Gjenerali, në akuzë për TDC në Gërdec
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme pranoi dje indirekt se është përballur me presione politike, të cilat është dashur t’i shmangë gjatë hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Në mënyrë zyrtare, organi qendror i akuzës reagoi lidhur me akuzat mediatike për mosveprimin ndaj kompanisë ndërtuese të Gërdecit, “Trans Diggining Construction”. Prokuroria tha se ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme ndaj pasurive të Mihal Delijorgjit, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner. Në fakt, vetëm një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, me njoftim zyrtar, Prokuroria konfirmoi bllokimin e pronave dhe llogarive bankare në 900 mijë euro, që ishin gjetur në emër të Mihal Delijorgjit. Para shpërndarjes së deklaratës zyrtare të Prokurorisë, burime nga ky institucion pohuan se me kohë kishin kërkuar të dhëna për pronësinë e kompanisë “Trans Diggining Construction”. “Kërkesa për të dhëna në lidhje me pronësinë e kompanisë është bërë në kohën kur është marrë informacion se ky subjekt kishte vepruar në Gërdec. Por përgjigjet kanë vonuar dhe në informacionin që na është dhënë nuk rezultonin të dhëna në lidhje me persona konkretë. Për këtë shkak nuk ka qenë e mundur thirrja në Prokurori”, sqaruan burimet, para se organi i akuzës të reagonte me deklaratën zyrtare.
Gjenerali dhe TDC
Sipas burimeve jozyrtare, punimet e kompanisë “Trans Diggining Construction” në Gërdec ishin kryer pa incidente, ndërsa urdhri ishte dhënë verbalisht nga gjenerali Shpëtim Spahiu. Sipas akuzës, hetimi kishte përfshirë pikërisht urdhëruesin e shembjes së ish-repartit, megjithëse janë kërkuar në kohën e duhur të dhënat për kompaninë “Trans Diggining Construction”. Në të njëjtën linjë me burimet jozyrtare, deklarata e zyrës së Kryeprokurores Ina Rama thekson se, “Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me ngjarjen e Gërdecit. “Për sa bëhet fjalë në media, prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë”. Një pohim i tillë i Prokurorisë, i referohet në fakt akuzës për “shpërdorim detyre nga ushtaraku”, që është ngritur ndaj ish-Komandantit të Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiut.
Provat e dosjes
Dokumentet e marra nga Prokuroria që në tetor 2008, tregojnë se gjenerali lejoi me urdhër verbal kompaninë “Trans Diggining Construction” të kryente punime për fabrikën e çmontimit në Gërdec, duke shembur ish-repartin ushtarak të tankeve. Duke theksuar faktin se urdhëruesi i punimeve në ish-repartin ushtarak të Gërdecit, tashmë është në bankën e të akuzuarve, Prokuroria hodhi poshtë pretendimet ndaj saj për mosveprim në lidhje me veprimet e kryera prej kompanisë “Trans Diggining Construction”.
Duke iu referuar procedimit penal nr.3 të vitit 2008 në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gërdec, “e ndjejmë për obligim për të sqaruar publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, Prokuroria ka realizuar një proces të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Aksionerët
Kompania e gërmimit të dherave “Trans Diggining Construction” është krijuar në shkurt 2006 me pesë aksionerë, ku bënin pjesë Mihal Delijorgji, vëllai i tij Kristo, Henris Balliu, vajza e botuesit Fahri Balliu si dhe dy pjesëmarrës të tjerë në aksione. Kjo kompani ka ndërtuar fabrikën ku më pas subjekti i Delijorgjit, “Albademil”, bëri demontimin e municioneve.
Gjykimi
Prokuroria si përfaqësuese e akuzës si dhe të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës janë në pritje të datës 4 maj 2009, kur Gjykata e Lartë ka caktuar seancën e parë për dosjen “Gërdeci”. Fashikulli voluminoz është dorëzuar në Gjykatën e Lartë më 13 mars 2009 pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e një viti më parë, që shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur rëndë.
Dokumentet e policisë ushtarake: Kompania private po shemb repartin me urdhër verbal
TIRANE – Dy dokumente, të cilat janë përfshirë nga Prokuroria e Përgjithshme në dosjen “Gërdeci”, konfirmojnë angazhimin e kompanisë “Trans Diggining Construction” në punimet që janë kryer në ish-repartin ushtarak për llogari të aktivitetit që Mihal Delijorgji ngriti aty më pas. Dokumenti i parë është një raport i Policisë Ushtarake dërguar ish-shefit të Shtabit, Luan Hoxha dhe ish-ministrit Mediu, ku thuhet se firma private “Trans Diggining Construction” kishte filluar punimet në ish-repartin e tankeve në Gërdec, me urdhër verbal nga Shpëtim Spahiu, duke shembur terrenet sportive dhe infermierinë. Dokumenti i dytë, i gjendur po ashtu në dosjen “Gërdeci”, është një shkresë e komandantit të brigadës ajrore, Astrit Jaupi, i cili i kërkon gjeneral Shpëtim Spahiut të bëjë urdhër me shkrim në lidhje me punimet që po kryheshin me urdhër verbal të tij firma “Trans Diggining Construction”. Të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit treguan se kompania në fjalë, ku bashkëpronar ishte edhe Delijorgji, i kishte shpëtuar bllokimit nga Prokuroria.