E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani-Angli' ka nisur betejaepike e futbollit

JOHANESBURG-Eshtë që tani një Gjermani-Angli. Në ambientin futbollistik dhe në shtypin europian nuk flitet gjë tjetër përveçse për sfidën e të dielës mes dy të mëdhenjve të futbollit europian. Shumë sfida të paharrueshme mes tyre, shumë lot të derdhur dhe shumë revanshe për t'u marrë. Gjermani-Angli është një tjetër gjë, është beteja mes karakterit të hekurt gjerman dhe shpikësve të futbollit. Rivaliteti ka ardhur gjithnjë në rritje edhe pse gjermanët gjithnjë kanë qenë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Bekenbauer thotë se anglezët janë idiotë, që u renditën të dytët në grup, pasi përballja mes Anglisë e Gjermanisë do të ishte më e këndshme në gjysmëfinale apo finale. "Jo, kajzeri gjerman është idiot, sepse ne jemi të përqendruar te vetja jonë dhe mund të fitojmë", thotë Zhermen Defo, autori i golit në ndeshjen me Slloveninë. Sido që të jetë, ndeshja e së dielës, në orën 16, do të jetë një betejë e vërtetë. FIFA ia ka besuar atë gjyqtarit uruguajan Larrionda, një prej më të mirëve në këtë edicion të Kupës së Botës, por që në ndeshjen Serbi-Australi u bë protagonist duke mos dhënë një penallti për serbët në minutat e fundit.

1. Më 30 qershor 1966 u luajt finalja e Botërorit, e fituar pikërisht nga Anglia me rezultatin 4-2, pas një goli jo të rregullt të Hërst në minutën e 101-të. Topi nuk e kaloi vijën fatale, por arbitri e quajti të rregullt. Më pas, anglezët shënuan edhe njëherë tjetër po me Hërst.
2. Gjermanët u hakmorrën 4 vjet më pas në çerekfinalen e Kupës së Botës 1970, luajtur më 14 qershor dhe që u fitua nga skuadra e gjermano-perëndimore 3-2. Por, kjo ndeshje ishte një tjetër përballje epike. Anglezët kaluan në avantazh 2-0, falë golave të Muleri e Peters, megjithatë Bekenbauer e Siler barazuan vetëm pak minuta para përfundimit, duke e çuar sfidën në shtesë. Minuta e 108-të ishte fatale për anglezët, pasi Gerd Myler shënoi golin e tretë për RFGJ-në, duke e kaluar atë në gjysmëfinale përballë Italisë.
3. Më 1990, në Itali, një tjetër përballje dhe sërish fitojnë gjermanët, por këtë herë 4-3 me penallti, pasi koha e rregullt përfundoi 1-1. Andreas Brehme realizoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 60-të, por 10 minuta përpara fundit Geri Lineker barazoi po me një gol të mrekullueshëm, duke i çuar skuadrat në shtesë dhe më pas te penalltitë. Gjermanët i shënuan të gjitha penalltitë e tyre, ndërsa për Anglinë gabuan Stjuart Pirs e Kris Udëll.
4. Sfida mes dy gjigandëve të Evropës u përsërit në Europianin e vitit 1996, këtë herë në gjysmëfinale. Koha e rregullt përfundoi sërish 1-1 pas golave të Shirer e Kuntz, ndërsa me penallti, gjermanët fituan 6-5 duke kaluar në finale përballë çekisë. Edhe këtë herë ishte një dominim i anglezëve në lojë, por gjermanët e drejtuar nga Berti Vogts u treguan specialistë të vërtetë. Ata i shënuan të gjitha, ndërsa heroi negativ për anglezët këtë herë ishte Garet Sauthgejt.
5. Hakmarrja angleze do të vinte më 1 shtator 2001, kur skuadra që drejtohej tashmë nga Sven Goran Erikson, fitonte 5-1 në Mynih, në eliminatoret e Kupës së Botës. Karsten Janker shënoi për gjermanët në minutën e 6-të, por Majkëll Ouen tre herë, Xherard dhe Heski, prishën festën e publikut bavarez. Natyrisht, ajo ishte mbrëmja më e bukur për Erikson në krye të Anglisë dhe që i bëri tifozët e këtij vendi të besonin se kishin bërë mirë që kishin marrë një trajner të huaj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›