Berlusconi: Pasardhësi im është Alfano

Kryeministri në largim i Italisë, Silvio Berlusconi, përzgjodhi “pinjollin” e tij, Angelino Alfano, si pasardhësin e duhur për detyrën e Kryeministrit.
Pasi humbi shumicën në parlament ditën e martë, epoka e Kryeministrit 75-vjeçar është drejt fundit. Presidenti i vendit, Giogio Napolitano, konfirmoi të mërkurën atë që Berlusconi kishte thënë më parë, se ai do të dorëhiqet pas zbatimit të disa reformave të domosdoshme.
”Nuk më takon mua të vendos se cili do të jetë pasardhësi im, pasi kjo është detyra e presidentit. Megjithatë, nuk e shoh zgjidhjen tek një qeveri teknike, por tek zgjedhjet e parakohshme.
Ata shtatë deputetë të partisë sime që u rreshtuan kundër, tradhëtuan mandatin e tyre parlamentar dhe së bashku me të, edhe të gjithë Italinë mund të jetë Kryeministri i ardhshëm? Angelino Alfano, një politikan dhe specialist i shkëlqyer”, deklaroi Berlusconi në rrjetin e tij të lajmeve, “Mediaset”. “Megjithatë, përsëris që nuk jam lider absolut i partisë sime dhe për figurën që do të konkurrojë nga gjiri ynë do të vendosë kryesia”.
Berlusconi përsëriti edhe akuzat ndaj deputetëve të mazhorancës që abstenuan në votimin e buxhetit, duke sjellë kështu edhe fundin eventual të qeverisë së tij. “Më në fund, politikat imorale të Finit dhanë frytet e tyre. Megjithatë, ata shtatë deputetë të partisë sime që u rreshtuan kundër, tradhëtuan mandatin e tyre parlamentar dhe së bashku me të, edhe të gjithë Italinë”.
Më herët presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, bëri të ditur në një intervistë televizive të mërkurën se vendi i tij do të marrë disa masa shtrënguese kursimi duke nisur që në ditët në vazhdim, për të nxjerrë ekonominë dhe financat e shtetit nga gjendja e rrezikuar në të cilat ndodhen.
”Kryeministri Silvio Berlusconi do të japë dorëheqjen pak pasi programi i reformave të shpallet”, shtoi 86-vjeçari. “Mbetet ende për të sqaruar nëse do të formohet një qeveri teknike apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të varet shumë nga ajo që do të vendosin vetë partitë politike”.