E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeneral Berisha i rrethuar (ose kush do ta shpëtojë ushtar Berishën)

Duke folur para disa kohësh me një militant demokrat, nga ata për të cilët rëndom themi se mendojnë bardhezi, që e shohin pra, të keqen vetëm nga ana e kundërshtarit e të mirën në krahun e vet, e që ishte një nga ata që besonte sinqerisht dhe pa interes, të paktën në kohën kur fliste me mua, se Berisha e kishte seriozisht e sinqerisht luftën kundër korrupsionin, më bëri përshkrimin e një Berishe të rrethuar.

“Ai është i rrethuar nga institucione të kapura nga krimi”, - më tha. Në momentin kur do të sulmojë prokurorin (kupto Sollakun), që ka qenë një nga mbrojtësit kryesorë të krimit, atë e sheh të sulmuar menjëherë nga prapa: Presidenti mënjanë (në atë kohë Moisiu), opozita në anën tjetër, shumica e mediave gjithashtu. Në momentin kur ai sulmon mediat e përdorura nga pronarët (kujto sulmet për “Top Channel”), atë e sulmojnë përsëri thuajse të tërë aktorët institucionalë, me akuzën se po shtyp lirinë e fjalës dhe informacionit. Në momentin kur kërkon të formalizojë biznesin, përsëri gjendet i kundërsulmuar nga të gjitha forcat e shumta të ekonomisë informale të lidhura me opozitën. Por edhe brenda partisë së tij ai është i rrethuar nga shumica që nuk e shohin partinë, veçse si instrument për përfitimet e tyre personale. Ata që e sulmojnë si rrezik autoritarizmi, - vazhdoi, - e ngatërrojnë me Berishën e periudhës së tij të parë të viteve 92- 97, por ai është tjetër sot, është i rrethuar”.

Duke e futur në analizë këtë institucion të tij, nuk mund të mos i jepje të drejtë kur thoshte se s’kishim të bënim me Berishën e fuqishëm politikisht të viteve 92-97-ës për një arsye: së pari, atëherë ai kishte një mbështetje të lartë popullore, pasi kishte ardhur në pushtet me 70 për qind të votave; së dyti, kishte një opozitë shumë të dobët; së treti, mundësinë e kontrollit të shtetit me SHIK e polici; së katërti, kishte në duart e tij median kryesore, TVSH-në (në mungesë të mediave private); së pesti, kishte pushtet ekonomik (në mungesë të një pushteti ekonomik të zhvilluar). Kurse Berishës së 2005-ës i mungonin të tëra këto, për të mos thënë se shumicën e këtyre faktorëve e kishte kundër. Ai kishte kundër shumicën e mediave private, shumicën e bizneseve që janë të lidhur me PS-në, një opozitë shumë të fortë, e cila nuk është thjesht opozitë, por ka pushtetin lokal në kryeqytet. Kishte kundër prokurorinë, Presidentin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Militanti ngulmonte të thoshte pra, se për Berishën e posariadhur në pushtet mund të thuhej gjithçka, duke pasur parasysh periudhën e tij të parë: se ishte autoritar, personalizues institucionesh e më the të thashë, por se ishte i pakorruptueshëm. Një miti ky i fortë, që shumëkënd e bënte të mendonte se edhe në pozicionin e një komandanti ushtrie të rrethuar nga ushtritë armike, madje edhe nga ajo e vetja, ai mund të triumfonte. Shumë kanë besuar në këtë mit, madje edhe opozita vetë, e cila kur ka ngulmuar se ishte e gatshme të priste me durim katër vjetët me një kryeministër tjetër të PD-së, por jo me Berishën, kuptohej qartë se hallin e kishte mu tek antikorrupsioni i Berishës, sepse vetëm atij i trembej tek PD-ja se mund t’i hapte me gjithë mend dosjet e socialistëve të korruptuar?

Ç’mund të thuhet sot pas tre vjetësh, veçanërisht pas Gërdecit? Sot nuk mund të thuash më se Berisha ka kundër Presidentin, kryeprokurorin apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë, madje as shumicën e mediave private: as se ka kundër shumicën e bizneseve. Madje edhe me opozitën duket se i ka punët në vijë. E megjithatë, sot ai është më i dobët se kurrë ndonjëherë për të luftuar korrupsionin, për të mos thënë se Gërdeci i dha një goditje fatale. Paradoksalisht, ai është kaq i dobët, pikërisht sepse është kaq i fortë. Në fakt, gjeneral Berisha është kaq i dobët, ndonëse është çliruar nga rrethimi i shumicës së armiqve të sipërpërmendur, sepse nuk ka më me vete ushtar Berishën dhe dobësia e tij vjen pikërisht sepse, për t’u “çliruar” nga rrethimi, i është dashur të sakrifikojë ushtar Berishën. Po cili është ky ushtar Berisha? Ushtar Berisha në fakt është një fantazmë që nuk e dimë nëse ka ekzistuar ndonjëherë me të vërtetë. Është ndoshta pikërisht ai që gjeneral Berisha kërkoi të imitonte më 1992, kur pasi u zgjodh president, vendosi të qëndronte në shtëpinë e tij të thjeshtë, në vend se të shkonte në vilën presidenciale. Ndoshta është ajo hija e edukimit komunist, që shumë i ka bërë të besojnë se këta komunistët të gjitha të këqijat mund t’i kenë, por robër të lekut megjithatë nuk janë. Në fakt, ushtar Berisha është ai që adhuronte militanti kur ma përshkoi Berishën të rrethuar. Ushtar Berisha është ai që mbante gjallë atë pjesë të opinionit që ende shpresonte, apo që gjakonte të shpresonte, se ai mund të ndëshkonte të korruptuarit dhe ta fuste politikën në hulli të ndershmërisë. Ushtar Berisha ishte ai që mbante gjallë shpresën e njerëzve për pastrimin e shtetit nga mashtruesit e vjedhësit. Në fakt, i rrethuari i vërtetë sot është ushtar Berisha, ose më saktë kjo shpresë që kishin njerëzit tek njeriu që i vunë emrin Berisha. Kurse gjeneral Berisha ose Berisha real është pjesë e rrethimit të egër kundër tij. Sot, kur të gjithë protagonistët e kësaj klase politike janë pjesë e rrethimit, çështja shtrohet më dramatike se kurrë, se kush do ta shpëtojë ushtar Berishën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›