Gjinushi: Nuk kërkojmë votën me premtime
Kryetari i PSD-së vijoi dje takimet me strukturat socialdemokrate në Qarkun e Tiranës, në Kavajë dhe në njësinë 10. Në këto takime, Gjinushi u shpreh se tiparet kryesore të kësaj force në këto katër vjet janë të tilla që ne meritojmë të kërkojmë votën e votuesve të majtë dhe të votuesve të zhgënjyer në tërësi. "PSD hyn në ato parti të pakta që nuk e kërkon votën thjesht me premtime, por duke thënë se çfarë ka bërë në momentet kyçe dhe çfarë tiparesh ka treguar ajo realisht me veprimet e saj në politikë. PSD ka treguar se e lufton korrupsionin dhe kur është pjesë e pushtetit dhe kur është në opozitë", u shpreh Gjinushi. Më tej, ai u shpreh se PSD ka treguar që respekton mandatin me votuesit dhe njëkohësisht ka qenë faktor i bashkimit të së majtës dhe jo i ndarjes. "PSD nuk e ka parë luftën për pushtet thjesht për interesa partiake dhe në funksion të kësaj nuk ka provokuar çarje dhe ndarje të së majtës", shtoi kreu i PSD-së. Gjinushi përfundoi duke u shprehur se "PSD ka treguar që nuk implikohet me korrupsionin, pra është gjithmonë pjesë e luftës dhe jo pjesë e korrupsionit".