E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja shëndetësore e Shpëtim Saraçit drejt përmirësimit të plotë

TIRANË-Kompozitori Shpëtim Saraçi rimerr veten dhe mjekët shprehen optimistë. Këtë lajm na e jep këngëtari dhe kantautori Sidrit Bejleri, mik i kompozitorit të njohur Shpëtim Saraci. Në rrjetin social "Facebook", Bejleri njofton fansat për gjendjen shëndetësore të mikut të tij duke falënderuar për interesin e treguar ndaj artistit. 

“Mirëdita! Në lidhje me shëndetin e mikut të të gjithëve, Shpëtim Saraçi: Gjendja është shumë më e mirë dhe mjekët janë shprehur shumë optimistë për rikuperimin e plotë të mjeshtrit. Faleminderit të gjithëve për lutjet dhe interesimin! Falenderimi i takon Zotit të gjithësisë!!!

Pas disa ditësh kurim në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza”, kompozitori që është diagnostikuar me Ishemi Cerebrale u nis për kurim jashtë vendit, në Gjermani.

Në mes të gushtit, kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi ka qenë i shtruar pranë Shërbimit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".

Mjekët pohuan se Saraçi ka pësuar një ishemi dhe se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të njohur në vend. Kompozimet e tij mbajnë firmën e disa hiteve më të njohura pas viteve '90-të, kënduar nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Vitet e fundit ai ka qenë drejtor artistik i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Ndërkohë që në 2010-ën, kënga e kompozuar dhe orkestruar prej tij, "Kënga ime", e kënduar nga Aurela Gaçe, prezantoi Shqipërinë në "Eurosong".

Ai është i martuar me këngëtaren Mira Konçi dhe nga martesa e tyre kanë lindur dy fëmijë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›