Patatet nga Egjipti falimentojnë tregun vendës

Nga tregu pranë Pazarit të Ri, Tiranë
Ministria e Financave favorizon importin e fruta-perimeve.
Mijëra ton patate importohen me çmim super të lirë, 14 lekë/4 kg.
Patatet që gjenden në tregjet shqiptare nuk vijnë as nga Korça dhe as nga Kukësi, dy vendet tradicionale të prodhimit të tyre, por janë të importuara nga Egjipti. Mijëra tonelata janë futur në Shqipëri përmes një anije mallrash në Portin e Durrësit dhe me një çmim super të lirë, 10 cent (14 lekë) për 4 kilogramë. Burime doganore bëjnë të ditur se subjekti që ka importuar pataten nga Egjipti është një nga nënshkruesit e marrëveshjes në Odën Ekonomike të Kosovës për import të patates nga Kosova. Një produkt që hyn pa doganë si mall importi nga Kosova, për shkak të marrëveshjes doganore dypalëshe. Importi rezulton të këtë ndodhur në fillim të muajit mars, duke ndikuar kështu në uljen e pabesueshme të çmimit të patates nga bujqit-tregtarë vendës, ose edhe më keq në falimentimin total të tyre, siç ka ndodhur në fshatrat e Korçës. Pas një vëzhgimi që bëmë në zonat juglindore mbi pataten, qepën dhe mollën, ku prodhimet hidheshin nëpër kanale për shkak të mungesës së tregut, radhën e ka Tirana…
Në prill të vitit 2011, çmimi për një kilogram patate ka qenë 100 lekë. Në Tiranë, dje rezultonte me vetëm 60 lekë. Edhe ky çmim ishte në një nga tregjet që njihet si më i shtrenjti në Tiranë, te Pazari i Ri. Për shumë vite, asnjëherë patatja nuk ka qenë më lirë. Për shembull, vjet në këtë kohë patatja kushtonte 100 lekë për kilogram, por edhe më shtrenjtë.

Aqifi, tregtar i fruta-perimeve pranë Shkollës së Bashkuar
Javën e kaluar e shitëm me 70 lekë, ndërsa sot e kemi ulur me 60 lekë. Që nga dhjetori e kemi marrë nga Kukësi, në një magazinë të qytetit. Me sa di unë, edhe aty grumbullohej, pasi hynte nga Kosova. Megjithatë, ne e reklamojmë si patate-Kukësi, pasi kështu shitet më shumë. Klientët gjithnjë e më shumë kërkojnë prodhimin vendës, thotë Hilmi Hoxha, tregtar i shitjes me pakicë pranë Pazarit të Ri. Sipas tij, përgjithësisht këtë vit ka pasur ulje çmimesh sa u përket perimeve dhe frutave. Fjalën ia mbështesin edhe kolegët ngjitur, ku marrim një informacion që nuk e dinim më parë. Nuk ishte patatja që hyri nga Kosova që uli çmimin e saj, por ajo që hyri nga Egjipti. Në fillim të muajit mars, një anije e madhe me patate është shkarkuar në Portin e Durrësit, ku grosistët e mëdhenj e kanë blerë me çmime qesharake, 10 cent/4 kilogramë. Nuk ka as patate Kukësi dhe as patate Korçe nëpër pazaret e Tiranës, mos gënje kot, i thotë Hilmiut tregtari ngjitur tij, duke e qortuar njëkohësisht për shpjegimin e mësipërm. Sipas tij, fare lehtë mund të dallohen patatet e importit: Sapo qërohen, nxihen shumë shpejt. Kur skuqen, bëhen si qymyr. Nëse i bën gjellë, kanë shije si të thartë. Më troç, nuk është se janë cilësore, por kushtojnë shumë pak në krahasim më prodhimin e vendit. Duke bërë një vëzhgim nëpër tregjet e tjera të Tiranës, ai i Uzinës Dinamo servir çmimet më të lira. Duke qëndruar sërish te patatet, ato shiten me shumicë 100 lekë për 3 kilogramë. Prej një jave i kemi me këtë çmim. Më parë e shisnim diku te 50-60 lekë për kilogram. Tani çmimi ka rënë shumë, sepse patatja vjen nga Egjipti dhe Kosova. Gjatë pasdites i shesim edhe më lirë, 4 kilogramë për 100 lekë, thotë Dava Prendi, tregtare e fruta-perimeve pranë Uzinës Dinamo. Ajo nuk di të tregojë se cilët janë personat që i kanë sjellë patatet nga Egjipti, por shpjegon se çdo natë, nga ora 24:00 deri në orën 04:00, pranë tregut të Uzinës Dinamo shkarkohen dhjetëra furgonë me fruta-perime. Mes tyre, edhe patatet. Këtu furnizohen më pas të gjitha tregjet e tjera, shton ajo. Duke

