Gjenden mbetjet mortore të 9 personave, nga EULEX
Ekspertët e EULEX–it për mjekësi ligjore nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, kanë zhvarrosur mbetjet mortore të nëntë personave, të cilët dyshohet të jenë viktima nga konflikti në Kosovë. Ky njoftim bëhet i ditur nga Zyra për informim e EULEX-it përmes një deklarate per shtyp. Operacioni treditor në terren, thuhet se është zhvilluar në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.
Ndërkaq behet e ditur se zhvarrosja në Mitrovicë është rezultat i analizave intensive të dokumenteve, hetimeve dhe disa vizitave të kryera më herët nëpër lokacione.
Prej kohës kur ekspertët e EULEX-it iu bashkuan Departamentit për Mjekësi Ligjore në dhjetor të vitit 2008, departamenti ka zhvilluar më shumë se 280 operacione në terren, ndërsa janë gjetur trupat e më shumë se 140 personave të pagjetur.