E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur gjithçka e ke falseNga Mero BazeKryeministri Berisha u përfshi dje në një skandal qesharak, pasi nxitoi për t’u afishuar si mbështetës i lirisë së medias në vend, pasi mësoi se një sindikatë gazetarësh kishte quajtur 3 tetorin “Ditë të Lirisë së

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kur gjithçka e ke falseNga Mero Baze

Kryeministri Berisha u përfshi dje në një skandal qesharak, pasi nxitoi për t’u afishuar si mbështetës i lirisë së medias në vend, pasi mësoi se një sindikatë gazetarësh kishte quajtur 3 tetorin “Ditë të Lirisë së Medias”. Qesharak nuk është vetëm nxitimi i tij për të përshëndetur një “Ditë”, që nuk është sot, por më 3 maj të çdo viti, qesharake mbi të gjitha është cektësia dhe falsiteti i tij në raport me lirinë e medias.

Nëse i bën sot një skaner gjendjes së lirisë së medias në Shqipëri, ajo është vërtet në kuotat më të ulëta që ka ekzistuar ndonjëherë gazetaria shqiptare. Dy periudhat më problematike të lirisë së medias kanë qenë vitet 1994-1997, kur Berisha u përplas fort me gazetarët kritikë me të, dhe më pas periudha 1999-2001, kur kryeministri i atëhershëm, Ilir Meta, shpiku modën e blerjes së shtypit dhe prodhimit të pronarëve që trafikojnë influenca proqeveritare përmes medias dhe marrin përfitime financiare nga qeveria. Tani, të dy këta “persona në kërkim” nga shtypi janë bashkuar në qeveri dhe kanë rikthyer atë që mund të quhet sundim mbi lirinë e medias.

Sot media e shkruar dhe ajo elektronike është më e dorëzuar se kurrë para pushtetit. Ish-mediet kritike ose gjysmë kritike dikur me Berishën kanë qenë “domene” të Ilir Metës dhe sot thuajse ka shumë pak parcela, ku je i lirë të thuash ndonjë gjë të vërtetë për pushtetin.

Përkundër kësaj, Berisha po përsërit vazhdimisht një tezë që ka të bëjë me pronarët e medieve si rrezik për lirinë e shtypit. Edhe pse Berisha e ka për inerci të së kaluarës së tij këtë tezë, unë jam përgjithësisht dakord me të. Pronarët e medieve janë një biznes që ka nisur në vitin 2000 dhe është shpikur si profesion nga Ilir Meta. Ai nxiti, promovoi dhe mbështeti financiarisht dhjetëra pronarë mediesh, të cilët prodhuan këtë realitet të shëmtuar të shtypit që kemi sot. Keqkuptimi i madh i Berishës është se ai mendon që gazetarët janë me të, dhe pronarët kundër tij. Në të vërtetë e hidhur është se gazetarët shqiptarë, ata që janë gazetarë dhe që duan të jetojnë si të tillë, janë kundër Berishës, kurse shumica e pronarëve, madje shumica absolute e tyre, janë me të. Janë me të, jo se kanë simpati për të, por se duke qenë biznese jo-konkurruese dhe të stimuluar nga përdorimi i tyre pro qeverisë, janë të dënuar të jenë me të, nëse duan të quhen ende pronarë. Por Berisha nuk e ka me këta pronarë. Le të marrim për shembull Aleksandër Frangajn. Nën trafikun e influencës së pushtetit të Berishës, ai ka përfituar dhjetëra hektarë tokë në Dajt, po përfshihet në lobimin për të përfituar tenderë prej miliona eurosh në rrugë, ka marrë leje për fshatra turistikë në Lezhë, është përfituesi i vetëm i reklamave qeveritare, dhe trafikanti kryesor i pushtetit të Sali Berishës. Unë nuk di që Berisha të jetë kundër Aleksandër Frangajt, dhe pro Andi Bejtes, që është drejtuesi i gazetarëve në TV Klan. Ajo që di unë është se në emër të Berishës ai televizion është kthyer në qendër zëri dhe të fundit që pyeten dhe respektohen atje janë gazetarët.

Unë nuk di që Sali Berisha në gazetën “55” është pro Ilir Nikollës dhe kundër Fahri Balliut. Ky i fundit së bashku me kunatën e tij ka marrë rreth 100 milionë euro tenderë rrugësh, duke përfshirë rrugën Vlorë-Levan, një segment të rrugës Levan-Tepelenë, mbikalimin e Tiranës etj. Ka qenë po ashtu ndërtues i Fabrikës së Vdekjes në Gërdec nën lobimin e djalit të Sali Berishës. Është njeriu që ka negociuar lejet e ndërtimit të Delijorgjit në vitin 2006, kundrejt rreth 300 mijë eurove, për të cilat Berisha akuzon Edi Ramën, ndërkohë që KKRT e Tiranës e komandonte Arben Qirjako. Tashmë unë nuk jam i sigurt se Berisha është i shqetësuar mbi diktatin e zotit Balliu ndaj gazetarëve të gazetës “55”, që ata të jenë pro qeverisë.

Nuk jam i sigurt as për faktin që Berisha është i shqetësuar nga pushteti i Irfan Hysenbelliut në gazetën “Panorama”. Po të ishte ashtu, nuk do t’i jepte atij, as tenderë rrugësh në Velipojë, as uzina thuajse falas në mes të Tiranës, dhe as ndere të tjera të përditshme. Nëse “Panorama” do të ishte gazetë kritike, fati i Hysenbelliut mund të ishte pak më i keq si i imi, që po ky kryeministër më shkatërroi shtypshkronjën duke e kthyer atë në hekurishte, duke e mbajtur të rrethuar me policë prej 9 muajsh dhe duke më djegur makinën para syve të fëmijëve të mi para shtëpisë.

