KLSH: Dëmi 100 milionë euro
Zbardhet raporti që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar në Prokurorinë e Përgjithshme
Ministria e Transporteve shkaktoi dëm financiar në segmentin Rrëshen-Kalimash në 100 milionë euro
"Çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 për qind, deri në 778 për qind më të larta"
Shkelje dhe abuzime të mëdha financiare ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit në rrugën Rrëshen-Kalimash, ndërsa raporti voluminoz është dërguar në Prokurori, bashkë me një listë akuzash penale dhe civile për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Referuar raportit, dëmi financiar shkon në 100 milionë euro, duke qenë sa ¼ e kontratës (420 milionë euro është kontrata e qeverisë me "Bechtel&Enka") së segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Hetimeve të prokurorisë dhe Parlamentit për këtë segment rrugor i shtohet edhe ky raport i rëndësishëm teknik, që nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është lancuar si më profesionali gjatë këtyre viteve. Raporti i KLSH-së është prej ditësh në tryezën e kryeprokurores Ina Rama, prej së cilës pritet edhe një vendim për ecurinë e mëtejshme të hetimeve, në shënjestër të të cilave është ministri pa imunitet, Lulzim Basha. Tashmë, akuzave të opozitës dhe kritikave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i shtohen edhe akuzat e KLSH-së, institucionit qendror të specializuar për kontrollin në vend.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një seri shkeljesh dhe parregullsi në procedurat e ndjekura për segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Raporti i kontrollit i është dërguar Prokurorisë dhe nuk është bërë publik. Në të cilësohet me shkelje kontrata e lidhur me kompaninë "Bechtel-Enka", e cila, thuhet aty, ka sjellë pasoja ekonomike sidomos në çmimet dhe volumet e punës të përllogaritura nga kompania e që shkojnë, sipas Kontrollit, në 52 milionë euro. Ndërsa 49 milionë të tjera janë taksa që autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër t'i paguajnë për llogari të kompanisë ndërtuese. Kontrolli i Shtetit ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Rrugëve. Një tjetër zë, këtë herë i specializuar, u shtohet dyshimeve mbi shkeljet dhe abuzimet me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës më të rëndësishme dhe projektit më të madh infrastrukturor të ndërmarrë ndonjëherë nga Shqipëria. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë publik, por i është dërguar Prokurorisë, nxjerr në pah një seri momentesh që sipas këtij institucioni, përbëjnë shkelje. Kontrolli ka nisur në prill dhe ka përfunduar në nëntor të vitit të shkuar. Sipas raportit, një kopje të të cilit "Zëri i Amerikës" ka mundur ta sigurojë dhe bëjë publik, problemet kanë shoqëruar të gjithë procesin, që nga nisja e tij me procedurat e ndjekura, deri te zbatimi dhe vonesat e ndryshme, me një kosto paraprake për shtetin shqiptar deri në 100 milionë euro.
Një pjesë e mirë e shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë ato të vërejtura dhe nga Prokuroria, por që nga përfaqësuesit e shumicës dhe ministri Lulëzim Basha, i cili në 2006 mbulonte Transportet, ato u quajtën të pavërteta, si akuza me një synim politik. Sipas një renditjeje kronologjike, problemet nisin që në fillim. Ndërsa po zhvillohej gara për firmën projektuese, në korrik 2006 nisin procedurat për firmën konsulente për përgatitjen e termave të prokurimit, konkurrimit, përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës së ndërtimit, e cila iu dha direkt shoqërisë holandeze "Ecorys Group". Realizimi i tenderit pa projektin e zbatimit, konsiderohet si shkelje me aktet ligjore shqiptare. Por ende pa u nënshkruar kontrata me këtë shoqëri, që duhet të përgatiste tenderin për ndërtimin, qeveria e shpall të hapur këtë garë e cila fitohet nga konsorciumi amerikano-turk "Bechtel & Enka". Kontrata me një vlerë prej 420 milionë eurosh, nënshkruhet sipas një modeli ndërkombëtar. Ajo është me çmim për njësi pune dhe me modelin projekto-ndërto. Negocimi i çmimeve është bërë nga "Ecorys Group", por Kontrolli i Shtetit thekson se nuk ka gjetur asnjë dokument mbi fillimin e negociatave apo mbledhjet dhe takimet mes palëve. Këto negociata, gjithashtu, nuk i janë nënshtruar vlerësimit të një pale të tretë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve pretendon se kjo ka ndodhur dhe se ka qenë një kompani sllovene, por kontrolli i shtetit thekson se atij nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument që ta vërtetojë. Nga ana tjetër, sipas raportit, "Modeli ndërkombëtar i Kontratës FiDiC nuk është parashikuar në ligjin shqiptar "Për Prokurimin Publik". "Vetë këto lloj kontratash, nuk mund të zbatohen në kushtet e mungesës së projektit të zbatimit dhe të volumeve të punës", thuhet në raport. Po ashtu, sipërmarrja do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar, por