Gjergj Muzaka: Nuk gaboj më

Bledar KUKA. – Pas 8 vjetësh si i kuq, tashmë është lojtar i Tiranës. Gjergji Muzaka është transferimi më i bujshëm i tregut futbollistik shqiptar, një lloj Kristiano Ronaldo shqiptar, si lojtar i ri, simpatik, i talentuar dhe i njohur. I gjendur mes dy zjarreve, në kalimin më pak të pëlqyer nga tifozët Partizani-Tirana, Gjergji përpiqet ta menaxhojë sic duhet momentin e vështirë.
"Dua që t'i fitoj tifozët e Tiranës, të cilët janë të respektuar dhe shpresoj që të jenë të mirë me mua, - thotë ai, por duke mos lënë pa përmendur, madje fort, ata tifozë që deri dje "linin kokën" për të. "Tifozët e Partizanit janë të vecantë, - thekson Muzaka, - më kanë mbështetur pa masë dhe unë do ta ruaj gjithnjë dashurinë dhe respektin për ta".
I gjendur mes dy dashurive përjashtuese me njëra-tjetrën, Gjergji hidhet menjëherë tek ana konkrete, kontrata e re me presidentin e Tiranës, Refik Halili. "Kam firmosur një kontratë 2-vjecare me Tiranën, - rrëfen ai, - jam i kënaqur nga kushtet". Pasi e ngacmon për rrogën, nëse ajo është më e mirë se tek Partizani, ai nuk ka dëshirë të të përgjigjet drejtpërdrejt. "Normalisht ..., - nis të thotë, por pastaj e kthen, - unë nuk u largova nga Partizani për para, por për shkaqe të tjera, pa dashur të flas më shumë".
Pasi ka mësuar nga ai që e quan gabim në kontratën e nënshkruar me Partizanin, Muzaka veproi ndryshe në firmën që hodhi me Tiranën. Kjo del pasi futbollisti pyetet nëse ka ende dëshirë që të luajë jashtë vendit, apo do ta mbyllë karrierën në kampionatin shqiptar.
"Nuk e bëra më gabimin që më ndodhi tek Partizani, sepse kontrata ime me Turanën ka një klauzolë largimi, në rast se më kërkon një klub jashtë vendit", - thotë ai. Deri tani, klauzolat kanë qenë të tilla që e linin lojtarin të largohej falas nga Shqipëria, por këtë herë është ndryshe.
"Jo më 100 000 euro, sa iu deshën Tiranës për të më marrë, por më pak, - sqaron Gjergji, - klauzola është më e vogël se 100 000 euro". Pastaj, me shaka shton se "këtë verë, vetëm unë, Felpsi dhe Bolti vendosëm rekorde, ata në pishinë dhe pistë, kurse unë me kontratë".
Tashmë i mbetet të ëndërrojë titullin kampion, atë që me Tiranën kohët e fundit e fiton më lehtë se me cdo skuadër tjetër. "Natyrshëm që e dua një titull kampion, - thotë Muzaka, - por meqë po më pyesni për këtë, dua t'iu them se do të kisha dashur që titullin ta fitoja më parë me Partizanin. Për fat të keq nuk ndodhi".