E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjërat e jetës, droga e artit

XHUVANI SKENARIST - Shkroi gjithë jetës skenarë që dolën nga letërsia e tij. Dhimitër Xhuvani, një fat më të mbarë me kinemanë pas vitit '90. Skenarët e tij, mbeten gjysma e suksesit të të birit, regjisorit Gjergj Xhuvani


Është si puna e lisë, po të zuri do të lërë shenja.


Bëhen dyzet vjet nga koha e një dokumentari për tunelin e Bistricës që shkrimtari Dhimitër Xhuvani shkruan skenarë.


Duheshin dyzet vjet që ai të jetë sot një ndër skenaristët më të mirë dhe ndodhi që filmi të fitojë mbi letërsinë. Megjithatë, kur dy gjëra, ose dy forma arti japin e marrin shumë me njëri-tjetrin, shërbimi dhe energjia i mbeten njërës prej tyre. Ngaqë e ka pasur gjithmonë gati një tregim, një roman, një histori, skenaristi u rrit duke u përsosur.


Ka punuar në ish-Kinostudio, në redaksinë e skenarit, por kjo armë e Xhuvanit nuk ka rënë në sy aq sa pas vitit '90-të, kur nisi bashkëpunimin me Gjergj Xhuvanin, të birin regjisor. Bashkë krijuan katër filma prej '89-ës e këtej dhe në dorë kanë një të pestë.
Ishte ndoshta edhe çështje lirie? Edhe çështje lirie ishte.


Ka një humor dinak, aq sa për ta fshehur përvojën e hidhur të lirisë së të shkruarit përballë censurës. "Shtatë hile dhe një trimëri" për Dhimitër Xhuvanin ishte formula që skenari të kalonte portën e shtatë të censurës.


Telashet e Xhuvanit me censurën nuk janë pak të njohura. Nisi me tunelin e Bistricës, me një skenar dokumentari me regji të Viktor Gjikës. Ishte viti '63, koha e veprave të mëdha të klasës punëtore.


Ç'kishte që i qepej këtij tuneli tre vjet më pas, për të shkruar romanin? Ishte një tunel i zi. Kishte vagonë të zinj, kabllo të zinj, çizme të zeza (të punëtorëve), xhupa të zinj. "Edhe kafen e pinim të zezë", thotë Xhuvani. Nga kjo shije shkroi romanin "Tuneli" më 1966. Fill pas tij u degdis për rehabilitim tre vjet, për në tunelin e Bistricës. Zakonisht thuhet "...dhe qysh atëherë hoqi dorë".


Dhe qysh atëherë Dhimitër Xhuvani pa se në ç'gozhdë kapej censura pas letërsisë së tij "tek historitë e vërteta, tek grimca të jetës që ia vlejnë të bëhen letërsi. Kjo nuk i pëlqen censurës. Sytë e një shkrimtari mund të shohin tunele, vagonë, çizme, xhupa, kabllo, por nuk duhet të shkruajë për "të zezën" që i rrethon.


Me t'u riedukuar e emërojnë në redaksinë e skenarit në ish Kinostudion "Shqipëria e Re". Është autor i skenarëve për filmat "Montatorja", "Brazda"... "Rrugicat që kërkonin diell". Ky i fundit ka historinë e vet, sepse skenari mbështetej në tregimin "Zgjimi i Nebi Surrelit".


Pasi skenari ishte shqyrtuar në 7 hallkat e censurës, nga instancat e brendshme në Komitetin Qendror, të cilat Xhuvani i quan "shtatë rrathët e ferrit", kishte lindur papritur një problem i mprehtë ideor.


Ishte personazhi i prostitutës e cila ndihmonte lëvizjen antifashiste. Kjo ishte shkruar në tregim, por në skenar duhej ndryshuar. Filmi dhe teatri ishin arte më popullore dhe për pasojë censura më shumë shtrëngonte darët.


Që skenari të kalonte duhej që autori personazhin e prostitutës ta bënte revolucionare të lëvizjes. Një personazh që Xhuvani e kishte ndeshur në fëmijëri, në kohën e luftës. Ashtu u bë. Ndoshta spektatorit i kujtohet ky rol i interpretuar nga aktorja Yllka Mujo, përkrah Mevlan Shanajt.


