E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjilan, mbyllet votimi, pjesëmarrja 41.3%

GJILAN-
Ora: 21:26- Gjilan, mbyllet procesi i votimit
Në balotazhin e përsëritur për kryetar të komunës ne Gjilan, kanë votuar 41.3 për qind e zgjedhësve të regjistruar, njoftoi KQZ sipas raporteve të arritura deri në orën 19.00 kur u mbyllën 127 qendrat e votimit. Rezultatet zyrtare paraprake të votimit pritet të shpallen pas mesnatës.

Kanditatët për kryetar komune, Qemajl Mustafa, i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Fatmir Rexhepi, i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas mbylljes së vendvotimeve deklaruan sonte se do të pranojnë rezultatin e votimit.

Ora: 19:20- Deri në orën 16:00 pjesëmarrja 30.16%
Në balotazhin e përsëritur për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, sot deri në orën 16.15 votuan 30.16 % e zgjedhësve të regjistruar, bëri të ditur Komisioni Qendror Zgjedhor, që tha se nuk ka pasur ndonjë incident me ndikim në procesin zgjedhor.

Nga Gjilani njoftohet se edhe në këtë raund të tretë të votimit në zgjedhjet lokale, pjesë e procesit janë edhe pjesëtarë të komunitetit serb. KQZ paralajmëroi shpalljen e rezultateve pas mesnatës, ndërsa vend-votimet mbyllen në orën 19:00

Në komunën e Gjilanit po votohet sot për herë të tretë për kryetar komune në zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, ku në garë janë Qemajl Mustafa i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Fatmir Rexhepi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjilan, KQZ: Deri në orën 12, kanë votuar 9.89%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se 9.89 % nga gjithsej 87.430 qytetarë me të drejtë vote të komunës së Gjilanit deri në orën 12 kanë hedhur votën në zgjedhjet për kryetar të kësaj komune.

KQZ-ja ka mohuar të ketë marrë ndonjë informacion që flet për parregullsi në procesin e votimit në komunën e Gjilanit.
Kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, ka thënë se në KQZ nuk ka arritur asnjë informatë nga terreni në lidhje me parregullsitë eventuale.

“Në këtë takim pyeta a ka ndonjë parregullsi, a ka ndonjë incident dhe informata, të cilën e mora, ishte se nuk ka. Nëse ndërkohë na vijnë informatat, ato do t’ju japim edhe juve”, ka deklaruar Lushta, duke shtuar se ka dalje në të gjitha vendvotimet, përveç në “fshatin Budrikë, ku deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë votues”.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›