Gjendet i vdekur në apartament 67-vjeçari, dyshohet vetëdjegie
TIRANE – Një 67-vjeçar është gjetur i vdekur mbrëmjen e djeshme në apartamentin e tij në Tiranë. Viktima quhet Enver Allmuça dhe sipas policisë dyshohet të jetë vetëdjegur, rreth një javë më parë, për arsye ende të paqarta. Policia e kryeqytetit është njoftuar rreth orës 19:00, për shkak se banorët e pallatit kanë ndjerë një aromë të rëndë, që vinte ka dera e apartamentit në katin e pestë ku banonte viktima. Drejt vendit të ngjarjes, në zonën mbrapa maternitetit “Koço Gliozheni”, te Bërryli, kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit Nr.1, që kanë thyer derën e apartamentit, pasi ishte e mbyllur nga brenda. Burimet thanë se trupi i pajetë i 67-vjeçarit është gjetur në ambientin e kuzhinës, gjysmë i djegur dhe i dekompozuar. Pasi janë kryer veprimet e para hetimore për ngjarjen, kufoma është transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku do përcaktohen me saktësi shkaqet e vdekjes. Megjithatë, paraprakisht policia dyshon se i moshuari ka kryer vetëvrasje, duke i vënë flakën vetes, të paktën një javë më parë, nisur edhe nga dekompozimi i trupit. Gjithashtu policia ka pyetur edhe fqinjët e viktimës Allmuça, të cilët kanë pohuar se ai jetonte prej vitesh i vetëm, pasi familja e tij ndodhet jashtë Shqipërisë. Të njëjtat burime konfirmuan se 67-vjeçari është vetëvrarë, pasi dera e apartamentit është gjetur e mbyllur nga brenda dhe dritaret po ashtu.