"Gjenerali...." i magjishëm
Intervistë me dirigjentin Bujar Lapaj
Publiku mirëpret rikthimin e Gjeneralit pas 32 vjetësh. Të katër netët e shfaqjes baleti shoqërohet me duartrokitje.
Javën e kaluar baleti "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" u ngjit për katër net në skenën e teatrit të Operës dhe Baletit. Vepra e interpretuar më parë në vitin 1977 këtë herë erdhi në një tjetër formë.
Koreografët Agron Aliaj dhe Laura Frigato sollën një "Gjeneral..." tjetër. Më simbolik dhe më filozofik. Publiku ka mbetur i befasuar nga fytyra e re më të cilën iu shfaq vepra e Ismail Kadaresë.
Të gjitha netët e shfaqjes janë shoqëruar me duartrokitje të cilat kanë qenë vlerësimi më i mirë që mund t'i bëhej kësaj vepre. Ishte muzika e Nikolla Zoraqit ajo që shoqëroi çdo lëvizje të balerinëve dhe dialogët skenikë të personazheve.
Orkestra e TOB interpretoi nën drejtimin e dirigjentit të ardhur nga Kanadaje, Bujar Llapaj. I larguar prej 7 vitesh nga Shqipëria, dirigjenti tregon për rikthimin në TOB me "Gjeneralin...", dhe karrierën e tij jashtë kufijve.
Z. Bujar urime për shfaqjen "Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Mund të tregoni se çfarë ndjesish ju përcolli?
Ishte një shfaqje e mrekullueshme. Mund të them që jam shumë i kënaqur nga orkestra. Në të gjitha netët ka luajtur në mënyrë të mrekullueshme.
Megjithatë në sallë orkestra u dëgjua paksa dobët?
Në balet ka shumë momente, që nëse unë do t'i mëshoja krahut më fort edhe orkestra do bërtiste, por do të dilte jashtë kontekstit. Kështu që muzika edhe interpretimi është zbutur për të kaluar në një dimension më njerëzor.
Për të hequr atë madhështinë boshe dhe për t'u bërë më njerëzore, për t'u bërë muzikë më e butë. Në qoftë se njerëzit presin, madhështinë nuk do ta gjejnë në këtë balet. Është më njerëzor më konkret më filozofik.
Çfarë doni të thoni me balet më konkret dhe filozofik?
Unë kam qenë student kur është vënë në skenë gjenerali në 1977, atëherë e ka dirigjuar profesori im Rifat Teqja, natyrisht, në kontekstin e asaj kohe, duke i mëshuar pak "asaj linjës" qoftë në muzikë qoftë në balet.
Ky version vjen pas 32 vjetësh, në një epokë tjetër. Edhe ne që e kemi jetuar atë kohë kemi ndryshuar, gjithë shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Sidomos për brezin e ri vjen në një kontekst jo thjesht modern por në një kontekst më simbolik, vepra e Ismail Kadaresë dhe muzika e Nikolla Zoraqit
Dhe çfarë ka ndryshuar konkretisht?
Është bërë një përzgjedhje nga muzika e baletit, duke hequr ca skena masive që sot do të tingëllonin butaforike, si inaugurimi i fabrikës. Redaktimi muzikor për pjesët që janë përzgjedhur nuk është pjesë e imja. Unë kam bërë kompjuterizimin e muzikës dhe disa redaktime shumë të vogla në orkestracion.
Ajo që është pjesë e imja në këtë balet është interpretimi i muzikës. Këto prerje kanë hequr skena ato që janë quajtur të panevojshme, ndoshta edhe kompozitori po të ishte sot do të ta kishte bërë ndryshe "Gjeneralin...".
Si është e ka ndërtuar nëpërmjet tingujve figurën e Gjeneralit, kompozitori Nikolla Zoraqi?
Skalitja e personazhit të Gjeneralit në muzikë, në shumë momente tingëllon me disonanca. Në atë kohë është quajtur personazh negativ por nuk mund ta quash të tillë. Është një personazh që ka ardhur të mbledhë diçka të mbetur, të mbledhë kocka. Nga një anë duket shumë makabre.
Gjenerali si personazh është skalitur në tipin e marshit, të figurës ritmike të marshit, të pikëzuar. Në këtë balet unë, si muzikant shikoj te Nikolla Zoraqi një diferencë mes asaj që ka bërë te baleti "Cuca e Maleve" dhe këtu. Diferencë në krijimtari, në ndërtimin muzikor të personazheve.
Si do të na e përshkruanit vallëzimin e Gjeneralit në dasmë?
