E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e fjalëve

Pak ditë para se Kryeministri i Shqipërisë të niste turin olimpik në Kinën e largët komuniste, në vendin më të varfër të Europës, ai la debatin e hapur për “punët e shumta” të qeverisë të tij në vitin e tretë. Debati për filozofinë e të bërit të punëve në vend, duhet të nisë në mënyrën se si ish-presidenti i viteve 1992-1997 dhe Kryeministri i tre viteve të fundit e koncepton zhvillimin e vendit.

Askush, madje as pjesa më fanatike dhe regresive e PD-së nuk do të donte të riciklohej Shqipëria e dekadës së parë të viteve’90, sepse nga rrëzimi i shtetit-fantazmë, humbën të gjithë. Kjo nuk e ka penguar Kryeministrin që të implementojë të njëjtën strategji si atë atyre viteve, duke i vënë një lustër të ndritshme fjalëshume për zhvillim dhe prosperitet të vendit. Rasti më i freskët është Gërdeci. Është stërthënë se nuk mund të rinisë jeta në vendin e tragjedisë së 15 Marsit 2008 pa u pastruar zona, të paktën në një rreze prej 800 metra dhe për një afat trevjeçar. E ripërsëriti Ambasadori Amerikan Uidhërs një javë më parë. Qeveria shqiptare që ka nxjerrë nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit, miliarda lekë kompensime, nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për të testuar se sa e jetueshme është zona e fatkeqësisë, madje shkarkoi edhe shkencëtarët e Institutit të Fizikës Bërthamore në Tiranë, të cilën patën kurajën të kërkonin matjen e radioaktivitetit në zonën e kraterit. Kryeministri, me vizitën në Vorë dha mesazhin e qartë: Gërdeci është një gropë që nxin imazhin e qeverisë së drejtuar prej tij, që ende nuk ka fajtorë me kostum politik që kanë shkuar para drejtësisë, por që duhet mbyllur sa më shpejt, paçka se është një vend që nuk mund të jetë i jetueshëm, hë për hë. Një riciklim historie, si ajo e piramidave mashtruese të vitit 1996. Ndërsa donatorët e huaj, të shokuar nga vjedhja e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996, nuk jepnin 100 milionë dollarë, që do të shërbenin për bilancin e pagesave të administratës shtetërore, PD në pushtet, me kryeneçësi fuqizonte dhe u linte hapësira firmave rentiere të shtrinin metastazat e tyre në mesin e shqiptarëve, duke krijuar një iluzion zhvillimi dhe bollëku, ku hahej dhe pihej duke ndenjur këmbë përmbi këmbë, duke mos prodhuar asgjë dhe duke vdekur shpirtin e sipërmarrjes për t’i dhënë liri të çmendur histerisë kolektive të përqindjeve mashtruese.

12 vite më pas Berisha nuk ka më nevojë për 100 milionë dollarë, falë represionit fiskal. Por zhvillimi i vendit nuk përkon me atë djersë dhe mund që shqiptarët po paguajnë. Shqipëria vijon të jetë po ai vendi i paarritshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, sepse është ajo plaga e vjetër: infrastruktura e mjeruar e rrugëve dhe e telekomunikacionit. Berisha është kryeministri i vetëm në botë, që ka përpara hartën rrugore të vendit të tij dhe nuk mund t’u thotë shtetasve të vet se cilën rrugë kombëtare ka mbaruar apo ka vënë për vijë, pas tre viteve në pushtet. Me fjalë ai i ka inauguruar me prerje shiritash disa herë, por të huajt nuk mund të shkojnë as në Vlorë, as në Gjirokastër, as në Pogradec dhe Korçë, as në Verilindjen e harruar, ku pritet, dashtë Zoti, të mbarojë ndonjëherë autostrada Rrëshen-Kalimash-Morinë.

Tashmë, Kryeministri është kthyer nga Kina e largët, ku kërkoi ndihmën e kinezëve për t’i bërë rrugët e Shqipërisë, duke pranuar dështimin e qeverisë së tij për t’i shndërruar miliardat e infrastrukturës në vepra konkrete dhe jo në konto bankare, apo prona të patundshme të tenderfituesve. Kur tw kthehet do ta nisë aty ku e la përpara se të shkonte në Kinë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›