E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i gurtë kërkon muze të rinj

SHKRUAN: Bledar Shehu 14-01-2011 13:31

Disa ditë pas përfshirjes së Shqipërisë në përgjithësi dhe qytetit të Gjirokastrës në veçanti në destinacionet botërore të turizmit, specialistët e trashëgimisë kulturore kanë nxjerrë si domosdoshmëri çeljen e muzeve të rinj në qytet. Për specialistët e turizmit renditja e Gjirokastrës në destinacionet turistike botërore të rekomanduara nga CNN për viti 2011 krahas promovimit të qyteti të UNESCO-s, sjell edhe detyrime për organizmat e ndryshëm përfshirë edhe ata shtetërorë. Megjithëse qyteti i Gjirokastrës është pjesë e UNESCO-s dhe një element i preferuar në guidat turistike, në kontrast me vlerat historike, arkitektonike dhe kulturore që mbart, aktualisht ka vetëm dy muze. Përpara viteve ‘90 në qytetin e Gjirokastrës vizitorët vendas dhe të huaj, grupet turistike që mbërrinin në atë kohë në qytetin e gurtë kishin mundësinë të vizitonin 7 muze. Aktualisht qyteti i Gjirokastrës ofron për vizitorët vetëm dy muze: Muzeun Kombëtar të Armëve, të vendosur në mjediset e kështjellës së gurtë dhe Muzeun Etnografik, të vendosur në mjediset e një banese karakteristike në lagjen Palorto, e cila është edhe shtëpia e lindjes së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Aktualisht Muzeu i Armëve vetëm zyrtarisht ka emrin kombëtar, pasi statusi i tij real dhe financimet për të janë në rrafsh lokal. “Ky muze paraqet nevoja urgjente jo vetëm për infrastrukturën e tij, por edhe për rikonstruksionet e ambientit në të cilin është vendosur.”, thonë punonjësit e këtij muzeu. Aktualisht vazhdon puna për çeljen e muzeut “Kronikë në gur” në mjediset e kështjellës së qytetit, por kjo nismë është fare pak në lidhje me domosdoshmërinë që shtron zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm në Gjirokastër. Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›