Gjermani – Spanjë, pragndeshja

Dy vjet më parë, kur Gjermania dhe Spanja u takuan në finalen e Kampionatit Europian, askush nuk e parashikonte fitoren e Gjermanisë Atëherë ishte një Spanjë e mrekullueshme që luante me një pasion të jashtëzakonshëm, zotëronte mesfushën dhe kishte mundur Italinë në gjysmëfinale. Spanja mundi 1-0 Gjermaninë, por ishte një nga ato fitore që ke dëshirë t’i shohësh gjithmonë. Gjermania ra në kurthin e lojës së Spanjës, që me pesë lojtarë në mesfushë e rrotullonin topin si të donin në çdo cep të fushës, thuajse pa u shqetësuar aspak.
Spanja ka humbur vetëm dy ndeshje qysh atëherë, por tani përpara gjysmëfinales së Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, është Gjermania ajo që duket në top-formë. Spanja ka prodhuar futbollin e saj më të bukur të bazuar në pasime, ndërkohë që Gjermania duket se është ekip më sulmues (por dhe kundërsulmues) në Botëror, duke shënuar në tri nga pesë ndeshjet e luajtura nga katër gola: 4-0 me Australinë (në fazën e grupeve), 4-1 me Anglinë (në një të tetat) dhe 4-0 me Argjentinë (në çerekfinale).
Sa herë që Gjermania ka shënuar e para, ajo nuk është mundur asnjëherë: në të vetmin rast që ka pësuar gol nga Serbia, ajo humbi (0-1).
Gjermania është duke luajtur futbollin më të bukur në Kampionatin Botëror, por këtë duhet ta dëshmojë edhe ndaj Spanjës për të arritur finalen e tetë të saj në 17 pjesëmarrje (rekord) e për të synuar më pas titullin e katërt botëror (po aq sa ka aktualisht Italia, e eliminuar në fazën e grupeve).
Gjermania me lojën e saj të kujton Holandën e vitit 1974, pikërisht “futbollin total” të saj. Dhe nëse “tulipanët” ishin në regjinë e legjendës Johan Krujf, gjermanët kanë në gjirin e tyre mesfushorin më të fortë në botë, Bastian Shvajnshtajgerin, një lojtar që përshkon pa pushim thuajse gjithë fushën dhe ka dhënë disa asistë për gol. Ai dhe Sami Khedira bllokuan lojtari më të mirë në planet, Lionel Mesin. Tashmë, Bastian Shvajnshtajger është shndërruar në një Mikael Balak të ri, por më të kompletuar.
Gjermania ka disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën në fushë. Kundërsulmet e tyre janë vrasëse, lëvizjet janë inteligjente dhe pasimet të shpejta dhe të precize, një punë që kryhet rregullisht në stërvitje dhe shfaqet me të gjithë potencialin e saj në ditën e ndeshjes. Mesut Ozil, fantazisti, ka potencialin të bëhet një nga futbollistët më të mirë në botë, por te Gjermania janë edhe disa lojtarë të tjerë.
Tomas Myler, i cili do të mungojë në gjysmëfinale për shkak të pezullimit, është i ri dhe shumë i respektuar të Bajerni i Munihut, e mund të zhvillohet e të shndërrohet në një sulmues të pastër race, pro Miroslav Kloze ka në dorë mundësinë të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në finalet e botërorëve, nëse gjermani me origjinë polake do të shënojë të paktën dy gola, shumë e vështirë ndaj Spanjës, por jo e pamundur, pasi dy gola i shënoi kundër Gjermanisë, e që e bënë atë golashënuesin e dytë më të mirë në histori, së bashku edhe me legjendën tjetër gjermane, Gerd Mylerin (po 14 gola).
Tani Kloze, i cili ka shënuar 52 gola për Gjermaninë është vetëm një gol larg Ronaldos, me 15 gola, ndërsa Lukas Podolski (40 gola me Gjermaninë, në 78 ndeshje), është një partner ideal në vijën e parë.
Nëse këta janë të dhëna të mjaftueshme për të mundur kampionen e Europës, kjo është një çështje tjetër. Spanja mund të ndizet kundër Gjermanisë dhe të paraqesë futbollin më të mirë të saj, edhe pse në pesë ndeshjet e mëparshme nuk ka bindur në nivelin e gjermanëve, madje duke shënuar thuajse gjysmën e golave të Gjermanisë (13-7).
Gjermania, në fakt, ka pasur më pak kontroll të topit në ndeshjet kundër Argjentinës dhe Anglisë, dhe kështu pritet të ndodhë edhe ndaj Spanjës, por skuadra gjermane ka qenë tepër efikase. Principi i lojës së Anglisë në sulm ishte me krosime, por Per Mertezaket dhe Arne Fridrish janë shumë të fuqishëm në ajër; Argjentinës vallëzoi shpesh me topin, por Shvajnshtajger dhe Khediara bllokuan Mesin dhe Karlos Tevezin.
Nëse spanjollët do të tregohen më inteligjentë dhe do të kenë nxjerrë mësimet e duhura nga humbjet e Anglisë dhe Argjentinës me Gjermaninë, mund t’u hapin shumë punë këtyre të fundit, duke marrë në konsideratë dhe kontingjentin spanjoll, me virtuozë të tillë si Iniesta dhe Ksavi, e me sulmuesin më efikas të momentit, David Vijën (5 gola në këtë Botëror). Me një mesfushë me pesë lojtarë, Spanja (edhe Gjermania luan me pesë të tillë), pritet të ngarkojë Serxhio Buskets të merret me Ozilin, ashtu siç bëri Havier Maskerano te Argjentina. Në mesfushë pritet të jetë edhe Sesk Fabregas, por nga fillimi mund të luajë edhe Pedro Rodriguez.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 06 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili