Gjermania, zënkë Balak-Lahm për shiritin e kapitenit
Harmonia që ka mbretëruar deri më tani në përfaqësuesen e Gjermanisë është prishur gjatë këtyre orëve nga polemika në distancë ndërmjet kapitenit Filip Lahm dhe paraardhësit të tij, Mikael Balak. Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut mori shiritin pasi mesfushori i çelsit u detyrua t’i thotë lamtumirë Botërorit 2010, pas një dëmtimi të pësuar në finalen e Fa Cup, në të cilën çelsi triumfoi përballë Portsmuthit. Lahm ka deklaruar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga detyra si lideri i ri i skuadrës, në momentin kur Balak do të rehabilitohet dhe do të kthehet në Kombëtare. “Nuk ka asnjë dyshim që dëshiroj ta mbaj shiritin e kapitenit. është një përgjegjësi, e cila më dhuron shumë kënaqësi. Përse duhet të heq dorë prej saj me vullnetin tim? Nëse bën detyrën tënde në fushë dhe ke gjithçka nën kontroll, ashtu si në rastin tim, është normale që kërkon më tepër. Kërkon më shumë përgjegjësi. Synon që të marrësh gjithçka përsipër. Të paktën kështu e mendoj unë”, deklaroi mbrojtësi për “Bild”. Në këtë çështje përkrah Lahm është pozicionuar edhe ish-kapiteni i Gjermanisë, Lotar Mateus. Ky i fundit i ka kërkuar Balakut që të heqë dorë nga “gradat”, madje ka shkuar edhe më tej. “Përfaqësuesja luan më mirë dhe fiton pa Mikael, tani janë krijuar hierarki të reja brenda grupit, shpjegoi Mateus. Balak ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Gjermaninë dhe e kuptoj dëshirën e tij për t’u rikthyer në Kombëtare. Megjithatë, vitet kalojnë dhe ai do të bënte veprimin e duhur nëse do t’i jepte lamtumirën përfaqësueses në këto momente, duke treguar edhe një herë madhështinë e tij”.
Ndërkohë, menaxheri i skuadrës gjermane, Oliver Bierhof, tenton të zbusë polemikat. “Nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje, madje asnjë shenjë polemike”, deklaroi ish-sulmuesi. Megjithatë, mediat në Gjermani kanë theksuar se Balak, i cili ndoqi nga stadiumi ndeshjen me Argjentinën në çerekfinale, është larguar nga Afrika e Jugut përpara sfidës me Spanjën, pasi nuk i kanë pëlqyer fjalët e Lahm. Rreth kësaj, Bierhof shtoi: “Nuk është e vërtetë. Largimi i Balak është thjesht një koincidencë e pafat”.
#