Gjermani Urlih Shulc trajneri i Vllaznisë

Gjermani Ulrih Shulc, do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë për sezonin 2006-2007. Ai u përzgjodh nga presidenti i skuadrës Valter Fushaj, në garën me ish-futbollistin e njohur të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Hysen Zmijani. Disa ditë më parë u përmend edhe emri i një tjetër trajneri gjerman, Dirk Heine, por ky i fundit nuk pranoi të vinte në Shqipëri. Shulc, do të jetë trajneri i dytë i huaj që drejton Vllazninë pas malazezit Dervish Haxhiosmanovic, me të cilin Vllaznia fitoi titullin e fundit kampion në sezonin 2000-2001. Dy sezone më parë edhe Partizani tentoi të rekrutonte si trajner gjermanin Ditmar Ferner, por tratativat e klubit të kuq me Ferner u mbyllën pa sukses.
Ndihmëstrajneri i ri Vllaznisë, pritet të jetë futbollisti i njohur Uliks Kotrri.
59-vjecari Schulc do të prezantohet zyrtarisht sot në mesditë në sallën e konferencave për shtyp në stadiumin "Loro Borici". Si lojtar Shulc, një ish-portier i Kombëtares së Gjermanisë (11 ndeshje) ka luajtur në rradhët e 1.FC Magdeburgut, dhe në "muzeun" e tij personal ka medaljen e fituesit të Kupës së Kupave (1984). Po me 1.FC Magdeburgun, Shulc ka qenë edhe për disa vite trajner.
Dita e parë e stërvitjes zyrtare të Vllaznisë do të jetë më 13 korrik. Në datën 25 korrik skuadra e Vllaznisë do të niset për të kryer fazën përgatitore në Gjermani.