Gjendet e braktisur në pyll foshnja 10-ditëshe
ELBASAN -Kalimtarë të rastësishëm, teksa po kalonin në këmbë në vendin e quajtur Kthesa e Dragostunjës (3 km larg Librazhdit), në aksin e rrugës nacionale, kanë dëgjuar në shkurret djathtas saj një të qarë fëmije. Pasi janë afruar, të mbështjellë në një batanije, kanë gjetur një foshnje të seksit femër. Menjëherë është njoftuar policia, e cila nën përkujdesjen e mjekëve pediatër, ka bërë shoqërimin e të braktisurës në Pediatrinë e spitalit të Librazhdit. Nga ekzaminimet paraprake, mësohet se foshnja është me peshë 2 kilogramë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. "Foshnja ka lindur 10 ose 15 ditë më parë dhe në bazë të shenjave në parakrah, rezulton se i është injektuar serum. Nuk dihet nëse serumi është kryer në mjedise legale spitalore apo ilegalisht. Morëm masat për trajtim mjekësor të foshnjës në kushte spitalore. Aktualisht, ajo është në inkubator dhe po i nënshtrohet të gjitha ekzaminimeve nga grupi i mjekëve specialistë", - pohon Kujtim Albrahimi, shefi i pavijonit të Pediatrisë në spitalin e Librazhdit.
Drejtues të policisë së Librazhdit dhe ekspertë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit kanë filluar menjëherë punën për identifikimin e nënës braktisëse.
(d.b/GSH/BalkanWeb)