E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përllaku: Si na vunë prangat dhe terrorizuan e internuan familjet tona

Ja si e kujton pas shumë vitesh “fshesën” gjenerali Rrahman Përllaku: Këtu nis “fshesa e hekurt” dhe qilizma në Ushtri” siç e ka quajtur Enver Hoxha. “Fshesa e hekurt” përfshin pastaj eliminimin e shumë oficerëve të funksioneve të larta të pushkatuar, të dënuar siç u dënuam edhe ne, me nga 25 e 20 vjet, dënime që vazhduan nga 1974 deri në 1982. Janë me qindra e mijëra oficerë të shkallëve të ndryshme të dënuar. Dikë e futën në burg, dikë e internuan, të tjerë i nxorën në lirim apo i ulën nga përgjegjësitë e të tjera masa reprezaljesh. Këto nuk na përfshinë vetëm ne, por përfshinë edhe familjet tona. Ne jemi arrestuar më 16 dhjetor 1974, në sallat e Komitetit Qendror, dhe na çuan direkt në burg. Nga 16-31 dhjetor 1974 këta shokët këtu dhe të tjerë, që nuk janë të gjallë, apo janë, u shkuan makinat e internimit te dera e shtëpisë. I shpërndanë në të gjitha zonat. Jo vetëm familjet, por shkuan dhe morën vajzat e martuara. P.sh., vajzën e Sadik Bekteshit e morën nga shtëpia e burrit, jashtë çdo ligji e norme. Kështu bënë me Petrit Dumen dhe me të gjithë të tjerët. Ata futën tmerrin e zhdukën çdo gjë tonën, edhe fisin. Nipat e mi ish-inxhinierë, e pësuan, të tjerët më keq sesa të mitë, reprezalje që shkoi tre breza”.
U ndëshkuan mbi 2 mijë ushtarakë madhorë
Rrahman Përllaku: “Të dhënat janë për rreth 2 mijë të shkallëzuar të formave të ndryshme. Në vendlindjen time thuhet se “nuk pyet Gjallica se sa borë ka Korabi”, se Gjallica ka borën e vet përsipër. Në mënyrë figurative, secili nga kuadrot e asaj kohe të ushtrisë, që u dënuan, kanë mbi vete borë. Ka edhe nga ata si Korabi, që nuk i shkrihet bora kurrë, që janë ata që u pushkatuan, por edhe ne të tjerët mbajtëm peshën tonë. Me kë të bisedosh, këtë e provova kur dola nga burgu dhe më erdhën në shtëpi për vizitë mbi 500 persona, secili nga ata kishte plagët e veta dhe nuk gjen nga ata pa dëborë mbi supe”.
Pushkatimi i tre gjeneralëve
Ja si e kujton pas kaq vitesh gjeneral Rrahman Përllaku, fatin e tre kolegëve të tij të pushkatuar, Beqir Ballukut, Hito Çakos e Petrit Dumes: “E kam të vështirë të flas. Jam i interesuar për të gjetur varret e tyre, por fatkeqësisht është i vetmi regjim që i ka lënë njerëzit pa varr. Edhe gjermani, kur të vriste, të linte të të varroste familja. I vrau diktatura, nuk u gjetën varret, veçse pas shumë viteve. Unë jam ndarë me ta nga salla e gjyqit. Ata mbetën në sallë, mua më ngritën, ata nuk i kthyen më në qelitë e tyre. Ku i çuan, si i çuan, nuk di gjë... Ne nuk duam hakmarrje, duam humanizëm. Është prokurori që duhet të ketë qenë në pushkatimin e tyre”.
Për gjeneralin e njohur Përllaku, momenti i dënimit të tij e tre kolegëve të tjerë gjeneralë (që më pas u pushkatuan), mbetet një nga dramat më të dhimbshme të kalvarit të tij jetësor. Ai ishte prezent kur trupi gjykues kumtoi vendimet, ku dhe ai u dënua jo pak, 3 herë, me nga 25 vjet burgim. Ja kujtimi i tij pas vitesh, lidhur me këtë moment: “Mori vendim gjykata, vendim me pushkatim për të tre, Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon. Mua më dha për tre nene, 3 herë nga 25 vjet burg, 75 vjet, meqë nuk kishte më shumë se 25 vjet, më dënuan 25 vjet. Pas vendimit, nuk di se çfarë u bë me ta.
Pas daljes nga burgu shpresonin shumë te ndihma ime edhe familjet e tyre, por qenka e vështirë kur nuk ke mundësi t’i ndihmosh, dhe të tjerët mendojnë se do t’i ndihmosh...”.
Prodani: Fashizmi kishte 4 burgje, ndërsa në socializëm u bënë 40!
Përveç tre oficerëve të tjerë madhorë të pushkatuar, dhjetëra të tjerë provuan për vite e dekada, tragjedinë fizike e shpirtërore të të qenit banorë të burgjeve më të egra në Europë. Pikërisht në ato burgje që ishin shtuar nga viti në vit, e ata, duke qenë në ingranazhet më të larta të shtetit të kohës, nuk i kishin vënë re. Apo më saktë, nuk e kishin menduar kurrë, se një ditë ata vetë do të viheshin në pranga e në ato qeli të errëta do të kalonin ditë-netët e tmerrshme e të pafundme...