kushtet e kontratës do të interpretohen sipas ligjit anglez. Raporti vlerëson se një kontratë e tillë ka sjellë pasoja ekonomike, kryesisht me çmimet për njësi, që vlerësohen më të larta se çmimet e tregut shqiptar apo çmime jashtë strukturës së legjislacionit shqiptar për kontratat e ndërtimit. Nga krahasimi i 22 zërave të punimeve, që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e aplikuar nga Drejtoria e Rrugëve në segmentin pasues Kalimash-Kukës-Morinë, në vitin 2006, "çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 për qind, deri në 778 për qind më të larta. Disa volume pune, në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit. Për pasojë rezulton një rritje fiktive e kontratës në vlerën rreth 52 milionë euro", thuhet në raport. KLSH, ka kundërshtuar gjithashtu dhënien e 80 milionë eurove në formë paradhënie, ose 19 për qind të vlerës së kontratës, kur ligji shqiptar parashikon vetëm 10 për qind. Po ashtu 13 milionë të tjera, të parashikuara si Kosto e Tërthortë e Kapitalit, sipas KLSH, nuk parashikohet nga legjislacioni shqiptar. I njëjti vlerësim edhe për 1.650.000 euro për tarifën e menaxhimit. Shkelje cilësohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe vendimi për të shmangur nga detyrimet e TVSH dhe Tatimin në Burim për firmën ndërtuese, të cilat kapin një total prej 49 milionë eurosh. Sipas KLSH edhe firmat e ngarkuara për projektin janë favorizuar nga DPRR, e cila ka marrë përsipër pagesën e 10 për qind të Tatimit në Burim, gjë e cila llogaritet si një dëm prej 378 mijë eurosh. Por ndërsa mungesa e projektit ka sjellë një seri pasojash, autoritetet shqiptare nuk e kanë miratuar atë ndonëse firmat e ngarkuara kanë dorëzuar, sipas raportit, draftet e projekteve që në mesin e vitit të shkuar.Për njërin segment ai është kthyer pas. Probleme ka dhe me këto drafte, ku nga oponenca e institucioneve shqiptare del një diferencë prej 4 kilometrash në gjatësinë e rrugës. Vonesat në projekt, sipas raportit, mund të sjellin rritjen e kostos pasi ndërtuesi mund të kërkojë penalitete. Ndërkohë që vetë kompania, sipas raportit, ka vonesa në realizimin e punimeve dhe deri në gushtin e vitit të shkuar kishte realizuar vetëm 10 për qind. E megjithatë, për shkak të hapësirave të kontratës, janë kërkuar edhe afër 142 milionë euro shtesë, gjë që do ta çonte vlerën paraprake të rrugës në 560 milionë euro. Raporti ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Transporteve dhe drejtuesit e Drejtorisë së Rrugëve për shkeljet e konstatuara, por fjala e fundit i mbetet megjithatë drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka në dorë edhe këtë raport, po heton mbi këtë çështje, për të cilën Parlamenti shqiptar në fund të vitit të shkuar miratoi edhe heqjen e imunitetit të ministrit Lulëzim Basha.
Shkeljet e kontratës
1)KLSH: Kontrata e lidhur nga qeveria me kompaninë "Bechtel-Enka" është me shkelje, duke sjellë një dëm ekonomik prej 52 milionë eurosh. Shkeljet në kontratë përfshijnë çmimet dhe volumet e punës të përllogaritura nga kompania. Ndërsa 49 milionë të tjera janë taksa që autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër t'i paguajnë për llogari të kompanisë ndërtuese. Kontrolli i Shtetit ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Rrugëve.
2)Realizimi i tenderit pa projektin e zbatimit konsiderohet si shkelje me aktet ligjore shqiptare. Por ende pa u nënshkruar kontrata me shoqërinë që duhet të përgatiste tenderin për ndërtimin, qeveria e shpall të hapur këtë garë, e cila fitohet nga konsorciumi amerikano-turk "Bechtel & Enka".
3)Kontrata me një vlerë prej 420 milionë eurosh nënshkruhet sipas një modeli ndërkombëtar. Ajo është me çmim për njësi pune dhe me modelin projekto-ndërto. Negocimi i çmimeve është bërë nga "Ecorys Grup", por Kontrolli i Shtetit thekson se nuk ka gjetur asnjë dokument mbi fillimin e negociatave apo mbledhjet dhe takimet mes palëve. Këto negociata gjithashtu nuk i janë nënshtruar vlerësimit të një pale të tretë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve pretendon se kjo ka ndodhur dhe se ka qenë një kompani sllovene, por kontrolli i shtetit thekson se atij nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument që ta vërtetojë.
4)Nga ana tjetër, sipas raportit, "Modeli ndërkombëtar i Kontratës FiDiC nuk është parashikuar në ligjin shqiptar "Për Prokurimin Publik". "Vetë këto lloj kontratash nuk mund të zbatohen në kushtet e mungesës së projektit të zbatimit dhe të volumeve të punës", thuhet në raport. Po ashtu, sipërmarrja do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar, por kushtet e kontratës do të interpretohen sipas ligjit anglez. Raporti vlerëson se një kontratë e tillë ka sjellë pasoja ekonomike, kryesisht me çmimet për njësi, që vlerësohen më të lartë se çmimet e tregut shqiptar apo çmime jashtë strukturës së legjislacionit shqiptar për kontratat e ndërtimit.
