Gjenocidi kërkohet në Muzeun Kombëtar
Një pavijon i ri për gjenocidin që është projektuar të çelet në MHK, ku për objektet me vlera muzeale do të shfrytëzohet Arkivi i Shtetit si dhe koleksione të të përndjekurve
Si do të jetë pavijoni i gjenocidit që është projektuar të jetë pjesë e asaj pjese të historisë së Shqipërisë që do të ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar? E ideuar që në vitin 2010 pavijoni i Gjenocidit do të realizohet brenda 6-mujorit të parë të 2011-ës. Në një kohë që ky pavijon është ende në statusin e projektit, muzeologët dhe arkitektët kanë bërë tashmë ndarjen e punëve. Për pavijonin e gjenocidit Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka lëvruar pak ditë më parë një fond prej 5 milionë lekësh. Pavijoni do të jetë në katin e tretë dhe do të zërë një hapësirë rreth 700m2. Për këtë pavijon është ngritur grupi i punës, ku janë përfshirë muzeologë të Muzeut Historik Kombëtar dhe arkitektë, ndërkohë që është kërkuar edhe bashkëpunimi i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, të cilët do të jenë në rolin e konsulencës për ngritjen e këtij pavijoni. Por pjesë më e vështirë nuk është dhe aq përgatitja e sallës, që tashmë është në proces e sipër, por seleksionimi i objekteve me vlerë muzeale, që do të bëhen pjesë e ekspozitës. Për këtë qëllim po shfrytëzohen arkivat e shtetit dhe Arkivi i Ministrisë së Brendshme. “Për këtë pavijon është ngritur një grup pune me specialistë të Muzeut Historik Kombëtar. Pavijoni i Gjenocidit do të jetë ndoshta një nga pavijonet më të bukur të muzeut.”- shprehet muzeologu Fredi Gusho. Interesant është fakti se ky pavijon, sipas tij, po ngrihet sepse ka kërkesa të shumta që në Muzeun Kombëtar të jetë dhe kjo pjesë e historisë së Shqipërisë. “Pavijonin e Gjenocidit e kërkojnë, sepse kjo është pjesë e historisë sonë, prandaj dhe u vendos që një nga mjediset e Muzeut Kombëtar t’i kushtohet pikërisht Gjenocidit”- u shpreh Gusho. E paralelisht me pavijonin e gjenocidit po punohet dhe me pavijonin e etnokulturës, që konsiderohet shumë i rëndësishëm për nga rëndësia. “Ndërkohë po punohet edhe për pavijonin e etnokulturës. Aktualisht është në përfundim e sipër pavijoni i etnografisë, ku për ndërtimin e tij është punuar në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Popullore, nga i cili janë tërhequr 110 objekte që do të jenë pjesë e këtij pavijoni, që dikur ka ekzistuar por që është prishur.”- shprehet Gusho, që është dhe një nga pjesëtarët e grupit të punës. Pavijoni i etnokulturës është parashikuar të përfundojë pas 4-5 muajve dhe konsiderohet si një nga pavijonet më të rëndësishme në Muzeun Historik Kombëtar. Për pavijonin e etnokulturës, MTKRS-së ka çelur një fond prej 350 mijë dollarësh.