E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë/ KQZ: 30.16% morën pjesë në votime në Gjilan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se deri në orën 16:15 nga 87 mijë e 430 qytetarët me të drejtë vote në komunën e Gjilanit, 26 mijë e 361, përkatësisht 30.16 për qind të qytetarëve kanë dalë për të hedhur votën për kryetar komune.
Këtë e bëri të ditur në konferencën e radhës për mediat, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e cila ka mohuar të ketë marrë informata për ndonjë incident gjatë procesit zgjedhor në komunën e Gjilanit.
"Kjo shifër është më e madhe sesa përqindja e daljes në raundin paraprak, që ka qenë 29.41 për qind deri në këtë orë. Jo, nuk kemi informata për asnjë incident që ka ndikuar në procesin zgjedhor", ka thënë Lushta.
Përfaqësuesit e KQZ-së kanë bërë të ditur se në 2 nga 9 vendvotimet alternative, pra në fshatin Budrikë dhe në Cërnicë, qytetarët nuk kanë votuar fare.
Për kryetar komune të Gjilanit garojnë Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Qemajl Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›