Shefi i Krimeve u filmua me ryshfet

Komisariati Nr.1 i Policisë në Tiranë
Tiranë, i moshuari që pagoi paratë u arrestua më 18 dhjetor 2011, pas disa të shtënave te Liqeni Artificial.
Prokuroria: Regjistrimi kur mori 3500 euro për të arrestuarin.
Ish-shefi i Krimeve në Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës, Fatos Goxho, i arrestuar të hënën nga SHKB-ja dhe Njësia Task- Force, është filmuar duke marrë 3500 euro nga djali i një të moshuari që akuzohej për armë-mbajtje pa leje. Burime të Prokurorisë kanë thënë dje se përgjimet telefonike nuk janë prova kryesore e dosjes, pasi me autorizim të organit të akuzës, SHKB-ja kishte filmuar skenat e dyshuara korruptive të ish-shefit të Krimeve. Sipas burimeve nga organi i akuzës, marrja e 3500 eurove nga ish-zyrtari i lartë i Komisariatit Nr.1 në Policinë e Tiranës është e faktuar me filmime audio dhe video, ndërsa dyshohet se Goxho ka vepruar me të njëjtën skemë edhe në raste të tjera. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja e cila futi në burg zyrtarin e lartë të Policisë e ka zanafillën më 18 dhjetor 2011. Atë ditë, në sallën operative të Policisë së Tiranës është dhënë një njoftim për të shtëna me armë në zonën e mbuluar nga komisariati Nr.1 i Policisë, diku në afërsi të Liqenit Artificial. Shërbimet e Policisë kishin mbërritur aty dhe pas kontrollit në banesë kanë gjetur armën tip pistoletë dhe për pasojë kanë ndaluar shtetasin Ramzan A. Ai është shoqëruar në komisariat, ndërsa atje i është bërë e ditur nga shefi i Krimeve se do t’i shpëtonte arrestimit në rast se paguante një shumë të caktuar. Për këtë çështje është angazhuar djali i të arrestuarit, shtetasi E.A. Ai mësohet se ka hyrë në kontakt me shefin e Krimeve të Komisariatit Nr.1 dhe pas tratativave ka rënë dakord të paguante 3500 euro. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është vënë në dijeni të këtyre fakteve dhe i ka kërkuar Prokurorisë autorizim për mbikëqyrjen e veprimeve të personave të dyshuar. Gjatë kësaj kohe, dosja penale ndaj shtetasit Ramazan A. ishte përcjellë në Prokurori dhe organi i akuzës, pak kohë më parë, dërgoi në Gjykatë dosjen penale ndaj të moshuarit me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Pasi u thirr në Gjykatë për këtë dosje, i moshuari dhe djali i tij i kanë kërkuar llogari shefit të Krimeve “përse i kishte marrë paratë, kur nuk kishte mbaruar punë”. Duke qenë se nuk kanë gjetur marrëveshje, i moshuari dhe djali i tij kanë bërë denoncimin përkatës në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurori. Njësia Task-Force Antikorrupsion tha dje se, bazuar në provat e mbledhura, iu drejtua Gjykatës dhe mori prej saj urdhrin e arrestimit të shefit të Krimeve në Komisariatin Nr.1. Ai u vu në pranga nga SHKB-ja, ndërsa Prokuroria tha se do të kërkojë lënien në fuqi të masës tashmë të vendosur ndaj ish-zyrtarit të Policisë, “arrest me burg pa afat” deri në fund të hetimeve. Seanca për njoftimin e masës së sigurisë në fjalë pritet të zhvillohet brenda dy ditëve. Sipas hetimeve, Prokuroria dhe avokatët thanë se personi që ka denoncuar shefin e Krimeve të Komisariatit Nr.1 ka qenë i dënuar më parë.
Zyrtari, me dy avokatë
Dy avokatë janë paraqitur dje në Prokurorinë e Tiranës, duke njoftuar marrjen në mbrojtje të ish-zyrtarit të Policisë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy mbrojtës ligjorë kanë dorëzuar prokurat në organin e Prokurorisë, duke deklaruar se do të mbrojnë të pandehurin. Avokatët e Fatos Goxhos kanë deklaruar se personi që ka bërë kallëzimin është i dënuar më parë. Ata kanë thënë se nuk u janë dhënë provat të cilat fajësojnë klientin e tyre.
Rokadë në komisariatet e Tiranës, ndryshojnë katër shefat e Krimeve

Drejtoria e Policisë Tiranë
TIRANE – Katër shefa të Policisë Kriminale të komisariateve të Tiranës kanë lënë detyrën, duke u emëruar në pozicione paralele po në kryeqytet. Ndryshimet kanë ndodhur në Komisariatet Nr.1, Nr.2, Nr.3, Nr.4 dhe në seksionet e Drejtorisë së Policisë. Burimet thanë se lëvizjet në Polici ishin firmosur prej një jave, duke caktuar edhe detyrat e reja të shefave të Krimeve, megjithatë ata kanë nisur detyrën vetëm ditën e hënë. Shef Krimesh në Komisariatin Nr.1 është emëruar Edmond Sulaj, duke zënë vendin që mbante oficeri i arrestuar dy ditë më parë për korrupsion, Fatos Goxhaj, i cili priste transferimin drejt Dibrës. Ndërsa Shefi i Krimeve të Komisariatit Nr.2, Edvin Ndreu, ka lëvizur në një pozicion paralel, duke u emëruar në Komisariatin Nr.3. Oficeri që i ka liruar vendin Ndreut, Leonard Ndreka, është emëruar shef i Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, detyrë që mbante Benet Koka. Ndërsa Koka është emëruar shef Krimesh në Komisariatin Nr.2. Gjithashtu burime thanë se ka lëvizur edhe shefi i Policisë Kriminale të Komisariatit Nr.5, në Kamzë, ku është emëruar Leonard Palushi. Në dy komisariatet e tjera të Tiranës nuk kanë lëvizur shefat e Krimeve, për shkak se kanë ardhur në detyrë vetëm tre muaj më parë. Të njëjtat burime thanë se pritet të ketë ndryshime edhe në radhët e shefave të komisariateve, por ende nuk janë vendosur transferimet përfundimtare. Vetëm disa ditë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u transferuan shefat e dy prej sektorëve më të rëndësishëm. Arjan Hasani, shefi i Sektorit Kundër Krimeve të Rënda dhe Bedri Gjoni, shef i Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, lanë detyrat që mbanin në Policinë e Tiranës. Hasani u emërua shef i Seksionit Kundër Dhunës në Familje në Berat, ndërsa Gjoni ka mbetur po në Tiranë, por duke marrë detyrën e shefit të Seksionit të Qarkullimit Rrugor. Lëvizjet janë justifikuar nga drejtuesit e Policisë, si qëllim për përmirësimin e punës në territorin e Tiranës.