E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgji, indinjatë pas lajmit për pushtimin rus

Opinioni gjeorgjian dhe ai ndërkombëtar kanë kritikuar transmetimin e një lajmi të rremë nga një televizion i Gjeorgjisë, ku flitej për përgatitjen e një pushtimi nga Rusia dhe vrasjen e presidentit Sakashvili.
"Mënyra se si qeveria e trajton popullin është skandaloze. Jam i sigurt se çdo sekondë e këtij programi ka marrë miratimin e presidentit Mikhail Sakashvili. Shumë persona kanë pësuar trauma nga ana psikologjike", deklaroi zyrtarja e opozitës, Nino Burjanaxe.
"çdo fjalë që kishte të bënte me mua ishte një shpifje keqdashëse dhe do të ngre një çështje penale ndaj televizionit Imedi dhe autoriteteve", deklaroi Burjanaxe, e cila drejton partinë Lëvizja Demokratike - Gjeorgjia e Bashkuar.
Duke transmetuar imazhe që tregonin luftën e shkurtër të gushtit të vitit 2008 mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, televizioni Imedi njoftoi dje në mbrëmje se tanket rusë ishin nisur drejt kryeqytetit Tbilisi dhe se presidenti Sakashvili ishte vrarë.
Reportazhi tregonte se disa liderë të opozitës, si Burjanaxe dhe ish-kryeministri Zurab Nogaideli, ishin bashkuar me Rusinë dhe u kishin bërë thirrje ushtarakëve për revoltë. Televizioni Imedi drejtohet nga një bashkëpunëtor i afërt i Sakashvilit.
Ky i fundit, i cili erdhi në pushtet pas një revolucioni popullor në vitin 2003, po ndeshet me një rënie popullariteti për shkak të vendimit të tij për të rimarrë me forcë në gusht të vitit 2008 kontrollin e rajonit separatist të Osetisë së Jugut, që solli si pasojë pushtimin e vendit nga ushtria ruse.
Disa zyrtarë qeveritarë e kanë vlerësuar gjithashtu të papërgjegjshëm transmetimin e reportazhit të rremë dhe televizioni Imedi kërkoi falje për këtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›