E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgji, aeroplanë rusë bombardojnë Gorin

Shpërthime në qytetin gjeorgjian të Gorit. Lajmin e ka bërë të ditur Reuters, sipas të cilit nga shpërthimi janë regjistruar viktima. Bombat janë hedhur nga aeroplanët rusë, duke vrarë të paktën pesë civilë dhe plagosur disa të tjerë.

Një fotograf i agjencisë Reuters tha se pas sulmeve me bombë kishte parë pesë trupa dhe katër njerëz të plagosur në rrugë. Ai tha se dy prej të vrarëve ishin gazetarë.

Sipas raportimeve nga terreni thuhet se sulmet me bombë u kryen pa paralajmërim. Të gjitha dyqanet ishin mbylluar, por një grup i vogël banorësh ishin parë në rrugë.

Sulmet me bombë ndodhën para dhe pas nesh", tha gazetari, duke shtuar se disa njerëz janë të plagosur dhe ndodhen në rrugë.

Bush: Nderhyrja ruse, e gabuar Presidenti Bush ka dënuar Rusinë për dërgimin e trupave në Gjeorgji dhe ka bërë thirrje për respektimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë.

Në një deklaratë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pak orë pas kthimit nga vizita në Kinë, zoti Bush tha se veprimet të tilla ishin të papranueshme në Shekullin e 21-të.

Qëndrimi amerikan

"Veprimet e Rusisë këtë javë kanë ngritur një sërë pyetjesh serioze për qëllimet e saj ne Gjeorgji dhe në rajon. Këto veprime e kanë dëmtuar rëndë figurën e Rusisë në botë dhe rrezikojnë marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Europën. Është koha që Rusia ta mbajë fjalën, dhe të veprojë për t'i dhënë fund kësaj krize", tha presidenti Bush.

Presidenti gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, i tha një kanali televiziv britanik se vetëm fjalët nuk e ndihmojnë dot popullin gjeorgjian.

Qëndrimi gjeorgjian

"Mendoj se deklarata e Bushit ishte e fortë, por ne presim veprime konkrete nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimore. Është koha të mos bëhen vetëm deklarata për demokracinë, por të ndërmerren hapa konkrete për mbrojtjen e atyre njerëzve që po vuajnë nga përpjekjet për të jetuar në demokraci", kërkoi presidenti gjeorgjian, Mikhail Saakashvili.

Nga Moska kryeministri rus, Vladimir Putin tha se vendi i tij do ta çojë misionin drejt një përfundimi logjik. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ndihmojnë Gjeorgjinë me kthimin e trupave të veta nga Iraku.

Qëndrimi rus

"Ne do të përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie bashkëpunimi me çdo pjesëmarrës në konflikt, duke përfshirë, natyrisht, edhe palën gjeorgjiane. Është për të të ardhur keq që disa nga partnerët tanë nuk po na ndihmojnë dhe, në fakt, po na pengojnë. Veç të tjerash, dua të përmend ndihmën amerikane për ridislokimin e kontigjentit ushtarak gjeorgjian nga Iraku, duke përdorur praktikisht aeroplane ushtarakë e të transportit në zonën e konfliktit", vërejti kryeministri rus, Vladimir Putin

Aktivitet diplomatik

Në kuadër të diplomacisë intensive për zgjidhjen e krizës, presidenti francez, Nicolas Sarkozy, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, takohet të martën me presidentin rus, Dimitry Medvedev në Moskë.

Zyra e zotit Sarkozy ka njoftuar se, më tej, ai do të shkojë në Gjeorgji për bisedime me Presidentin Saakashvili.

Ka njoftime se udhëheqësit e pesë vendeve ish-komuniste, nga Polonia, Ukraina, Lituania, Letonia dhe Estonia, planifikojne të shkojnë në Gjeorgji për të shprehur solidaritetin e tyre me zotin Saakashvili.

Vetë Moska ka bërë thirrje për bisedime urgjente me NATO-n për të diskutuar në lidhje me konfliktin.

Gjendja në terren

Njoftimet bëjnë të ditur se trupat ruse tani kontrollojnë disa ura dhe rrugë të rëndësishme në Gjeorgji dhe e kanë izoluar kryeqytetin Tbilisi.

Një korrepondent i BBC-së në Tbilisi thotë se forcat gjeorgjiane janë përqëndruar aty në pritje të ndonjë sulmi.

Banorët lokalë i ka zënë paniku dhe kanë zënë radha pranë pikave të karburantit dhe supermarkatave. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›