Bruksel, Topalli: Në 2010 qytetarët do lëvizin të lirë
Kryetarja e Kuvendit, Topalli, takon Kryetarin e Parlamentit belg
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, takoi dje në Bruksel, Kryetarin e Parlamentit të Belgjikës, Patrick Deëal. Gjatë takimit të zhvilluar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar se e djathta ka si synim që, pas dy vitesh, të realizojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nëpër Europë.
Duke marrë të mirëqenë faktin se, mazhoranca aktuale do të fitojë një tjetër mandat qeverisës, ajo ka deklaruar se ambicia e kësaj qeverie do të jetë që, vitin e parë të mandatit të dytë, të realizojë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
"Unë do të bisedoj personalisht për çështjen e liberalizimit të vizave me përfaqësuesit e qeverisë së Belgjikës, si një prej vendeve më me influencë në BE, dhe që vitin e ardhshëm merr Presidencën e radhës",- tha Kryetari i Parlamentit Belg, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë, kjo e fundit tha se, "mbështetja e Belgjikës është e një rëndësie të veçantë, në një kohë kur ambicia jonë është që, në vitin e parë të mandatit të dytë, të realizojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve"."Kemi nisur dhe do përfundojmë së shpejti procesin e pajisjes me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike.
Të gjithë këto hapa janë në shërbim edhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, që meritojnë të qarkullojnë të lirë në Europë, pjesë e së cilës ndihen",- tha ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit, në takimin me homologun belg.
Topalli vlerësoi mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në procesin e ratifikimit të MSA-së dhe Protokollit të anëtarësisë në NATO.