Gjermani: Mijëra femra ballafaqohen me martesë të detyruar
Një studim i publikuar sot, thotë se më shumë se 3 mijë gra dhe vajza në Gjermani, kryesisht nga familjet myslimane, janë ballafaquar me martesë të detyrueshme, gjatë një viti.
Studimi i parë federal i këtij lloji, ka nxjerrë përfundimin se në 3443 raste në vitin 2008, njerëzit që jetonin në Gjermani, ishin detyruar të martoheshin ose kërcënoheshin me martesë të dhunshme.
Shumica prej tyre ishin 18 deri në 21 vjeç, ndërsa rreth një e treta prej tyre ishte nën moshën 17 vjeçare.
Pothuajse të gjitha ishin femra dhe fëmijë të familjeve imigrante religjioze, kryesisht nga Turqia, Serbia, Kosova, Mali i Zi, Iraku dhe Afganistani.
“Ata që detyruan me forcë fëmijët e tyre të martohen me dikë, të cilin ata nuk e donin, kanë bërë akt brutal të dhunës kundër tyre”, tha Ministrja e familjes, Kristina Shrëder, duke e paraqitur studimin, që ishte financuar nga kjo ministri.
Sipas studimit, më tepër se gjysma ishin rrahur ose abuzuar fizikisht, për t`i bindur të martohen, ndërsa më tepër se një e katërta ishte kërcënuar me armë ose u ishte thënë se do të vriten nëse nuk vazhdojnë me martesa.
44% e njerëzve, që ishin subjekt i martesave të dhunshme, kanë pasaporta gjermane.
Vitin e kaluar në Gjermani është miratuar legjislacioni kundër martesave të detyruara.