E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi-Liverpul, magji në Londër



Pa dy kapitenët respektivë, Terri për Çelsin e Xherard për Liverpulin, e me gafa të shumta të portierëve nga dy kampet, sfida në “Stamford Brixh” midis dy skuadrave angleze ishte e tëra për t’u shijuar, plot tetë gola: 4-4, por me festën madhështore të Çelsit, që mbërriti në gjysmëfinale.
Fabio Aurelio shënoi në minutën e 19-të nga goditja e lirë, nga një distancë e largët rreth 30 metra, pas faullit të fituar nga Dirk Kajt pas ndërhyrjes së gabuar të Frenk Lampardit. Në fakt, duke qenë shumë larg mbrojtja e Çelsit nuk i kushtoi shumë vëmendje, por vendosja e dalja e gabuar e portierit Çeh i kushtoi londinezëve pësimin e golit të parë. Pas vetëm dhjetë minutash,
Ksabi Alonso dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë në minutën e 28-të. Një tjetër ekzekutim nga goditja e lirë e Fabio Aurelios, që indirekt solli edhe situatën e 11-metërshit, kur mbrojtësi i Çelsit, Branislav Ivanoviçit, serbi që shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Bluve në ndeshjen e parë, rrëzoi Xavi Alonson brenda zonës. Mesfushori spanjoll goditi saktësisht, duke e hedhur portierin çek Petr Çeh nga ana tjetër. Rezultati i përgjithshëm shkoi në 3-3, por me avantazhin e Çelsit falë dy golave të realizuar në transfertë. Pjesa e dytë nisi nën shenjën e “bluve”, ku në golin e parë të tyre pati faj tërësisht portieri i Liverpulit, Pepe Reina. Nikolas Anelka lëshoi një top për Didier Drogba brenda zonës së vogël, sulmuesi i Çelsit devijoi me majën e këmbës, ndërkohë që Reina e shtyhu në rrjetë. 1-2 në minutën e 51-të. Pas gjashtë minutash, një kryevepër e brazilianit Aleks, i cili shënoi me një gjuajtje spektakolare nga 30 metra, duke barazuar në shifrat në 2-2 dhe ato të përgjithshme në 4-2 për Çelsin. Lampard në të 71’ çoi shifrat në 3-2, por Lukas në të 81’ e Dirk Kajt në të 83’, përmbysën shifrat në 4-3 për Liverpulin. Drama ishte e madhe për trajnerin Gus Hidink, por kapiteni Frenki Lampard shënoi golin e barazimit 4-4 në minutën e 88-të, duke e çuar Çelsin në gjysmëfinale.
Në çerekfinalen tjetër, takimi ishte një formalitet. Bajerni barazoi 1-1 me Barcelonën. Francezi Frenk Riberi shënoi në minutën e 47-të, i cili pasi mori një pas nga Ze Roberto, dribloi duke hyrë në zonë e firmosur golin. Keita barazoi për Barcelonën në minutën e 73-të. Në takimin e parë Barcelona kishte fituar 4-0. Në gjysmëfinale do të përballen Barcelona me Çelsin.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›