Sipas statistikave zyrtare, gjatë pushtimit fashist në Shqipëri kishte 4 burgje, gjatë atij nazist gjerman 14. Ndërsa gjatë kohës së Enver Hoxhës ato arritën në 40 burgje. Përtej një statistike, ky fenomen është një fakt rrëqethës.
Ndër të dënuarit e Plenumit të 5-të të KQ të PPSH, të vitit 1976, ishte dhe Gjeneral Muhamet Prodani, një nga drejtuesit e njohur të formacioneve partizane në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga kuadrot e aftë që ka dhënë jo pak në ringritjen e modernizimin e ushtrisë shqiptare të pasluftës. Ja si i kujtonte pas shumë vitesh ato momente Gjeneral Prodani: “Fillimisht, me masën e parë, mua më çuan në Shkodër. Fëmijët i kisha nga 2-vjeç, deri në 17-vjeç. Më çuan punëtor marangoz (gjeneralin, komandantin e Korpusit). Shkodra më ka trajtuar më shumë se një gjeneral. Mirëpo informacionet i shkonin Enver Hoxhës. Në një mbledhje të Komitetit Qendror, kur ishin dënuar të gjithë ish-oficerët madhorë të ushtrisë, Enver Hoxha i thotë se na kanë mbetur edhe 4 a 5 gjeneralë me reputacion që mund të na bëjnë hatanë. Të arrestohen edhe ata!”.
“Bombardimi i Blloku”, akuza që prangosi Edip Ohrin!
Në listën e ushtarakëve të ndëshkuar, është dhe piloti i njohur dhe një nga drejtuesit për shumë vite të aviacionit shqiptar.
Edip Ohri: “Si pilot kam kaluar situata nga më të rëndat, por që të arrestohesha nga pushteti im që e kisha sjellë vetë, ngritur vetë, këtë kurrë nuk e prisja. Duke qenë në funksionin e Komandantit të Aviacionit, mua më akuzuan për komplot, për bombardim të Bllokut të udhëheqjes. Mundësitë ekzistonin të gjitha, por mua kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend një gjë e tillë. Me këtë dua të them që bie akuza e sajuar, me të cilën më arrestuan dhe dënuan. U arrestova së bashku me disa shokë të tjerë civilë. Gjykimin tonë e bëri Kolegji Ushtarak. Ata na trajtuan si pjesë e grupit puçist të Beqir Ballukut. Pas 10 vjetëve në burg, ditën që dola dhe po largohesha nga Burgu i Burrelit, ndalova, u ktheva dhe e pashë edhe një herë atë ferr. Nëpër mend më vinin shumë mendime, por kryesore ishte pyetja: Çfarë bëra që më futën në këtë burg, që më shkatërruan jetën, familjen e gjithçka? Tani që dola, ku do të shkoja? Vajzën të divorcuar, nipër e mbesa të dënuar dhe ku çdo gjë duhej ta filloja nga e para e në një moshë tepër të thyer”.
Familjarët e ushtarakëve të dënuar, viktima pa asnjë faj
Ndëshkimi mbi gjeneralët e ushtarakët madhorë, ishte i pandarë dhe nga persekutimi i rëndë për familjet e tyre. Shkatërrimi i familjes dhe i familjarëve të dënuar ishte total. Diktatura ishte e pamëshirshme me vrasjet dhe asgjësimet e një lloji të veçantë. Ajo nuk ndalej vetëm me eliminimin e personave prima, të akuzuar, por persekutonte e shkatërronte breza të tërë, deri në farefis. Referuar statistikave zyrtare e familjarëve të ish-ushtarakëve të dënuar, shtrirja e dënimeve me pasoja tepër të rënda, për Shqipërinë, është ndoshta një rast unikal.
(Vijon nesër)
Gjeneral Përllaku kujton se janë arrestuar më 16 dhjetor 1974, në sallat e Komitetit Qendror dhe i çuan direkt në burg. Nga 16-31 dhjetor 1974, u shkuan makinat e internimit te dera e shtëpisë. I shpërndanë në të gjitha zonat. Jo vetëm familjet, por shkuan dhe morën vajzat e martuara ku ishin me familjet e tyre.
“Fillimisht, me masën e parë,- kujton Prodani,- mua më çuan në Shkodër. Fëmijët i kisha nga 2-vjeç deri në 17-vjeç. Më çuan punëtor marangoz. Shkodra më ka trajtuar më shumë se një gjeneral. Mirëpo informacionet i shkonin Enver Hoxhës. Në një mbledhje të Komitetit Qendror, kur ishin, Enver Hoxha i thotë se, “na kanë mbetur edhe 4 a 5 gjeneralë me reputacion, që mund të na bëjnë hatanë. Të arrestohen edhe ata!”.
“U arrestova,- kujton Edip Ohri,- së bashku me disa shokë të tjerë. Gjykimin tonë e bëri Kolegji Ushtarak, ku u trajtuam si pjesë e “grupit puçist” të Beqir Ballukut. Pas 10 vjetëve në burg, ditën që dola dhe po largohesha nga Burgu i Burrelit, ndalova, u ktheva dhe e pashë edhe një herë atë ferr. Nëpër mend më vinin shumë mendime, por kryesore ishte pyetja: Çfarë bëra që më futën në këtë burg, që më shkatërruan jetën, familjen e gjithçka?”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›