5)Nga krahasimi i 22 zërave të punimeve, që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e aplikuar nga Drejtoria e Rrugëve në segmentin pasues Kalimash-Kukës-Morinë, në vitin 2006, "çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 për qind, deri në 778 për qind më të larta. Disa volume pune, në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit.
6)Për shkak të hapësirave të kontratës, janë kërkuar edhe afër 142 milionë euro shtesë, gjë që do ta çonte vlerën paraprake të rrugës në 560 milionë euro. Paradhënia prej 142 milionë euro, vjen pas paradhënies prej 80 milionë euro që u dha nga qeveria pa filluar punimet që në virin 2006.
Në raport bëhet e ditur se çmimet në segmentit Rrëshen-Kalimash janë nga 18.9 për qind, deri në 778 për qind më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006
Raporti
Segmenti i "artë", çmimet 7 herë më lart se tregu
Krahasimi i çmimeve të punimeve të segmentit Rrëshen-Kalimash, është bërë me ato Kalimash-Kukës-Morinë
Çmimet e zbatuara për punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash janë tepër të larta, krahasuar me ato që zbatohen në tregun vendës. Referuar Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, segmenti Rrëshen-Kalimash mund të vlerësohet padyshim si rruga e "artë", nëse i referohemi çmimeve me të cilat kompanitë po kryejnë punimet në këtë aks. Në raportin e KLSH bëhet e ditur se, "nga krahasimi i 22 zërave të punimeve, që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e aplikuar nga Drejtoria e Rrugëve në segmentin pasues Kalimash-Kukës-Morinë, në vitin 2006, çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 për qind, deri në 778 për qind më të larta. Disa volume pune në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit.
Referuar çmimeve të betoneve të aplikuara nga firmat shqiptare, çmimet e paraqitura për punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash janë afërisht 2 herë më të larta. Kështu, referuar çmimeve të punimeve nga kompanitë e huaja, që kanë marrë përsipër të ndërtojnë këtë rrugë, sipas specialistëve, konstatohet se çmimi i betoneve dhe asfaltit është dy herë më i shtrenjtë. Për shtrimin e kësaj rruge, buxheti i shtetit shqiptar do të paguajë 54.85 euro për një metër/katror bazë të stabilizuar me çimento, kur çmimet e aplikuara deri tani nga kompani të ndryshme ndërtuese shkojnë në 2 280 lekë për metër/katror. Edhe përsa i përket shtresave të tjera të asfaltit të rrugës, paraqitet e njëjta situatë. Për shtesën e tapetit, çmimi që do të paguhet për tn është 82.62 euro, ndërsa çmimi aktual në treg sipas specialistëve nuk është më i lartë se 6 100 lekë. Edhe në këtë rast, çmimi i punimeve rezulton të jetë rreth 70% më i shtrenjtë, seç mund të ofrojnë kompanitë e ndryshme që operojnë në treg. Edhe për shtresën e binderit do të paguhet një çmim prej 49.6 euro për tn, kur në treg për këtë punim ofrohet një çmim prej 4 700 lekë për tn. Përsa i përket bazës së trajtuar me asfalt, çmimi i paraqitur për punimet në preventiv është 47.46 tn, nga 3 660 lekë që është çmimi që paraqesin sot kompanitë vendëse, për të realizuar punime të tilla.
Rruga Durrës-Kukës dhe segmenti i artë i saj përsa i përket çmimit Rrëshen-Kalimash, sot i kushtojnë shqiptarëve më shtrenjtë seç janë investimet totale në buxhet gjatë 2 viteve të mbetura të qeverisjes së djathtë. Çmimet me të cilat kompanitë e huaja po realizojnë punimet e kësaj rruge, vazhdojnë që të mbartin me vete shumë enigma, sipas specialistëve të këtij sektori. Në një pjesë të madhe të tyre konstatohet se ka një dyfishim të çmimit pa dhënë asnjë justifikim, duke rritur në mënyrë fiktive koston e këtij projekti që ende nuk dihet se deri ku mund të shkojë. Lista e çmimeve të dyfishuara vazhdon me betonet e ndryshme që do të përdoren në ndërtimin e rrugës, që pritet të lehtësojë lëvizjen midis Kosovës dhe Shqipërisë. Për një metër/katror betonim për kanalet pa hekur brenda Tunelit 25N/mm2 çmimi i punimeve që do të realizohet është 153 euro, ndërsa në treg kompanitë e ofrojnë këtë çmim për rreth 11 395 lekë. Edhe për betonin për tombino çmimi me të cilin do të kryhen punimet është 174.59 euro për një metër/katror, nga 12 876 lekë për metër/katror që ofrohet ky punim nga firma të ndryshme në vend. Lista vazhdon edhe më tej, ku e njëjta situatë me çmimet e aplikuara për ndërtimin e këtij projekti haset në çdo punim që do të realizohet gjatë 3 viteve të ardhshme, për ndërtimin e këtij segmenti të rëndësishëm.