Pas Skënderbeut në 29, në esperanto romani i Kongolit

Shkrimtari Fatos Kongoli
U prezantua botimi më i ri i romanit Lëkura e qenit
Esperantisti Bardhyl Selimi: Mbi 450 veta e flasin në Shqipëri, i pari Dom Lazër Shantoja.
Kur esperantisti Bardhyl Selimi e takoi në rrugë dhe i përçoi propozimin e përkthyesit polak Tomasz Chmielik, për të përkthyer një nga romanet e tij në gjuhën esperanto, mendoi se ishte një shaka.
Romani i tij Lëkura e qenit ishte përkthyer në 7 gjuhë të ndryshme, por në esperanto?! Por ja që ndodhi, Fatos Kongoli do të bëhej shkrimtari i parë shqiptar që do të përkthehej në gjuhën esperanto, gjuhën që lindi me dëshirën për tu bërë gjuha e përbashkët e gjithë botës. Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend që një vepër imja do përkthehej dhe do botohej në gjuhën esperanto. Iniciativa ishte e esperantistit polak Chmielik, i cili e kishte lexuar këtë vepër në polonisht dhe nëpërmjet një esperantisti shqiptar, Bardhyl Selimi, më propozoi për ta përkthyer, sepse kishte gjetur shumë gjëra interesante në të, tha dje Kongoli në takimin e zhvilluar me rastin e prezantimit të përkthimit të romanit të tij Lëkura e qenit, i botuar në shqip nga Toena. Fatos Kongoli është një nga shkrimtarët shqiptarë më të njohur jashtë vendit. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë. Ndërsa ai vijon të shkruajë. Në vjeshtën e shkuar botoi romanin më të ri Si-do-re-la. Kur e pyet nëse po punon për një vepër të re, ai të përgjigjet: Romanet nuk mund të dalin si franxhollat nga furra. Por tashmë kënaqësia e tij më e fundit është botimi i romanit Lëkura e qenit në një gjuhë të veçantë, si esperantoja, e cila ka njohësit e vet edhe në Shqipëri. Sekretari i lidhjes së mësuesve esperantistë shqiptarë, Bardhyl Selimi, i cili ka kontribuar në përkthimin e romanit të Kongolit, duke ndihmuar përkthyesin polak Chmielik na tregon se sa esperantistë ka në Shqipëri, kush është esperantisti i parë, përpjekjet e ministrit Rexhep Mitrovica në vitet 20 etj.
Sa esperantistë numërohen në Shqipëri?
Prej vitit 1993 kanë kaluar nëpër kurse 450 veta. Shumë prej tyre kanë kryer studimet jashtë vendit dhe e përdorin esperanton si gjuhë pune, 20 prej të cilëve kanë marrë diplomën.
Nuk është ky një numër fare i vogël?
Janë pak, po të mendosh që në vitet 20 ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica, në qeverinë e Xhaferr Ypit mori nismën në kuadrin e disa vendeve të Europës për ta futur gjuhën esperanto qysh në fillore, por atëherë delegati francez vuri veton, duke menduar se frëngjishtja do të ishte akoma mbizotëruese. Qysh në vitin 1929 është botuar libri i parë Historia e Skënderbeut në origjinal në esperanto nga Cuk Simoni, ndërsa në 1905 hasim esperantistin e parë, Dom Lazër Shantoja. Një esperantist i shquar ka qenë kardinali i parë Mikel Koliqi, vëllai i tij Vilhelm Koliqi, prof. Zef Kakarriqi dhe shumë personalitete të tjera, qysh në fillim të shekullit të kaluar.
Por nëse në krye të shekullit të kaluar flitej nga personalitet, sot duket sikur interesi është më i vogël, përse?
