E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani-France bejne presion mbi Portugaline

Gjermania dhe Franca janë duke ushtruar presion mbi Portugalinë që të pranojë ndihmën ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e krizës së borxheve në vende të tjera të eurozonës.

Kështu shkruante gazeta gjermane “Der Spiegel” në numrin e saj të sotëm. Pa cituar emra, gazeta iu referua burimeve brenda qeverisë së dy vendeve kryesore të Bashkimit Europian.

Berlini dhe Parisi janë të shqetësuar se autoritetet portugeze nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë borxhet e marra, pasi defiçiti buxhetor në këtë vend është tepër i lartë. Në këto kushte, një hua e strukturuar nga Banka Qëndore Europiane mund të ndihmojë Lisbonën në zgjidhjen e krizës.

Më parë, Gjermania dhe Franca ishin shprehur të gatshme për krijimin e një fondi gjigant prej 750 miliard eurosh, për të shpëtuar në çdo moment ekonomitë në vështirësi brenda eurozonës.

Sipas ekspertëve, situata në Portugali është po aq delikade sa në Greqi dhe Irlandë. Lisbona, disa ditë më parë lidhi marrëveshje të rëndësishme ekonomike me Kinën, që premtoi dhënien e një huaje të madhe me interesa të ulta dhe investime të rëndësishme në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›