Çmimi i mollëve në Tiranë, ndërkohë që në Korçë hidhen
lëvizur në një treg tjetër, atë të Shkollës së Bashkuar, çmimet e fruta-perimeve nuk është se kanë shumë ndryshim, përveç opinionit. Sipas tregtarëve aty, çmimi i patateve është ulur për faj të kapriçove të bujqve korçare. Kujtuan se tregu do të ishte si vjet. Kur fshatarëve të Korçës ua kërkonim që të na e shisnin pataten që në vjeshtë e dimër, ata pritën që të kalonte viti i ri dhe të na e jepnin më shtrenjtë. Kur çndodhi?! U fut patatja në fund të dhjetorit dhe në janar nga Kosova. Pastaj, në fillim të marsit erdhi patatja nga Egjipti dhe mbetën korçarët. Le ti hedhin rrugëve tani, se u treguan tekanjozë, thotë Xhevahire Vehapi, një grua rome rreth të 50-tave që shet në hyrjen kryesore pranë tregut të Shkollës së Bashkuar. Disa i japin të drejtë, por shumica e kritikojnë. Një ndër to edhe shitësi i fruta-perimeve ngjitur me tendën e saj, që quhet Aqif: Nuk është e vërtetë. Patatja e importit erdhi që në fillim të dhjetorit. Na erdhi nga Kosova me çmim 14 lekë për 3 kilogram. Pastaj na erdhi kjo e Egjiptit, sërish me 14 lekë, por për 4 kilogramë. Megjithatë, unë nuk marr asnjërën prej tyre. Kam klientë që duan cilësi dhe mbaj patatet e vendit. Nuk i ndërroj këto. Kam patate nga Korça dhe nga Divjaka. Duken që në pamje se çfarë malli janë.
Mollët hidhen në Korçë, 70 lekë në Tiranë
Gjatë një reportazhi nëpër 26 fshatra të Korçës, vumë re se kanalet ishin të mbushura me mollë të hedhura, për shkak të mungesës së tregut të shitjes. Ndërkaq, si për ironi, nëpër tregjet e Tiranës reklamohen si më të mirat pikërisht mollët e Korçës. Ato shiten me një çmim prej 70 lekësh për kilogram, por edhe më shumë. Sipas tregtarëve, mollët e Korçës janë ndër produktet më të kërkuara, por muajt e fundit nuk ka se kush tua sjellë me shumicë.Qepët si luks, shiten aq sa patatet
Qepët kanë një çmim statik. Janë vetëm 10 lekë më pak se sa patatet. Por ndryshe nga këto të fundit, qepët nuk kanë ulje çmimi nëse i blen me shumicë. Ato shiten me 50 lekë për një kilogram, pa marrë parasysh se sa blen. Sa i përket origjinës së qepës, nuk tregohet saktë se nga vijnë nëpër tregjet e Tiranës. Disa prej tregtarëve aludojnë për fshatrat e Myzeqesë dhe Korçës, e të tjerë për Kosovën.
ELISABETA ILNICA