Historia memece e kalasë së Ali Pashës
Kalaja, Ali Pasha, Vasiliqia, haremi, dhoma e pritjes, burgu, komunizmi, ushtarët... janë mendime që përzihen natyrshëm para këtij monumenti kulture. Mungesa e ndriçimit e bën edhe më mistike, por shumë pak të ngjashme me një monument kulture. Nuk ka asnjë tabelë shpjeguese, as ndonjë histori përmbledhëse dhe nga brendësia nuk arrin të kuptosh asgjë pa ndonjë ciceron
Pas një rruge të gjatë nga Tirana, dembelizmi i shkaktuar nga udhëtimi nis të fashitet sapo zbret Llogoranë. Ka mjaft për të soditur. Hapësirë e tërë blu, vështirë i dallueshëm kufiri mes qiellit e detit, ndërsa pas krahëve një mal i lartë, me një mjegull që i rri si vello e hollë. Ngrys sytë që përpëliten nga dielli i fortë dhe rrekem të shikoj. Pak minuta përhumbje dhe destinacioni: kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo. Teksa i afrohemi Himarës, pjesën e mbetur të rrugës ma mbushin mendimet nga vizita e parë në këtë kala. Atëkohë ende studente, një grup i organizuar iu ngjitëm zhurmshëm të përpjetës mes shkurreve. Ajo që mundja të shihja atëherë, ishin vetëm muret e jashtme dhe pamja nga pjesa e bedenave. Gjithçka ishte errësirë dhe nuk kishte asgjëkund ciceron të na thoshte të paktën dy fjalë. Më kujtohet mirë pjesa e bedenave, jo vetëm për pamjen e magjishme që të ofron, por edhe se i shpëtova për fat një prej atyre të çarave në pjesën e sipërme që hidhte dritë në hyrjen e kalasë. Në këtë rikthim (dy herë të tjera kam ndaluar kalimthi) e gjeta të mbuluar me rrjetë. Ka vetëm shenja të tilla të vogla ndryshimi. Ndalojmë makinën buzë rrugës dhe zëmë të zbresim në një rrugicë të vogël, ku herë-herë këmba të rreshket mbi gurët e bardhë e të mprehtë. Kudo ndihet era sherbelë. Kundërmimi bëhet edhe më i fortë kur u afrohemi magazinave, pak metra para se të shkosh në kala. Brenda, fshatarët e kësaj zone kanë futur sherbelë të thatë. Tre veta që kanë ndaluar të bëjnë plazh, kthejnë kokën me qesëndi për të parë vizitorët. Muret e vjetra për karshi duket se pak i bëjnë konkurrencë për ta ujit të pastër ku kridhen. Rruga vazhdon mes shkurreve, ndalojmë tek-tuk për ndonjë shkrepje dhe vazhdojmë. Këto pak minuta të japin kënaqësinë e një aventure. Arrijmë te porta. Kalaja, Ali Pasha, Vasiliqia, haremi, dhoma e pritjes, burgu, komunizmi, ushtarët... janë mendime që përzihen natyrshëm para këtij monumenti kulture. Gojëdhënat të tërheqin në joshje e pastaj përnjëherë të çojnë në stepje për vërtetësinë e tyre. Grija e mureve që të përfshin në një ndjenjë harrese ta fanit pak atmosferën ekzotike, me të cilën përshkruhet kjo kala në kohën e Ali Pashës. Në ndjekje të emrit të tij, shumë turistë të huaj e zbresin atë rrugicë. Njëri, arbëresh apo italian që kishte mësuar të fliste shqip (nuk u kuptua shumë mirë origjina e tij), ishte i zellshëm që të na tregonte se e vizitonte shpesh këtë kala. Mërmërit, pohon apo mohon me kokë, gjë që i vë në pah se si i shkëlqejnë sytë. Te porta takojmë të vetmin ciceron të kësaj kalaje. E quajnë Klearko Koçi. Në fakt është jo vetëm ciceron: njëkohësisht rojë dhe kujdestari i këtij monumenti kulture. Thotë se e bën këtë punë prej vitesh. Për më tepër që e ka shtëpinë afër dhe mund të vijë edhe kur ka ndonjë kërkesë në orët e vona. është rasti tipik që haset në disa prej monumenteve të kulturës në Shqipëri. Nuk ka ciceronë të vërtetë, por roja e kujdestarë që i kanë shtëpitë afër. Nis të tregojë historitë që pas kaq vitesh, me siguri i përsërit pas çdo dukje të ndonjë turisti shqiptar a të huaj. Kur e pyesim se cili është profesioni i tij, përgjigjet: “Kam lexuar shumë dhe kam shëtitur nëpër Europë. Babai im ka qenë...”