Në pikëpamje të harmonisë me disonancat, në pikëpamje të pjesëmarrjes në ambientin shqiptar është një vallëzim grotesk.
Përpara dasmës ka një vallëzim grotesk, është temë valsi por groteske. Gjenerali paraqitet në këtë kontekst, sidomos në momentin që vjen në dasmë kur do të kërcejë por del jashtë mode.
Po momenti i dasmës në tërësi?
Dasma është me motive popullore dhe përplasja me gjeneralin e jep pianoja me akromatizma. Përplasja mes dasmës me karakter popullor, me këtë ndërhyrje të gjeneralit, është ndeshja e Nicës me Gjeneralin.
Ajo që ka humbur vajzën me atë që vjen e mbledh eshtrat e atyre që i vranë vajzën. Këtu është edhe momenti kulmor. Melodia popullore dhe futja e ansamblit me muzikën që ka krijuar Nikolla Zoraqi, natyrisht me motive popullore.
Futja e ansamblit ishte një risi në baletin klasik, është e njëjta muzikë, e njëjta partiturë e luajtur jo nga orkestra simfonike por nga ajo e ansamblit.
Unë them se ishte një gjetje e veçantë. Është një thyerje në gjithë këtë dhe e afron paksa më afër. Duket shumë reale ajo dasmë. Është i vetmi moment real i baletit i cili është i gjithi sureal, mund të them në shumë figura. Dhe i jep vlera kësaj shfaqjeje.
Për ju si dirigjent çfarë të veçante ka muzika e Nikolla Zoraqit?
Është nga kompozitorët që zënë vend pa frikë në panteonin e muzikës shqiptare. Ndër ata që unë do të thoshja se krijuan një traditë muzikore deri në vitet '90. Do ta quaja krijimin e shkollës shqiptare, të muzikës profesioniste.
Dhe jo vetëm Zoraqin, se ata janë të gjithë bashkë Prenk Jakova, Çesk Zadeja etj. Të lartësosh njërin dhe të ulësh të tjerë nuk më duket normale, sepse të gjithë kanë kontributin e tyre.
Nikolla Zoraqi ka një kontribut të shquar jo vetëm në muzikën skenike, qoftë të baletit apo të operës, por edhe në muzikën simfonike, koncertale. Nikolla është Nikolla. Më tepër të shfaqur se kompozitorët e tjerë mendoj se ka virtuozitetin. Ka gjetjet harmonike, orkestracionet që janë karakteristike për Nikollën.
Psh po të marrim pentatonin, intonacionet e muzikës së Jugut, që e kanë shfrytëzuar shumë kompozitorë shqiptarë, ndryshe e trajton Nikolla Zoraqi këtu, ndryshe e trajton Çesk Zadeja dhe në të njëjtën kohë janë të dy të mëdhenj.
Ju keni vite që jeni larguar nga skena e TOB. Si ishte rikthimi në vendin e dirigjimit?
Edhe pse nuk kam dirigjuar në TOB për një periudhe 4-5 vjeçare unë nuk kam qëndruar larg orkestrës. Me këta muzikantë kam bërë koncerte në vende të tjera. Të them të drejtën mua më mungon opera. Jo thjesht si institucion por opera dhe baleti si gjini. Opera është diçka e veçantë që unë e kam shumë përzemër. Mbaj mend operën e fundit që kam drejtuar në TOB, "Norma" në vitin 1999.
Pas largimit nga ky institucion sa të vështirë e kishit të ndërtonit një karrierë muzikore?
Jam larguar nga TOB në vitin 2000, dhe në shtator të 2001 krijova, "Neë Filarmoni Orkestra", një orkestër private me muzikantë të zgjedhur nga Opera, Radio dhe Akademia e Arteve.
Kam bërë një sërë aktivitetesh në Shqipëri para se të ikja në 2002. Si koncertin për viktimat e 11 shtatorit në Amerikë, ai quhet dhe koncerti i parë i orkestrës në nderim të viktimave, në 18 shtator të 2001-shit një javë pas tragjedisë.
Orkestra vazhdon të menaxhohet, bazën e ka në Akademinë e Arteve dhe drejtohet nga dirigjentë të ndryshëm. Dhe unë kam ardhur të bëj aktivitete.
Por pas largimit nga shqipëria çfarë ndodhi me karrierën tuaj muzikore.
Në Kanada jam zgjedhur nga orkestra "Ëest Coast Symphony Orchestra". Ishin muzikantët që më votuan për tu bërë dirigjenti i tyre i parë. Këtë orkestrë e drejtoj që prej vitit 2005.
