Turizmi ne Voskopojë, shqetësim rrugët e kalldrëmta

Fshati Voskopojë vijon të mbetet një prej resurseve turistike më të frekuentuara në qarkun e Korçës. Në prag të këtij sezoni turistik duket se fshati është gati për të mirëpritur të gjithë vizitorët që zgjedhin të pushojnë në këto anë.
Ndërkohë, nga ana e komunës duket se problemet madhore janë zgjidhur dhe i vetmi shqetësim që mbetet janë rrugët e kalldrëmta të fshatit, të cilat janë dëmtuar së tepërmi gjatë viteve të fundit.
Kryetari i komunës së Voskopojës Nexhip Bacelli konfirmon se edhe ky problem duket se po merr zgjidhje përmes një projekti që pritet të vihet në zbatim së shpejti.
Fshati është bërë i njohur për qytetërimin e tij shumëshekullor, peisazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta të cilat bartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore si dhe ushqimet bio apo gatimet tradicionale. Duket se përveç turistëve nuk mungojnë as organizimet e nxënësve të shkollave, të cilët njihen edhe me vlerat kulturore të fshatit.