E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në aksin Burrel- Klos trupi i pajetë i një gruaje

BURREL- Trupi i pajetë i një gruaje është gjetur mesditën e sotme në afërsi të urës së Luses, në segmentin rrugor Burrel- Klos. Burime nga policia bëjnë të ditur se trupi i pajetë u gjet nga kalimtarë të rastit.

Sipas banorëve të zonës, gruaja rreth 40-vjeçare, ka rënë nga lartësia, teksa mblidhte bimë mjekësore. Momentalisht kufoma ndodhet në morg, pasi nuk është identifikuar ende.

Një ditë më parë një 60-vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal tek kodrat e qytetit të Korçës. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, ndërsa viktima u identifikua si Servet Zavalani. Mësohet se 60-vjeçari ishte shpallur i humbur nga qendra rezidenciale për të moshuarit në Korçë, pak ditë më parë, ku edhe jetonte. Pas hetimeve, policia tha se viktima nuk kishte shenja dhune në trup, dhe vdekja e tij ka shkaqe natyrale.

Mbrëmjen e djeshme një tjetër trup i pajetë u gjet në Shëngjin, në afërsi të pompave të ujit. Viktima nuk është identifikuar ende, ndërsa dyshohet se vdekja e tij ka qenë natyrale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›