E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i Gërdecit kushtoi 350 milionë lekë

Përfundimi i hetimit të dosjes voluminoze për shpërthimin e vitit të kaluar, i ka kushtuar çerek milioni euro Prokurorisë së Përgjithshme


Ekspertimet, shpenzimet operative, kanë bërë që hetimi të llogaritet ndër më të kushtueshmit e kryer ndonjëherë

TIRANË- Grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme që hetoi për 12 muaj shpërthimin e Gërdecit, me dorëzimin e dosjes penale para togave të zeza me 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për këtë tragjedi, ka nxjerrë një përfundim material edhe për shpenzimet hetimore të kryer për zbardhjen e kësaj tragjedie. Sipas prokurorisë, hetimi i tragjedisë më të rëndë në historinë e vendit tonë, dhe që zgjati rreth një vit, i kushtoi shtetit shqiptar jo pak para.


Shpërthimi i 700 tonëve barut në fabrikën e demontimit të municioneve, përveç humbjes së 26 jetëve njerëzore, gjymtimin e 300 të tjerëve, dëmin material në banesat për rreth ish-repartit të tankeve që kap shifrën e rreth 16 milionë eurove, humbjen e shtetit shqiptar të rreth..9.6 milionë dollarëve, ka sjellë edhe shpenzimet hetimore të dosjes, që kapin shifrën e majme të rreth 35 milionë lekë te reja.

Në këtë përfundim, kanë arritur prokurorët e çështjes, të cilët në fund të kërkesës për gjykim, kanë renditur edhe shpenzimet hetimore në total të kësaj dosjeje, duke rrumbullakosur në shifrën e 35 milionë lekëve të reja. Kjo shumë, parash, sipas kërkesës për gjykim, është harxhuar në të gjitha veprimet hetimore të kryera nga prokurorët dhe personat e ngarkuar nga institucioni i akuzës për kryerjen e akt-ekspertimeve të ndryshme, veprime operative shpenzime transporti, kancelarie etj. "Në përfundim të hetimeve, është kryer një përllogaritje e shpenzimeve hetimore në total të kryer nga grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, dhe ka rezultuar se hetimi i kësaj dosjeje ka kushtuar 35 milionë lekë të reja. Këto shpenzime, janë kryer gjatë akt-ekspertimeve të ndryshme të kryera nga ekspertë të fushave të ndryshme në vlerësimin e dëmeve, vlerësimin e municioneve, gjendjes teknike të fabrikës së Poliçanit dhe Gramshit, vlerësimin e municioneve e shumë te tjera. Në shpenzimet operative dhe teknike, si punë jashtë orarit zyrtar, letra, shpenzime karburati për automjetet e vëna në dispozicion nga prokuroria dhe shpenzime të tjera",- thuhen nga burimet. Gjithashtu, këto burime theksuan se në gjatë fazës së gjykimit dhe në momentin e leximit të konkluzioneve përfundimtare do të kërkohet që përveç dënimit të të pandehurve me burg për veprat penale për të cilat akuzohen, edhe detyrimet financiare të shpenzuara nga prokuroria gjatë të hetimit dhe gjykimit t'iu ngarkohen të 29 të pandehurve. Shuma mund të përpjesëtohet mes palëve. Ndërkaq, burimet nga Avokatura e Shtetit bëjnë të ditur se brenda kësaj jave do të paraqitet pranë Gjykatës së Lartë edhe padia civile ndaj shoqërisë "Albademil", për detyrimet ndaj shtetit për dëmet e paguara nga qeveria për banorët e dëmtuar. Mësohet se vlera monetare që do t'i kërkohet shoqërisë "Albademil", si përgjegjësja kryesore e këtij shpërthimi kap shifrën e 16 milionë eurove. Shumë kjo e paguar nga qeveria për dëmtimet e banesave të banorëve. Gjithashtu, pranë Bashkisë së Vorës mësohet se janë afishuar njoftimet, ku ftohen të gjithë banorët e dëmtuar nga ky shpërthim të përgatisin kërkesë paditë civile ndaj të pandehurve që janë nën akuzë si përgjegjës për këtë tragjedi me pasoja njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Sipas prokurorisë, të premten e kaluar institucioni i akuzës ka depozituar pranë Gjykatës së Lartë, dosjen penale me 81 fashikuj hetimorë në ngarkim të 29 të pandehurve, për të cilët shumë shpejt do të caktohet edhe trupa gjykuese që do të shqyrtojë këtë dosje penale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›