Kjo vihet re jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera dhe kjo është e kuptueshme për shkak të problemeve që hasin esperantistët. Më së shumti është presioni nga fuqitë e mëdha, sidomos anglishtfolëset dhe problemi konservativ. Gjërat e reja dhe të panjohura janë të vështira për tu përvetësuar. Ne mbështesim esperanton, pasi është një ndihmë për të mësuar gjuhët e tjera. Nëse nxënësit do të mësojnë për 4 muaj esperanton, atëherë ata arrijnë dije më të shpejta dhe më të qëndrueshme në gjuhë të tjera, si anglisht, gjermanisht etj. Faktori tjetër është e ardhmja e Bashkimit Europian. Kërkohet një gjuhë të përbashkët, mirëpo nuk bihet dakord për një gjuhë kombëtare për shkak të xhelozive kombëtare, ndërkohë që esperanto është një gjuhë funksionale, e gatshme dhe flitet nga 2 milionë njerëz të shpërndarë në mbi 120 vende të botës. Përse të mos e përqafojnë?
Por gjuha fsheh pas edhe një kulturë apo traditë, çka esperantoja nuk e ka…

Esperantisti Bardhyl Selimi
Esperanto nuk pretendon të krijojë një popull më vete, por është një gjuhë urë për të ndihmuar njerëzit të komunikojnë mes tyre dhe për të mbrojtur kulturat kombëtare. Kur mësojmë një gjuhë të huaj, bashkë me gjuhën vjen edhe kultura e atij populli të cilit ajo i përket. Tashmë shumë popuj të ndryshëm ankohen prej dominimit të anglishtes, pasi gjuhët e tyre po dëmtohen nga përdorimi vend e pa vend i termave nga gjuha angleze. Ndërsa esperanto këtë gjë e parandalon.
Ku mbështetet esperantoja?
Gjysma e fjalëve janë ndërkombëtare, ndaj edhe ju shumë prej fjalë i kuptonit. Ndërsa pjesa tjetër nuk është e krijuar, por është marrë nga gjuhë të veçanta, ato që janë më të shkurtra, më fonetike, nga gjermanishtja, sllavishtja, latinishtja. Sigurisht një pjesë të mirë e mban latinishtja, pasi është baza e shumë gjuhëve europiane, por nuk është latinisht. Ka një gramatikë shumë të thjeshtë mbi sistemin e parashtesave dhe prapashtesave, mbaresave, me anë të të cilave krijon fjalë të reja. Nuk është një gjuhë e panjohur, është e qartë dhe nuk ka përjashtime.
Ju personalisht kur keni rënë në kontakt me gjuhën esperanto?
Kam rënë në kontakt me esperanton qysh në vitin 1961, isha 16 vjeç. Ka qenë një bërthamë esperantistësh në Ministrinë e Ndërtimit me inxhinierë të njohur, të cilët hapën kurse në universitet, hapën kurse në pallatin e Kulturës Ali Kelmendi.
Nuk e ndalonte regjimi diktatorial?
Qeveria e atëhershme nuk e mbështeste, por as e pengonte, sepse në përgjithësi shqiptarët nuk kanë qenë me fobi ndaj gjuhëve. Regjimi totalitar kishte fobi ndaj kontakteve të njerëzve, fobi ndaj lidhjeve me të huajt, donte të kontrollonte çdo qelizë. Unë ndoqa një kurs një herë në javë, me një broshurë të vogël që quhej Çelësi i gjuhës, ndërsa tani ka libra e fjalorë të tërë. Vetëm në internet ka aq shumë material…
Të kthehemi te përkthimi i Kongolit, sa i vështirë ka qenë ai?
Ka qenë i vështirë, por ka shumë aftësi në gjetjen e fjalëve, të cilat nuk ia gjen dot homologen në gjuhët e tjera. Punën kryesore e ka bërë Tomasi, i cili dëshironte ta ballafaqonte me variantin origjinal në shqip dhe unë e ndihmova. Nuk ishte e thjeshtë për ta përkthyer, por më e lehtë se në gjuhët e tjera. Të gjitha veprat klasike, duke përfshirë edhe Biblën, Dhiatën e Vjetër e të Re janë përkthyer në mënyrë shumë besnike në esperanto, apo dhe vepra filozofike. Esperanto nuk është një gjuhë eksperimentale, por funksionale.
Do të vijojnë përkthime të tjera?
Është në proces përkthimi Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave i Ismail Kadaresë dhe gjithashtu një cikël i plotë me poezi të Luljeta Lleshanakut dhe është marrë leje për përkthimin e romanit I humburi të Fatos Kongolit.
ALMA MILE