Java II, situata në prag të ndeshjeve

DINAMO-SHKUMBINI
DINAMO – Mesfushori Hetlem Capja e konsideron si humbje nëse Dinamo do të barazojë me Shkumbinin në Tiranë. Sulmuesi Sabino Plaku mund të debutojë nga minuta e parë kundër peqinasve. Mbrojtësi i majtë serb Danilo Nikolic firmosi për një vit me opsion edhe për një vit tjetër me Dinamon. Një gjë e pazakontë ndodhi të enjten në shtëpinë blu, mesfushori Igli Allmuca u pickua nga grenxat dhe përfundoi në spital, ku morri pesë serume.
SHKUMBINI – Fitorja 4-1 me Bylisin i ka bërë optimist të gjithë në kampin peqinas. Mbrojtësi Lorenc Pashja premton se Shkumbini nuk do të dalë pa pikë nga "Selman Stërmasi". Sulmuesi gjirokastrit Nora, autori i golit të parë në sezonin 2008-2009, synon të shënojë edhe kundër Dinamos. Rizvanolli nuk luan kundër Dinamos për shkak të kartonit të kuq të marr kundër ballshiotëve.
TEUTA-TIRANA
TEUTA – Henri Ndreka është goditja e madhe e klubit durrsak. Ish-lojtari i Partizanit e Vllaznisë vlerësohet shumë nga trajneri Sulejman Starova. Tekniku tiranas shpreson për pikë ndaj Tiranës, edhe pse takimi do të luhet në fushën asnjanëse të Shijakut. Vilfor Hysa synon të shënojë gol kundër Tiranës, nga ku edhe ka dalë si lojtar. Kapiteni Gentian Gjondeda pohon se Tirana është një kundërshtar po aq i vështirë sa dhe Dinamo.
TIRANA – Mesfushori francez Laurent Mohelebi nuk do të jetë pjesë e Tiranës për edicionin e 70-të të Superligës. Sipas sekretarit të Tiranës, Eduard Gjini, ai ka pasur disa probleme me pasaportën, dhe nuk ka mundur të vijë në Tiranë.
BYLIS-BESA
BYLIS – Portieri i Bylisit, nigeriani Emanuel Egbo, synon fitoren kundër Besës. Trajneri Faruk Sejdini do të ketë në dispozicion kundër kavajasve edhe mbrojtësin Emir Ujkani. Bylisi ka refuzuar gjykimin e arbitrit Arianit Lulaj, duke e konsideruar atë si një "kamikaz". Johan Driza nuk do të jetë në dispozicion të Sejdinit pas ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen kundër Shkumbinit.
BESA – Sulmuesi kamerunas me pasaportë meksikane Fransua Endene Elokan edhe pse pritej të mbërrinte në Kavajë, nuk është duke në shtëpinë e verdhezinjve. Abilaliaj premton golin e tij të parë me fanellën e Besës kundër Bylisit.
PARTIZANI-VLLAZNIA
PARTIZANI – Të kuqtë nënshkruan me sulmuesin Xhulian Rrudhon, por në stërvitjen e së premtes do të kenë edhe dy brazilianët Bruno e Roma. Nga Partizani përfundimisht u largua mesfushori Gjergji Muzaka, i cili do të luajë sezonin 2008-2009 për Tiranën. Partizani beson se do të arrijë fitoren e dytë sezonale ndaj një Vllaznie të shkatërruar në Napoli.
VLLAZNIA – Skuadra shkodrane, që u shkatërrua të enjten në Napoli, të dielën do të përballet në javën e dytë të kampionatit shqiptar me Partizanin. Vllaznia ka pesë ndeshje pa shënuar asnjë gol dhe një humbje me Partizanin mund të rrezikonte bankinën e trajnerit Agim Canaj.
APOLONIA-LUSHNJA
APOLONIA- Pas rekrutimit të Klodian Asllanit, trajneri Gerti Haxhiu synon tri pikët e para në ballafaqimin kundër Lushnjës. Të njëjtin besim ka dhe mbrojtësi Erjon Spaho. Edhe mbrojtësi Maringlen Shoshi e sheh fitoren si të vetmen alternativë të fierakëve, ndërsa portieri Erion Dine premton se do t'i verë drynin portës.
LUSHNJA – Verdhjeshilët realizuan dy blerje të bujshme së fundi: mesfushorin kongolez Ricard Bokotola dhe sulmuesin senegalez Sisoko. Trajneri Saimir Malko vlerëson shumë takimin kundër Apolonisë dhe kërkon pikë nga takimi që do të luhet në Fier. Portieri Mikel Spaho është i bindur se nuk të dalin pa pikë nga derbi myzeqar.
FLAMURTARI-ELBASANI
FLAMURTARI - Trajneri kroat Slavko Kovacic edhe pse kundër Elbasanit nuk do të ketë sërish Memën, Gugën e Rustemin beson se do të fitojë kundër Elbasanit në shtëpi, ashtu si bëri në javën e parë ndaj Besës në Kavajë. Në dispozicion të Kovës nuk do të jetë edhe mesfushori i avancuar Ilirjan Caushaj, autori i golit të fitores kundër Besës në Kavajë u ndëshkua me karton të kuq.
ELBASANI – Ardit Beqiri pas vendimit të Komisionit të Disiplinës do të jetë përfundimisht lojtar i Elbasanit. Ish-kapiteni i Partizanit do të debutojë të dielën me fanellën verdheblu kundër Flamurtarit në Vlorë. Mbrojtësi Armand Mehmetaj i vlerëson vlonjatët, duke e konsideruar ndeshjen të vështirë. Sulmuesi Skerdi Bejzade kërkon pikët e plota pas barazimit me Apoloninë në Elbasan. Gentian Stojku përfundimisht duket se është lojtar i Elbasanit.