E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zhduket" nusja lituaneze bashkë me vajzën 2 vjeçe

Denoncimi është kryer nga bashkëshorti i lituanezes me kombesi shqiptare. Çifti mësohet se jetonte në Lituani dhe kishin ardhur në Shqipëri për të nxjerrë disa dokumente. Gruaja kishte humbur rrugen pasi nuk dinte gjuhen shqipe 

TIRANE - Denoncimi i zhdukjes së një lituanezeje me gjithë vajzën 2-vjeçare ka alarmuar policinë e Tiranës. Denoncimi është kryer nga bashkëshorti i saj njëkohësisht edhe babai i fëmijës, Armir Zela. Ngjarja është zbardhur disa orë më vonë, kur rastësisht një oficer i Komisariatit numër 5 të Policisë së Tiranës ishte hasur me lituanezen Helvi Raim, 36 vjeçe, e cila së bashku me vajzën Chariot Zela pyeste në anglisht për vendndodhjen e hotelit në Kamëz, ku kishte qëndruar me Armirin. Çifti mësohet se jetonte në Lituani dhe kishin ardhur në Shqipëri për të nxjerrë disa dokumente që i duheshin Armirit. Pas marrjes në pyetje të dy bashkëshortëve, ngjarja është mbyllur si një humbje aksidentale për shkak të mosnjohjes së rrugëve nga ana e lituanezes. Gjithsesi, policia ka hetuar edhe pistën e largimit për shkak të ndonjë konflikti familjar mes tyre, por që më vonë Helvi ka ndryshuar mendje dhe është kthyer. Kthimi i lituanezes e ka bërë çështje të mbyllur për policinë denoncimin për largimin e saj. Ngjarja është klasifikuar si keqkuptim. Gjithsesi, policia ka marrë në pyetje vetë lituanezen për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dyshimet se mos ajo ka qenë e detyruar të ikte nga grindjet me të shoqin. Burimet policore thanë për Gazetën, se nga verifikimet e kryera nuk janë konstatuar elementë që mund të provojnë këtë dyshim.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›