Gjermani, akuza të reja ndaj kishës katolike për abuzime seksuale
Kishat gjermane po përballen me një varg akuzash të reja për abuzime seksuale, akte të cilat pretendohen se janë kryer nga anëtarë dhe priftërinj të saj. Kisha e Regensburgut, në rajonin e lindjes së Papa Benediktit XVI, në Bavari, konfirmoi akuzat e reja për abuzime seksuale me të mitur ndaj katër priftërinjve dhe dy murgeshave, rastet më të fundit të cilat rëndojmë mbi imazhin e Kishës Katolike në Gjermani.
Dioqeza u angazhua për t'i dorëzuar prokurorisë të gjitha provat e mundshme.
''Të akuzuarit për abuzime seksuale me fëmijë do të pezullohen nga detyra në pritje të hetimeve'', thuhej në një deklaratë të Kishës Katolike. "Puna e bërë gjatë dy javëve të kaluara na ka treguar se janë kryer shkelje të rënda dhe padrejtësi të ashpra nga disa anëtarë të klerit. Keqardhja jonë bashkohet me viktimat që kanë qenë subjekt i këtyre krimeve dhe familjet e tyre. Shprehim keqardhjen tonë të thellë në lidhje me atë çka kleri dhe punonjës së kishës u kanë bërë këtyre fëmijëve dhe të rinjve dhe kërkojmë falje", thuhej në deklaratën e bërë nga dioqeza.
''Një ndër priftërinjtë, i cili ushtron funksionet e tij klerike në Regensburg, po ashtu edhe dioqezat e tre priftërinjve të tjerë janë informuar në lidhej me akuzat'', theksohej në deklaratën e Kishës.''Ndërkohë që dy murgeshat vuajnë nga çmenduria dhe nuk reagojnë në asnjë lloj mënyre'', vazhdonte Kisha.
Pjesa më e madhe e incidenteve në fjalë besohet se kanë ndodhur gjatë viteve '70, megjithëse një prej tyre ka ndodhur në vitin 1984, thuhej në një njoftim.