E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Flaka Olimpike

Forcave të sigurisë në Paris iu desh që të shuanin dy herë Pishtarin Olimpik. Më pas ata e vunë atë në një autobus, për ta mbajtur të sigurt mes protestave antikineze, gjatë stafetës së pishtarit. Pishtari u përcoll mes masash të rrepta sigurie, ndërsa qindra protestues kishin mbushur rrugët e kryeqytetit francez. Ata protestonin kundër veprimeve të Kinës në Tibet dhe çështjeve të tjera, si Darfuri dhe liria e shtypit. Protestat në Paris ndodhin një ditë pasi protestuesit ndërprenë rrugën e pishtarit nëpër Londër. Autoritetet kineze i kanë denoncuar protestuesit, si separatistë që duan të sabotojnë.

Jep dorëheqjen strategu i fushatës së Hilarit

Mark Pen, strategu i kandidates demokrate Hilari Klinton, dha dje dorëheqjen, duke i dhënë një goditje të rëndë fushatës së saj elektorale. Pen u largua nga ky rol, pasi u mësua se ishte takuar me zyrtarë të qeverisë kolumbiane, për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë që kundërshtohej nga Klinton. Mark Pen është i njohur si një nga arkitektët kryesorë të pjesës më të madhe të fushatës elektorale të zonjës Klinton deri më sot. Pen u fut në telashe, pasi u takua të hënën e kaluar me ambasadorin kolumbian në Uashington, për të diskutuar lidhur me aprovimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, që Hilari Klinton e kishte kritikuar hapur gjatë fushatës elektorale. Pen kërkoi ndjesë të premten dhe tha se takimi kishte qenë një gabim. Një nga ndihmësit e fushatës së zonjës Klinton tha se ai kishte vendosur të jepte dorëheqjen nga fushata e saj gjatë fundjavës. Pen njihet si një editorialist i shkëlqyer, i cili ka qenë konsulent në fushatat e kaluara elektorale për Silvio Berluskonin dhe Toni Bler. Tani e tutje do të jenë Geof Garin dhe zëdhënësi, Howard Wolfson, që do të koordinojnë “mesazhin strategjik” të fushatës së ish- Zonjës së Parë të SHBA-ve.

Komisioni Evropian hap rrugën e telefonatave në fluturim

Komisioni Evropian ka hapur rrugën për kryerje telefonatash me celular gjatë fluturimit brenda hapësirës së brendshme evropiane. Komisioni miratoi për këtë një paketë rregullash unike, për futjen e sistemeve elektronike në bord, që mundësojnë telefonimin pa rrezikuar sigurinë e fluturimit. Deri më tani telefonatat në bord janë të ndaluar, për shkak të ndikimit në funksionimin e aparaturave në bord. Disa shoqëri fluturimi, si “Lufthansa” apo “Air Berlin” nuk do të lejojnë edhe në të ardhmen telefoninë mobile në bord. Përkundër kësaj, “Air France” ka testuar një model telefonimi në bordin e njërit prej avionëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›