E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani-Spanjë, hyjnizimi i futbollit modern

Teknika e lartë në dy kahet garanton spektakël në këtë sfidë klasike europiane

Dy vite më parë, luftonin për Fronin e Europës, sot hapin dyert për finalen e Botërorit. Përballja Spanjë-Gjermani është shndërruar në një klasike europiane të këtyre kohëve futbollistike. Një ndeshje që premton spektakël, duke parë kualitetin e lartë teknik të të dyja ekipeve. Të shikojmë se si po përgatiten skuadrat për betejën dhe cilët mund të jenë skenarët. Shpesh është pozicionuar e dyta, por tani Gjermania dëshiron të rikthehet te trofeu. Në fakt, si me klubet ashtu dhe me Kombëtaren, gjermanët kanë arritur shumë herë në finale, por kanë munguar në takimin e fundit me historinë. Tre herë kampionët, gjermanët, kanë humbur katër finale, të cilat mund të vlenin po aq ar, por u ka mbetur argjendi. Këtë herë duket vërtet rasti i duhur, falë lojës dinamike të ekipit të Lëv. Trajneri ka qenë i aftë t’i japë organizim dhe soliditet një grupi të rinjsh (mosha mesatare 24,5 vjeç), që ia kanë shpërblyer me rezultate të jashtëzakonshme, si pokerat ndaj Anglisë dhe Argjentinës. Gjermania është një makinë e pamëshirshme, e aftë të neutralizojë rrezikun kundërshtar dhe të godasë në vazhdimësi, edhe pse këtë herë sfida është dhe më e komplikuar, sepse përballë nuk do të jetë një kampione e madhe për t’u bllokuar, apo një shpirt rival për t’u luftuar, por një bllok, pikat e dobëta të së cilës nuk njihen deri tani. E udhëhequr nga mrekullitë e djemve të tmerrshëm Myler, ëzil e Podolski dhe nga golat e Kloses, tani Gjermania dëshiron të kthehet në çatinë e botës pas Italia ‘90. Për t’ia dalë, Lëv kërkon një lojë ndryshe nga ajo ndaj Italisë në 2006: “Mund të bëhemi kampionë të botës vetëm nëse luajmë futboll ofensiv. Sot është e pamundur të luash si Italia 4 vite më parë”. Por në gjysmëfushën tjetër, vetëm të shohësh, të kap paniku: Torres, Vija, Ksavi, Injiesta e Pujol zhvlerësojnë çdo shpjegim. “Furitë Rose” janë skuadra më teknike që ekziston, ajo me qarkullimin më të mirë të topit, me driblimin perfekt dhe precizionin milimetrik në sulm. Kampionët e Europës në fuqi kërkojnë konfirmimin në nivelin botëror (rezultati më i mirë për ta është vendi i katërt në ‘50) pas dështimit në Kupën e Konfederatave. Në pritje të golave të Torresit, është Vija ai që e ka marrë mbi shpatulla lançimin e kampionëve, duke i udhëhequr deri këtu. Problemi kryesor i Lëvit quhet Myler, një nga zbulimet më të papritura të këtij botërori dhe mbi të gjitha fondamental për strategjinë “blloko, kundërsulmo dhe godit” të Gjermanisë. Sulmuesi i Bajernit është i skualifikuar. Për vendin e tij janë në balotazh Kros e Trokovski, pasi Kakau ka ende probleme fizike, ndërsa është rikuperuar Khedira. Në shtëpinë e Spanjës janë lënë pas problemet për Pujol e Fabregas, që do të jenë të disponueshëm, ndërsa mbetet misteri Fernando Torres: “El Niño” vendosi finalen e dy viteve më parë, por sot vazhdon të jetë hije e vetvetes. Prandaj Del Boske mund ta lërë jashtë 11-shes, ndoshta duke i besuar David Silvës, të përfunduar në pankinë pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Zvicrës. E domosdoshme është fitorja, por vetëm njëra nga dy superfuqitë e futbollit modern do të mund të vazhdojë të ndiejë aromën e Olimpit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›