Përsëri shtatë hile dhe një trimëri. "Censura e madhe ishte gjimnastika jonë e mendjes", thotë shkrimtari tani kur kanë kaluar kaq vjet nga ai impenjim dogmatik dhe për të krijuar e ndjen që "është vërtet liri".


Atë liri që nuk e pati romani tjetër "Dashuria e fundit" edhe pse i botuar atëherë kur censura duhej të ishte më pak shtrënguese, në vitin 1989, do ta kishte skenari i tij për filmin me të njëjtin titull nga Gjergj Xhuvani, ku realizohet edhe një nga skenat e para të përdhunimit në kinema.


Do të vinin me radhë skenarë të tjerë për filmat e të birit "E diela e fundit", "Funeral Business", deri tek "Blegërima e deles" i cili në vitin 2001 fiton në Nju Jork, çmimin e më të mirit skenar nga Evropa.


Kjo i dha shanse regjisorit Xhuvani të fillonte nga puna për filmin tani i përfunduar me titull të ndryshuar "Mirupafshim armiq". Ky skenar ngrihet mbi sagën familjare të bashkëshortes së shkrimtarit, një familje feudo-borgjeze nga Elbasani. Por Dhimitër Xhuvani vet i ka përjetuar skenat që përshkruhen në film. Ishte dhjetë vjeç kur ushtarët e mbetur italianë, me ardhjen e gjermanëve kërkonin një strehë shqiptare.


"Koha e luftës i ngatërroi njerëzit", thotë Xhuvani. Në atë shtëpi janë strehuar dhe kanë jetuar së bashku deri në fund të luftës një partizan, një italian, një çifut, një ballist dhe një gjerman njeri si gjithë njerëzit, që u vra aksidentalisht në derën e kësaj shtëpie. Kishte shkruar me një dele në krah për t'i thënë lamtumirë familjes shqiptare. Këto histori tregoheshin mbrëmjeve nga e shoqja e Xhuvanit, ndërsa i biri, Gjergji i bluante për filmin e ardhshëm.


"Kemi një unitet mendimi ne të dy, të njëjtin mendim estetik. Skenari pasi shkruhet kalon nga dora e të dyve deri në versionin e fundit, kur skenaristi duhet ta lërë të qetë regjisorin. Në fund të fundit, nga filmi nuk mbetet më as emri i skenaristit, as ai i regjisorit. Të gjithë harrohen. Është aktori ai që kujtohet." Në rastin me Gjergjin ai e quan veten bashkautor të skenarit.


Xhuvani është i mendimit që pavarësisht se tradita e skenarit në Shqipëri ka qenë mbështetur te letërsia, te shkrimtarët, ne kemi një shkollë të skenarit. Në kohën e artë të Kinostudios kur prodhoheshin 14 filma në vit, në garë hynin rreth 50 skenarë, dhe nuk është pak. 70 vjeçari nuk i hyn diskutimit të cilësisë.


Ai vetë është këtu ku është. Konkretisht, është në përfundim të skenarit "Misionari", që do të jetë filmi më i ri i Xhuvanëve. Bën fjalë për vitin '97. Një misionar i huaj në zemër të shtëpisë së fëmijëve në jug të Shqipërisë.


Një njeri që iu predikon 14 fëmijëve "mos shaj, mos vidh, mos shko me gruan e tjetrit, mos vrit". Është viti absurd shqiptar, trauma psikike që kaluan njerëzit, prishja e kodit moral që shkatërroi edhe shpirtin e misionarit. Tani janë fëmijët mësuesit e tij që "predikojnë": shaj, vidh, shko me gruan e tjetrit.


Një dritare tjetër e shkrimtarit dhe skenaristit Xhuvani, ashtu vetëm ai di ta shohë realitetin, jetën. "Historitë janë droga letërsisë. Se si bashkohen më pas një Zot e di. Por, të gjitha këto nuk mund të lindin në studion e artistit, veç nga historitë reale të jetës së përditshme."
Portret i botuar në "Shekulli" 7 shkurt 2004


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›