E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna vizitë djalit në burgun e Vaqarrit, kapet me hashash

 

TIRANE - Nëna e dy djemve me precedentë penalë për shitje lëndësh narkotike u kap me hashash në burgun e Vaqarrit, në pritje për të takuar të birin, i cili ndodhet duke vuajtur dënimin. Antidroga e Tiranës ka nisur procedim penal për 54-vjeçaren Violeta Gjonçaj, pas informacionit të marrë nga policia e burgut të Vaqarrit, se gjatë kontrollit fizik asaj i ishte gjetur e fshehur në rroba 1.2 gramë bimë narkotike. Ndërkohë, sipas burimeve nga policia, gruaja ka mohuar faktin se po ia çonte drogën djalit që ishte në burg, duke thënë se e kishte harruar të fshehur, por në fakt e kishte për djalin tjetër që kishte dalë nga burgu, Marsel Gjonçajt. Burime nga policia treguan se droga e fshehur nga 54-vjeçarja është zbuluar në dhomën e pritjes, ku Violeta po priste të takonte të birin, 30-vjeçarin Klodian Gjonçajn. Dje në orën 14:00, Violeta Gjonçaj ka shkuar te burgu i Vaqarrit, ku kishte datën e takimit me të birin, Klodian Gjonçaj, i cili ndodhet aty për shitje lëndësh narkotike. Ajo ka kaluar kontrollin e burgut pa u vënë re nga gardianet, por nuk i ka shpëtuar një kontrolli të dytë, pas dyshimeve për një objekt të ndaluar, që gardianet mendonin se ajo kishte fshehur në rroba. Në kohën kur 54-vjeçarja ndodhej në dhomën e pritjes, për të takuar të birin, ajo i është nënshtruar një kontrolli të dytë dhe i është gjetur 1.2 gramë bimë narkotike kanabis sativa. Menjëherë policia e burgut ka lajmëruar Antidrogën e Tiranës dhe gruaja është shoqëruar për të dhënë shpjegime në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Gjatë deklarimeve që ajo ka dhënë para oficerëve të policisë, Gjonçaj e ka mohuar se drogën do ia jepte djalit që kishte në burg, por e kishte për djalin tjetër dhe e kishte harruar të fshehur. Ndërkohë sipas policisë dy djemtë e 54-vjeçares janë persona të skeduar në dosjet e policisë, si persona të përfshirë në shitje lëndësh narkotike. Aktualisht në burgun e Vaqarrit ndodhet djali i saj Klodian Gjonçaj, 30 vjeç, i cili në vitin 2006 është arrestuar së bashku me mikun e tij në rrugën “Gjin Kuqali”, ku u janë gjetur 4 gramë heroinë. Ndërkohë djali tjetër i saj, Marsel Gjonçaj, i cili e ka përfunduar dënimin, ka qenë arrestuar në vitin 2003 për të njëjtën akuzë, si i vëllai që ndodhet në burg.                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›