E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Kalimashit rrezikon mbylljen

KUKËS- Tuneli i Kalimashit mund të mbyllet për një periudhë tre mujore pasi në muret e tij janë hasur probleme që kanë nevojë për rregullim. Dy ditë më parë, tuneli është inspektuar nga drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, bashkë me një grup inxhinierësh, ku gjatë mbledhjes së zhvilluar më pas, drejtuesit e kompanisë kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare mbylljen e tunelit deri në përfundimin e plotë të punimeve, për shkak se është hasur në fryrje të pareteve anësore dhe të dyshemesë së tij, në një gjatësi rreth një kilometër. Mësohet se zyrtarët shqiptarë nuk kanë qenë dakord me propozimin e drejtuesve të kompanisë "Bechtel&Enka". Madje ata kanë porositur firmën ndërtuese, që të ketë nën monitorim situatën përgjatë 24 orëve.
Ndërkohë, punimet në galerinë paralele po vazhdojnë me intensitet 24 orë. Punëtorët dhe specialistët kanë hasur në vështirësi në mesin e tunelit, paralel me pjesën e pa betonuar të tunelit që është në funksionim. Kjo zonë ka rezultuar te jetë një formacion gjeologjik i butë dhe ka pësuar shembje të njëpasnjëshme, ndërkohë që edhe dyshemeja paraqet një formacion të butë dhe të lëvizshëm.
Lajmet e përhapura këto ditë në Kukës që kanë si burim personelin inxhiniero-teknik të kompanisë "Bechtel&Enka" për një mbyllje të mundshme të tunelit të Kalimashit duke filluar nga data 15 shtator, nuk konfirmohen as nga ana e kompanisë turke "Savronik", e cila menaxhon tunelin.
"Për mbylljen e tunelit të Kalimashit vendos Ministria e Transporteve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Shkresa për mbyllje vjen tek ne, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë e tillë", - thotë operatori i turnit pranë kompanisë menaxhuese "Savronik". "Drejtori i Rrugëve, madje edhe ministri i Transporteve, vijnë shpesh këtu për të ndjekur punimet. Kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një gjendje alarmante", - tha ai.
Që nga koha e hapjes, tuneli është mbyllur dy herë në kohë të plotë me një afat dy-tre ditor. Tre ditë pas lëshimit të lejes për qarkullim e në vazhdim tuneli i Kalimashit ka filluar me një regjim me kohë të pjesshme, nga ora 23:00 deri në orën shtatë të mëngjesit. Por që nga 29 qershori tuneli i Kalimashit nuk ka funksionuar me kohë të plotë, por me ndërprerje nga ora 23:00-07:00. Ndërprerja e qarkullimit ishte paralajmëruar nga drejtuesit e firmave që punojnë për ndërtimin e tij, që në ditën e përurimit të lëshimit të qarkullimit në tunel që më 25 qershor. Por, për arsye të fushatës elektorale dhe të zgjedhjeve të 28 qershorit kjo do të ndodhte në mbrëmjen e 29 qershorit. Në ditën e përurimit më 25 qershor, tuneli nuk kishte përfunduar plotësisht, ku rreth 1 kilometër kishte mbetur pa u betonuar me beton zbukurimi. Kjo është bërë për arsye se në bazë të kushteve teknike, fazat e betonimeve të mëtejshme kërkojnë një periudhe të caktuar kohore. Në gjatësinë prej një kilometër edhe shtresa e asfaltit pëson dëmtime të njëpasnjëshme për arsye të fenomeneve gjeologjike që ndodhin në këtë pjesë ende të pa betonuar



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›