Jam larguar nga Shqipëria në fund të vitit 2002, për arsye të ndryshme që nuk mund ti them. Unë nuk kam dashur asnjëherë të largohem madje nuk e quaj veten të larguar. Këtu ftohem shpesh nga TOB, veçanërisht për të luajtur muzikë shqiptare.
Në Kanada luani muzikë shqiptare?
Në Kanada po mundohem që të përhap muzikën shqiptare. Atje luaj suitën "Vajzat e qytetit të Gurtë", të Çesk Zadesë. Madje janë orkestrantët që kërkojnë të kenë më shumë muzikë shqiptare.
Sezonin që vjen kemi lënë një seancë prove vetëm për leximin e partiturave shqiptare, në mënyrë që të zgjedhin për koncerte.
Mund të na thoni se çfarë i ka tërhequr te muzika jonë që dëshirojnë ta kenë pjesë të programit të tyre?
Është muzikë e bukur, e veçantë dhe profesionale. Ne duke qenë brenda Shqipërisë (pavarësisht se sot hapja është shumë më e madhe sesa dikur), nuk e njohim tamam krijimtarinë e këtij lloji, që bëhet sot nëpër botë.
Unë duke qenë atje dhe duke parë se çfarë lloj krijimtarie luhet nga kompozitorët që janë ende gjallë them me bindje të plotë absolute që kompozitorët tanë kanë krijuar një muzikë mjaft të mirë dhe profesionale.
Duhet të gjejmë mundësitë ta tregojmë këtë muzikë. Duhen gjetur mënyra për ta bërë këtë, për shembull të sponsorizohen koncerte të veçanta të muzikës shqiptare jashtë. Këtu në Shqipëri një pjesë do ta kalosh me qindra herë për të njëjtin publik. Andej kanë kuriozitet për të renë.
Spektakli i mrekullueshëm
Shumë i bukur, i veçantë ishte interpretimi. Sidomos i solistëve por edhe trupa ishte shumë në harmoni. Skenografia ishte shumë e veçantë edhe kostumet gjithashtu, Mira 55 vjeç.
Pjesët teatrale ishin të bukura. Në përgjithësi konteksti ishte shqiptar. Agimi 60 vjeç
Shfaqja ishte shumë e bukur. Më vjen mirë që ka shfaqje të këtij niveli. Agron Alia është Agron Alia, është një personalitet që meriton vetëm respekt dhe nderime, Anida, 40 vjeç.
Ishte një balet ndryshe. kishte dhe aktrim me sa vura re. Më pëlqeu shumë ideja e shiut, që ishte realizuar me ato dritat e vogla. Skenografia ishte e mrekullueshme. Momenti më emocionues për mua ishte rënia e kockave nga lart. Ishte me të vërtetë mbresëlënës. Visi, 26 vjeç
Ishte shumë shfaqje e bukur. Ishin përpjekur të bënin një shfaqje sa më të kohës. Shumicën e kohës nuk kuptohej shumë megjithatë ishte i bukur. Unë kam lexuar vetëm një pjesë të veprës por më pëlqeu shumë baleti. Sidomos balerinët që janë më të njohurit.
Kostumet ishin shumë origjinale sidomos ato të dasmës. Më pëlqeu shumë ndërthurja me ansamblin, ishte shumë origjinale. Nuk mund ta parashikosh që në një shfaqje baleti të TOB-it të jetë edhe ansambli. Skenografia më pëlqeu, më ra në sy sapo hyra, Blerina Duri, 16 vjeç.
Unë kam parë dhe versionin e parë, por ishte më i bukur. Edhe kostumet ishin më të bukura. Skenografia më pëlqeu më shumë.
Pastaj dalja e Agron Alisë ishte e mrekullueshme. Kjo e emocionon më shumë moshën tonë, janë emra të vjetër që ne i kujtojmë me nostalgji. Prania e ansamblit këtu ishte më e madhe se në shfaqjen e parë. Valentina, 50 vjeç.
Shumë i bukur, ishte një bashkëpunim i këndshëm, më pëlqeu shumë. Të dy solistët ishin shumë bukur, ai që luante Gjeneralin akoma më i bukur. Momenti i realizuar më mirë për mua ishte mbyllja.
Ajo vajza me eshtrat, ishte shumë e bukur. Dhe Agron Alia që vajti dhe i hodhi atë mbulesën ishin veshje që kishin të bënin me realitetin shqiptar Flutura 60 vjeç.