. Këtë herë, korridoret me arkada që lidhin në mënyrë simetrike dhomat, por të vështira për syrin e një vizitori, ndriçohen me qirinj. është e vetmja mënyrë për të parë sadopak. Në fillim, ndonjë pikë uji i ftohtë që të bie në shpatulla të bën të rrëqethesh, por pastaj mësohesh. Ka shumë lagështirë. Uji pikon në pjesë të ndryshme të kalasë, duke krijuar poshtë pellgje të vogla. është një problem i pazgjidhur prej vitesh. Ndërkohë ciceroni fillon të kalojë vërtik nga njëra dhomë në tjetrën, ku mureve që duken njësoj në arkitekturë i shton pak histori. “Këtu ka qenë dhoma e ndenjjes, këtu ajo e pritjes, ku është pritur edhe Lord Bajroni më 1809-n, këtu ka qenë dhoma e haremit, ku dallohen shkallaret e pashait dhe përkundruall skena e kërcimtareve që mbaheshin në harem. Shikoni dhomën e Ali Pashës. E shihni, i ka dritaret e drejta, jo si dhomat e tjera që i kanë të pjerrëta. Ato të tjerat janë për luftim, kurse këto janë të mbrojtura nga kullat e rojës që janë ngritur përballë tyre në rast të ndonjë sulmi”. Ciceroni vazhdon tregimin e tij. Parapëlqen të shmangë data. Kalaja, për të cilën thuhet se Ali Pasha ka bërë kurbane shumë nga ata që iu kundërvunë, presupozon në fakt një shenjë të dashurisë për gruan e tij të bukur, Vasiliqinë. Po nga gojëdhënat flitet edhe për kishën e ndërtuar brenda 48 orëve, qëndrueshmërinë e së cilës Pashai e provoi duke e goditur me top, por edhe për plazhin e Nuses, ku mendohet të jetë larë Vasiliqia. Duke kaluar nëpër korridoret gjysmë të errëta, në këto mure lexon edhe historinë e diktaturës. Shënuar me të kuqe ‘vaj, graso’, tregon funksionin e ri të kalasë kur aty u vendosën ushtarët. Në mure ka kudo shkrime të tyre. Ndërkohë, ciceroni na udhëheq drejt dhomës “së fshehtë”. Ka vetëm dy të çara të vogla në pjesën e sipërme, ku për pak depërtojnë rrezet e diellit nga dritarja e mureve rrethues. Në kohën e Ali Pashës është përdorur për depo baruti, ndërsa më vonë si burg. Gjendet aty edhe një pus i vjetër, për të cilin tregojnë se ka një dalje sekrete në det. Mungesa e ndriçimit e bën edhe më mistike, por shumë pak të ngjashme me një monument kulture. Nuk ka asnjë tabelë shpjeguese, as ndonjë histori përmbledhëse dhe nga brendësia nuk arrin të kuptosh asgjë pa ndonjë ciceron. Sheh vetëm mure të ndërtuara njëlloj, një hapësirë si labirint. Ciceroni thotë se vitin që shkoi këtë kala e kanë vizituar 6000 turistë (me një biletë që kushton 100 lekë të reja). Sa prej tyre kanë marrë shijen e një monumenti kulture? Vështirë për ta thënë. Përveçse e parestauruar, kalaja e Ali Pashë Tepelenës është një histori memece. Kanë kaluar vite dhe nuk është investuar aspak për t’i dhënë një tjetër pamje. Flitet për projekte, edhe për propozime individuale, si ai për ta kthyer në një muze të arkeologjisë nënujore, por deri më tani asgjë. Ka tek-tuk ndonjë përpjekje sporadike për t’i kthyer jehonën me ndonjë aktivitet. Ndërkohë rruga që të çon atje, është një tjetër problem i ngritur për zgjidhje. Si gjithmonë, pa përgjigje. Kalaja do të vazhdojë të shënohet në destinacionet turistike, do ta ndiejë peshën e hapave të ca turistëve e do të vazhdojë, për aq kohë sa ne ta pranojmë të tillë, të jetojë në heshtjen e saj.
#