E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani pret Thaçin: Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Kosovën

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune.

Siç njofton zyra e shtypit e Presidencës, kreu i shtetit Nishani vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Mësohet se presidenti Nishani shprehu angazhimin për të mbajtur hapur institucionalizimin e një dialogu politik intensiv në nivelet më të larta dhe siguroi se, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe gatishmërinë të ofrojë përvojën e saj për proceset integruese.

Presidenti vuri në dukje se ka mbështetur në vazhdimësi bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete fqinje të pavarura e sovrane dhe përgëzoi klasën politike shqiptare të Kosovës për një përqasje racionale ndaj pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, duke pranuar logon e KQZ-së.

Nga ana e tij, kryeministri Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe nënvizoi vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik ndërsa vlerësoi rolin mbështetës të Shqipërisë si të pazëvendësueshëm në procesin e njohjeve, nismave rajonale dhe integrimit të Kosovës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›