E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri detar me Greqinë, sot padia në Kushtetuese

Marrëveshja pritet të paraqitet sot në Gjykatë nga ish-deputeti demokrat, Spartak Ngjela


TIRANË - Gjashtë parti në opozitë me qeverinë Berisha do të depozitojnë sot në Gjykatën Kushtetuese akt-padinë për marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve tona.


Marrëveshja që së fundi ka marrë mbështetjen edhe të Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos, pritet të paraqitet në Gjykatë sot, pikërisht nga ish-deputeti demokrat Spartak Ngjela, i cili do të bëjë edhe mbrojtjen e saj para trupit gjykues gjatë shqyrtimit në seancë plenare.


Siç mësohet, marrëveshja ka marrë firmat e gjashtë partive, atij të PS-së Edi Rama, të PSD-së Skënder Gjinushi, të PDS-së Paskal Milo, të G99 Erion Veliaj, PDK-së Nard Ndoka, kryetarit të PliDr Spartak Ngjela si dhe të ish-deputetit të LSI-së Ndre Legisi. Ndërkohë, atë refuzoi ta nënshkruajë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i cili deklaroi se nuk mund të mbështeste një kërkesë të tillë, e cila nuk ishte negociuar më parë mes partive opozitare.


Nga ana tjetër, Spartak Ngjela, duke qenë i bindur në ligjshmërinë e kësaj kërkese dhe pretendimeve të ngritura në të, ka deklaruar dje se do të jetë pikërisht ai avokati i palës akuzuese në Gjykatën Kushtetuese. "Do ta paraqes vetë përpara Gjykatës Kushtetuese. Do të jem dhe si avokat.


Ne dyshojmë se këtu mund të ketë një aferë të madhe korruptive për faktin se aty do të kalojnë tubat e gazsjellësit dhe Shqipëria humbet rreth 200 milionë euro në vit. Pyetja është se kush i fiton? Këtë do ta gjejnë organet përkatëse", - tha Ngjela.


Partitë që kanë nënshkruar këtë kërkesë pretendojnë se marrëveshja "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare" cenon tërësinë territoriale-ujore të vendit tonë në favor të vendit fqinjë.


Sipas kërkesë-padisë së opozitës marrëveshja e miratuar nga qeveria dhe e propozuar për ratifikim në Kuvend, ka prekur në këtë mënyrë parimet themelore të Kushtetutës dhe më saktë nenin 1, ku përcaktohet se "Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm", nenin 2 ku përcaktohet se "Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit", si dhe nenin 3 ku theksohet se "Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë".


Depozitimi i kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese bënë të detyrueshme për të gjitha palët e tjera vendimmarrëse që të ndërpresin çdo diskutim lidhur me marrëveshjen në fjalë deri në dhënien e verdiktit nga trupa gjykuese, nëse ajo prek apo jo parimet e mësipërme kushtetuese.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›