Gjeneralët e pushkatuar, 25 vjet pa varr
Gjykimi politik në Byronë Politike dhe Plenumin e Komitetit Qendror të PPSH-së më 1976, sipas dokumenteve arkivore (AQSH, Dosjet 114, për grupin “puçist” në Ushtri), shoqëruar me gjyqin farsë të togave të zeza, vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rënda për ushtrinë dhe gjithë jetën e vendit, në sistemin komunist të Shqipërisë. Por tragjedia personale e të ndëshkuarve, ishte vetëm njëra anë, pasi kalvari i stërmundimshëm fizik e shpirtëror nuk kurseu as familjet e tyre. Internime, vuajtje fizike, privim nga shkollimi e drama të shumta me flijime, si pasojë e traumave dhe pamundësive për mjete minimale për mbijetesë. Tre gjeneralët e pushkatuar (Balluku, Dume, Çako) mbetën 25 vjet pa varre, ndërsa vetëm interesimi i familjeve të tyre, bëri të mundur gjetjen e varrit të përbashkët e organizimin ceremonisë së rivarrimit.
Afërdita Çako, vajza e gjeneralit të pushkatuar Hito Çako, tregon se vonë, vetëm në prag të gjetjes së eshtrave të Gjeneral Çakos, në vitin 2000, familjarët mundën të mësojnë edhe disa detaje rreth pushkatimit në Linzë të Tiranës, mesnatën e 5 dhjetorit 1975, qëndrimin e Hitos para skuadrës së pushkatarëve dhe një porosi që thuhet se dha Kadri Hazbiu lidhur me vendvarrimin e tre gjeneralëve të pushkatuar. “Por të gjitha këto detaje, që në fund të fundit, për ne familjarët nuk kanë shumë rëndësi, askush nga ata që kanë qenë dëshmitarë apo janë njohur me shkresat, nuk na i ka thënë, por i kemi dëgjuar nga njerëz dytësorë”,- tregon e bija e Çakos.
Vonë, pas kaq vitesh, kur eshtrat e Gjeneral Çakos u gjetën dhe u bë ceremonia e rivarrimit, e bija, Afërdita, ndjen dhimbje edhe për diçka tjetër; një fakt që e ka mësuar shumë vonë: mënyrën e transportimit të kufomave drejt vendvarrimit sekret në Vlorë. Kufomat e tre gjeneralëve të pushkatuar mesnatën e 5 dhjetorit 1975, kanë udhëtuar drejt jugut me një automjet fugon-frigoriferik, në të cilin, në dy faqet anësore dhe faqen e prapme, shkruhej “Mish!”.
Afërdita rrëfen: “...Kishte vite që kërkonim pas 1990-ës, por rikthimi i Mustafait, kushëri i joni në Ministrinë e Brendshme, na i ngjalli shpresat për mundësi më të mëdha për gjetjen e eshtrave të babait... Në rastin tonë, dëshmitari okular i cili mund të na ndihmonte ishte mjeku që kishte firmosur procesverbalin e vdekjes. Mustafai e takon këtë njeri shpejt, i fiton zemrën, e mjeku fillon të flasë. Tregoi se varri sekret është në Vranisht të Vlorës. Mustafai arrin të shtjerë në dorë edhe hartën e mbulimit të krimit në këtë zonë. Mustafai dhe njerëzit tanë marrin rrugën në kërkim të eshtrave në Vranisht, por në udhëtimin e parë, automjeti dhe uniforma e kolonelit lënë te banorët përshtypjen e vajtjes për kontroll policor. Mësojnë të vërtetën e këtij udhëtimit, por asgjë nuk gjendet në këtë kërkim... Ndërsa trazirat e vitit 1997 ndërpresin edhe kërkimet tona për eshtrat e babait. Në vitin 2000, pikërisht më 18 korrik, Mustafai, së bashku me Çlirim Ballukun, që dhe ai kërkonte eshtrat e të atit, marrin automjet të përshtatshëm në ministri, falë edhe gatishmërisë së ministrit Spartak Poçi dhe nisen për në Vlorë. Merret me vete dhe një ekspert përkatës i kësaj ministrie. Me hartë në dorë, fillojnë kërkimet në vendin ku shënohej varrimi i tre gjeneralëve. Në kulmin e lodhjes e rraskapitjes nga vapa, kur po këputej filli i shpresave, vjen ish-kryetari i kooperativës (mbartësi i porosisë së Kadri Hazbiut) dhe tregon një nerënxë, duke thënë që të gërmojmë aty. Këtu, në parantezë, dua të përmend se në familjen tonë, në ceremoninë e rivarrimit, erdhën për ngushëllim dhe dy djemtë e ish-kryetarit, djem të çiltër, të cilët ashtu si dhe ne, janë sot emigrantë në Greqi... Na treguan se sa herë binte shi dhe mesi i natës të ishte, i ati i tyre i ngrinte nga gjumi, i detyronte të merrnin kazmë e lopatë e të zgjeronin kanalin e të ndërpritej rrjedha e ujit te nerënxa, ku ishin eshtrat, por që djemtë nuk dinin gjë. Atë pasdite, në kërkimin e eshtrave, aty pranë nerënxës, ndonëse u harxhua shumë mund e kohë, asgjë nuk po gjendej. Përsëri ndjenin nga afër zhgënjim. Dikush tha që të largoheshim, por me sa duket, instinkti i fëmijës që ka dekada pa e para babanë, na mbante ende aty. Thamë të vazhdojmë të gërmojmë, të kërkojmë dhe ca. Këmbënguli më shumë Çlirim Balluku, por ai tha me gojë, atë që zemra na thoshte të gjithëve ne. Dhe ja, gëzimi ynë makabër! Kishim pranë shumë vranishtjotë që punuan, u gëzuan kur i gjetëm eshtrat, por dhe qanë me ne. Vranishti ishte fshati i dashur i babait, që nga lufta e më pas, e ai e ruajti tim atë për 26 vjet, në një pjesë të truallit të tij!”.