Po të ishte Sali Berisha i shqetësuar nga pronarë mediesh që i lëpihen çdo ditë qeverisë, dhe që për fatin tonë të keq kanë shkuar në masën 90 për qind të medies së shkruar dhe elektronike, Aleksandër Frangaj apo Ylli Ndroqi do të kishin fatin e grupit mediatik gjerman, WAZ, që ka pronë Vizion Plusin.

Të shtunën e shkuar, një javë më parë, në mbrëmje, ky kryeministër ka dërguar një grup policësh në malin e Dajtit, të cilët kanë bërë një plan operativ për të shembur godinën e antenës së Vizion Plusit, dhe të dielën në orën 4 të mëngjesit, një furgon policie dhe një fadromë, pronë e Ministrisë së Transporteve, kanë shkuar aty “hajdutçe”, pa asnjë shkresë, urdhër apo vendim, dhe kanë shkatërruar godinën. Falë një kamere sigurie, unë arrita të marr pamjet që dëshmojnë “kujdesin” e kryeministrit ndaj medias kritike. Falë kamerës aty shihet kush ka urdhëruar, kush ka inspektuar dhe kush ka shkatërruar pa asnjë shkresë dhe bazë ligjore një pasuri të një medieje televizive, pronarët kryesorë të së cilës janë një grup mediatik perëndimor me bazë në Gjermani.

Pra, teza e Sali Berishës, se pronarët e medies janë fajtorë për mungesën e lirisë së medies, është e vërtetë, por për ata pronarë që Berisha i ka nën kontroll dhe ku zëri i gazetarëve nuk respektohet.

Në një libër të tij të hershëm, Preç Zogaj ka shkruar se, ndërsa ngjiste shkallët e Presidencës në vitin 1992, kur ktheu kokën nga kamerat Berisha, iu duk sikur kishte në mendje Frrok Çupin, në atë kohë gazetar kritik i tij. E njëjta simptomë psikopatie atij i vërtitet ende në kokë. Kur ai flet për pronarë mediesh, nuk ka parasysh shumicën absolute që i ka nën vete, por dy, tri, ose qoftë dhe një të vetëm që nuk ka shpresë ta ketë nën vete. Beteja e tij është me atë. Kjo e bën atë njeri fals dhe krejt të pavërtetë, kur flet për medien dhe lirinë e shtypit. Kjo e bën dhe qesharak, siç e bëri dje, kur, sapo dëgjoi se mund të kishte një rast të fliste për lirinë e shtypit, doli dhe dëshmoi sa hipokrit, sa i përciptë dhe sa banal është, kur urrejtjen ndaj medias kërkon ta paraqesë si kujdes ndaj atyre që tashmë i janë bindur.

Në të vërtetë, i vetmi rrezik real që unë shikoj sot për lirinë e medias nuk është Sali Berisha, as Ilir Meta, as të dy bashkë. Rreziku i vetëm që unë shikoj, dhe që jam i dëshpëruar, është mediokriteti dhe niveli i ulët profesional i gazetarëve. Frika ime, që më rrëqeth mishin, është se po rrallohen përditë takimet me gazetarë që e kanë profesion të qenit gazetar dhe që jetojnë me shpirt me atë punë. Frika është se po rritet një brez reporterësh, që thuajse ia kanë ndaluar vetes të drejtën të mendojnë përtej asaj që u thotë shteti dhe mafia në vend duke u bërë zëdhënës të saj. Ky brez sere që po depërton mes profesionit të gazetarit dhe punës së gazetarëve, po ndan të vërtetën nga gënjeshtrat zyrtare dhe po e bën pushtetin të jetë superior në mbulimin e të vërtetave të hidhura. Një shoqëri që ka jo shumë, por 10-15 gazetarë të pamposhtur, mbi nivelin mesatar, që nuk pranojnë të bëjnë kompromise në momente të tilla të rënda, fiton çdo betejë. Dhe këtë shpresë nuk e kam humbur ende.

Sali Berishës mund t’i ndodhë pak a shumë ajo që i ndodhi Ilir Metës në vitin 2001. Dhe ai i bleu thuajse të gjithë. Më kujtohet që atëherë ne ishim një grusht gazetarësh që gati luftonim në ilegalitet. Dhe atëherë qeveria ndante dhurata pa fund për mediet dhe pronarët. Dhe atëherë përkëdheleshin reporterë mediokër dhe kronikanë pa vlerë. Por asnjë gazetar i njohur, askush nga ata që vënë emrin poshtë shkrimit të tyre dhe duan të jetojnë si gazetarë, nuk iu bashkua kauzës së shtrembër të Ilir Metës. Dhe të nesërmen që ai iku nga kryeministër, i kthyen shpinën të gjithë.

Garancia e vetme për lirinë e medias në këtë vend nuk mbeten më institucionet e medias, nuk mbeten më redaksitë e sajuara nga pronarë apo sindikata qesharake gazetarësh. Garancia e vetme tani për tani vjen dhe do të vijë nga ata që kanë vendosur të punojnë si gazetarë. Ata e lënë pa gjumë kryeministrin Berisha, ndaj ai po përpiqet të gjejë cilët janë pronarët e tyre, t’i shkatërrojë, t’i gjunjëzojë dhe pastaj të shpëtojë prej tyre. Është një ëndërr që do ta vrasë pak nga pak, pa arritur të zgjohet prej saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›