën masë me lloj-lloj lajmesh, dëshmish e hamendjesh të tjera për manipulim të qëllimshëm të plumbit për ta lënë vrasjen enigmë. Mos i besoni! na thonë dashamirësisht disa nga miqtë e familjes sonë. Mirëpo edhe ata e kanë të vështirë kur shohin se vrasësit kanë ndërruar tytat e armëve për të fshehur gjurmët. Pse të mos e bënin me plumbin atë që kanë bërë më armët? Në dorë e kanë pasur.
Lehtësimi që kemi pritur e presim është akoma larg jo vetëm se nuk është akuzuar kush drejtpërsëdrejti për vrasjen e Aleksit, por edhe për një arsye tjetër madhore që ka lidhje me gjithë procesin dhe me natyrën politike të vrasjeve të 21 janarit. Ata që urdhëruan të hapet zjarr dhe të prishen filmimet nuk janë hetuar. Kryeministri Sali Berisha dhe ish ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha nuk janë hetuar. Megjithëse kanë kryer veprime dhe kanë bërë deklarata publike shumë domethënëse për ngjarjen, për të cilat duhet të ishin thirrur nga Prokuroria. Për ne si familjarë të viktimave të 21 janarit hetimi dhe dënimi atyre që kanë dhënë urdhër për të vrarë është në plan të parë. Pastaj vjen hetimi dhe dënimi i atyre që i kanë ekzekutuar këto urdhra, që në rrethanën e dhënë kanë qenë vegla.
Hetimi jep përshtypjen se ka vendosur një kufi për tu marrë me të vegjlit dhe këta janë siguruar nga të mëdhenjtë se do ta kalojnë lehtë, siç po e kalon në shtëpinë e tij vrasësi A. Prendi apo siç po e kalon në kushtet e një trajtimi të privilegjuar vrasësi tjetër A. Llupo. Kjo paralajmëron degradimin e 21 janarit në një farsë juridike për ti dhënë masakrës trajtat e një vrasjeje të zakonshme. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë.
Nuk është e rastësishme, që ndërsa procesi ka hyrë në këtë hulli, që më të drejtë një gazetar e quante hullia e peshqve të vegjël apo kokave të turkut, kryeministri Berisha mori zemër tu turret në Kuvendin e Shqipërisë deputetëve të opozitës duke i kërcënuar e poshtëruar se do tua bënte më keq se me 21 janar!? Kjo ishte një sfidë e një shkallë më të lartë se sfidat e mëparshme të këtij kryeministri kundër prokurorisë, opozitës, Partisë Socialiste, opinionit publik, faktorit ndërkombëtar dhe kundër familjarëve të viktimave. A e ka mbajtur shënim Prokuroria këtë deklaratë skandaloze, ku Berisha pohon me gojën e tij se vrasjet ishin politike dhe ku guxon të shpallë krimin si meritë? Po opozita si e përtypi ashtu? Unë nuk e di si e kanë pritur ndërkombëtarët dhe nuk mund ti imponohemi askujt në qëndrimin që duhet të mbajë. Ne emër të familjes Nika dua ti them dy fjalë Sali Berishës. Nuk i ke bërë asnjë gjë opozitës, aty rreth e rrotull e ke për bukuri. Gjëmën që thua ua ke bërë vajzave jetime të Aleksit, gruas së tij të ve, nënës së tij kërcune, të gjithëve ne. Na ke vrarë djalin tonë, që erdhi në Tiranë për të demonstruar si shtetas shqiptar kundër pazareve që bëheshin në zyrat e ministrave të aleatëve të tu të LSI-së, të Ilir Metës dhe Dritan Prifti. Nuk erdhi Aleksi as me gurë ne xhepa, as për të hyrë në zyrën tënde. Erdhi për të protestuar si mijëra e mijëra të tjerë atë ditë. A e ke parë vendin ku e keni vrarë? A e ke parë orën kur e keni vrarë? Vendi ku e keni vrarë dhe ora kur e keni vrarë ju akuzon ju dhe vartësit tuaj si vrasës burracakë, të pashpirt, çnjerëzorë. Ju keni menduar ti jepni mësimet tuaja opozitës me jetën e djalit tonë. E keni menduar gabim, shumë gabim.
Ne kemi pritur e vazhdojmë të presim drejtësinë. Por e përsërisim para publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë: nuk do të lejojmë që gjaku i Aleksit të bëhet ujë. Personat që kanë marrë përsipër barrën e ekzekutimit të Aleksit me shokë dhe ata që kanë marrë përsipër barrën prishjes së filmimeve dhe provave të tjera të krimit, me shpresë se do të mbrohen nga urdhëruesit e tyre, duhet ta dinë se janë dyfish në hakun e atyre që humben jetën.
Për ne është shumë e qartë se pa u hetuar të gjithë dhe pa u ndëshkuar gjithë grupi që prodhoi këto vrasje, 21 janari nuk do të konsiderohet i zbardhur. Aleksi ishte vërtetë një opozitar, por ai nuk mund të jetë kurbani i marrëveshjeve dhe pazareve mes opozitës dhe qeverisë. Le të bëjnë paqe dhe politikë ata në hotelet dhe vilat luksoze ku organizojnë takimet e tyre. Por Fatos Nano duhet ta dijë se Aleks Nika ishte një prej atyre që ka protestuar me portretin e tij në dorë kundër burgosjes së tij nga regjimi i Berishës. Prandaj na lëndon me shumë se të tjerët kur flet për përgjegjësi të balancuar në ngjarjet e 21 janarit. Ndërsa zoti Rama, së paku zoti Rama, që na ka ndenjur pranë në tragjedinë tonë, duhet të mbajë parasysh në lëvizjet e tij atë që tha komisioneri Stefan Fyle në Tiranë kur e përfshiu zbardhjen e plotë të 21 janarit në katër kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të hyrë në Europë. Ne si familje i shprehim mirënjohjen e thellë komisionerit Fyle. Nga deklarata e tij kemi kuptuar se Europa ka parime që nuk mund ti shkelë. Kemi kuptuar se pengesa e 21 janarit kalohet me drejtësi, vetëm më drejtësi. Kemi kuptuar se rruga e drejtësisë për opozitën është rruga e sigurt drejt Europës, kurse rruga e marrëveshjeve me kundërshtarët për gjëra të tjera nuk e kalon këtë penges